Në fund të fitores 2-0 në miqësoren kundër Novara, trajneri i Milan, Gennaro Gattuso, ka analizuar ngjarjet e fundit në klubin kuqezi, duke nisur nga vendimi i KAS, që hodhi poshtë dënimin e UEFA dhe i jep mundësinë kësaj skuadre të marrë pjesë në Europa League: “Tani kemi nisur të prekim me dorë dhe të mendojmë për Kupat e Europës, një veprimtari të cilën e fituam në fushën e lojës, me meritë.”
Gattuso ka folur edhe për merkaton: “Duhet të marrim ndonjë përforcim, të bëjmë ndonjë lëvizje, por duhet të qëndrojmë në parametrat financiar, sepse ato mund të na komprometonin Europën. I takon klubit dhe drejtuesve të merren me këtë çështje. Morata? Të gjithë i duan futbollistët e aftë. E dua një qendërsulmues të tillë.”
Kohët e fundit është përfolur për largimin e Bonucci për te Paris SG, Gattuso i ka idetë e qarta: “Është një futbollist dhe njeri i madh, por nuk do ta mbajmë përtej vullnetit të tij. Nëse dëshiron të largohet, derën e ka të hapur. Unë respektoj gjithmonë zgjedhjen që bëjnë lojtarët.”
Në fund, nuk mund të mungonte një koment në lidhje me Leonardo, i cili pritet të jetë drejtori i ri i Milan, por që shtypi ka shkruar se është vënë në kërkim të një trajner: “Nuk kam asnjë problem me të. Kemi pasur debate, por jemi sqaruar. Unë do ta pres krahëhapur.”
a.s/dita
