Italiani tregon direkt në TV një nga shakatë pa kripë të anglezit
Paul Gaskoinj ka bërë të flitet shumë për të, jo vetëm për futbollin dhe problemet me alkoolin, por edhe për shakatë, shpeshherë pa kripë, kundrejt shokëve të skuadrave ku ka qenë. Janë të shumta historitë që qarkullojnë për të dhe e fundit është treguar nga Xhenaro Gatuzo, me të cilin ka luajtur te Rangers në sezonin 1997-98. Italiani e bëri rrëfimin e tij gjatë një emisioni televiziv, duke i lënë pa mend shikuesit. “Pas stërvitjes së parë, bëra dush dhe u ktheva në dhomë, ndjeva një erë shumë të keqe. Zbulova që ishin çorapet e mia, të cilat vura re që ishin bërë edhe të rënda. Me pak fjalë, Gaza më kishte bërë kakën brenda në çorape”, tha Gatuzo. Ish-lojtari i Milanit kujton edhe një episod tjetër: “Te Rangers kishim një kod veshjeje preciz. Gaskoinj më bleu 4-5 kostume në një dyqan. Kështu e kishin ngarkuar të bënte drejtuesit e klubit dhe paratë do të më mbaheshin më pas nga paga. Kur vajta dhe pyeta se sa u detyrohesha, më thanë se për gjithçka kishte menduar Gaza”. Shkurt, “ai është njeri me zemër të madhe”.
