Ngjarjet e shëmtuara kundër delegacionit grek gjatë kremtimeve të festës kombëtare më 28 tetor po shkaktojnë turbullira në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kështu shkruan sot gazeta greke, Kathimerini, e cila raporton mbi incidentet që ndodhën në Këlcyrë kundër delegacionit grek, nga aktivisët të Aleancës Kuq e Zi , Vetëvendosjes dhe Klubit të Patriotëve të rinj (PDIU).
Gazeta shkruan se janë hedhur gurë, shkopinj dhe vezë kundër autokolonës greke si dhe qytetarëve grekë që kishin shkuar në Shqipëri për të nderuar ushtarët e rënë gjatë luftës italo-greke.
Sipas Kathimerinit, qëndrimi i Athinës për ngjarje të tilla është i një profili të ulët, dhe se pavarësisht se po bëhet një përpjekje për hapjen e një kapitulli të ri mes dy vendeve, ka një klimë në rritje anti- greke në Shqipëri.
Pala greke, shkruan më tej gazeta nuk e përjashton mundësinë për të sjellë çështjen në parlament, pasi sipas saj, Shqipëria ka shkelur rregullat e fqinjësisë së mirë, një kusht i vendosur nga Brukseli për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.