“21 janari” do të përfundojë me dënime qesharake, ndërsa pa dyshim që kuzhinierët e kësaj çorbe të qelbur do të shpërblehen me kocka që Berisha ka zakon të hedhë për njerëzit e tij, si gjithmonë” -thotë gazetari Fatos Mahmutaj
Pasojat tragjike që 21 janari i dy viteve më parë la nuk ishin vetëm katër viktimat por dhe shumë të tjerë të cilët u rrahën nga policia apo dhe u plagosën nga plumbat e Gardës Republikane. Një prej tyre është dhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili përveç se mori një plumb në dorë gjatë raportimit në televizionin “ABC News” iu desh që të vuante dhe kërcënimet pushtetit për të mbyllur gojën për ngjarjen që për pak i mori jetën. Me rastin e dyvjetorit të kësaj ngjarja, gazetari Mahmutaj flet për gazetën “Dita” duke thënë se ka humbur besimin te drejtësia dhe në Shqipëri do të kthehet vetëm pasi nga pushteti të ketë ikur Sali Berisha dhe shpura e tij. Gazetari është i qartë se vrasja e katër protestuesve dhe plagosja e tij kanë ardhur nga Garda e Republikës me urdhër të Lulëzim Bashës dhe Sali Berishës, ndërsa tregon se kjo ka qenë e paramenduar nga pushteti dhe protestuesit ishin piketuar për të dhënë mesazhin: Ju pret plumbi!
Fatos jemi dy vjet fiks pas tragjedisë së “21 janarit” ku mbetën të vrarë katër demonstrues, dhe u plagosën dhjetëra të tjerë mes tyre dhe forca të policisë. Keni bërë një reflektim gjatë kësaj kohe pse erdhi ajo situatë kaotike?
Një ditë para 21 janarit 2011, pra më 20 janar, pasdite u ndodha në grupin e gazetarëve që përcollëm një konferencë shtypi të ministrit të atëhershëm të Brendshëm Lulzim Basha, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Konferenca kishte të bënte me arrestimin e një personi në Laç, mbi të cilin ishin stisur akuza të tmerrshme. (Mendoj se ky njeri tani ndodhet jashtë burgut, i liruar nga gjykata, pasi pati fatin e keq të arrestohej vetëm për të organizuar konferencën e shtypit-show të ministrit Basha). Gjithsesi pas konferencës Bashës iu drejtua vetëm një pyetje nga grupi i gazetarëve dhe kjo kishte të bënte mbi mënyrën sesi do të funksiononin një ditë më pas institucionet e rëndësishme shtetërore dhe punonjësit e tyre, që drejtoheshin nga Basha. Përgjigja e ministrit, natyrisht shoqëruar me buzëqeshjen e tij prej servili-klloun ishte: Do t’i përgjigjemi me çdo mjet dhunës dhe akteve jo normale gjatë protestës. Dhe vërtet ashtu ndodhi, jo vetëm që iu përgjigj, por iu përgjigj në formën më të zellshme të mundshme: Fjalëve-protestë me shkopinj gome e gaz lotsjellës; sharjeve dhe bërtitjeve të protestuesve me dhunë njëlloj si në Sirinë e sotme të Assadit; dhe ndonjë guri të hedhur nga turma e stimuluar prej njerëzve të pushtetit me plumba që morën katër jetë dhe plagosën shumë të tjerë. E thënë shkurt përgjigja e Bashës, (kuptohet sipas dirigjimit të Sali Berishës), për një protestë normale të opozitës, ishte terrori i paprecedentë. (Për hir të së vërtetës them që ky vazhdon edhe sot, madje me i përforcuar dhe më i hapët se kurrë). Dhe për t’i dhënë fund kësaj mendoj se gjithçka ishte organizuar më së miri, madje edhe viktimat ishin piketuar mirë, në mënyrë për t’i dhënë opozitës mesazhin e qartë: Ju pret plumbi!
Procesi gjyqësor për “21 janarin” ende është duke u zvarritur. Keni shpresë do të vihet drejtësi për atë ngjarje?
Zvarritur! Jo, jam i mendimit që po mbaron më shpejt nga çfarë mund të mendohet. Berisha dhe sejmenët e tij ndryshuan strategji. Siç duket ngaqë u doli boja me zvarritjet, tani punojnë duke ndjekur në dukje ritmin normal të gjërave, por në vetvete procesi i 21 janarit është më i kalburi i bërë ndonjëherë nga “drejtësia” shqiptare. U lanë qëllimisht mjaft prova jashtë hetimit; u fshinë njëra pas tjetrës dëshmitë kyç; e deri tek turpi që nuk ka lumë e det ta lajë: rrëzimi i ekspertizës së FBI dhe marrja për bazë e teorive “alla-Zot na ruaj”, të plumbave që udhëtojnë në formë shumëkëndëshi dhe në disa plane njëkohësisht. Sinqerisht ndiej keqardhje për vendin tim, ku ambasadori i SHBA dhe të tjerë dashamirë të Shqipërisë, çdo ditë e më tepër flasin hapur, ndërsa vetë ne shqiptarët rrimë duarkryq. Dua të shtoj këtu se popujt e mëdhenj kanë bërë dhjetëra revolucione njëri pas tjetrit, madje edhe duke çuar në gijotinë “baballarët” e kombit, derisa kanë arritur në momentet e tanishme ku politikanët e shohin postin si detyrë dhe përgjegjshmëri dhe jo pushtet mbi të tjerët. Duke iu kthyer temës them se “21 janari” do të përfundojë me dënime qesharake (në formën më të keqe me pafajësi të bishave që qëlluan mbi qytetarët) ndërsa pa dyshim që kuzhinierët e kësaj çorbe të qelbur do të shpërblehen me kocka që Berisha ka zakon të hedhë për njerëzit e tij, si gjithmonë.
Ku ndodheni aktualisht dhe me çfarë jeni duke u marrë?
Në Bruksel, Belgjikë. Vazhdoj të ndjek kurse intensive për mësimin e gjuhëve këtu. Kjo ma merr gjithë ditën. Aktualisht më shkojnë në rreth 8 orë në ditë.
Një vit më parë jeni shprehur se keni pasur kërcënime jo vetëm ju por dhe familjarët… vijojnë kërcënimet ende?
Që kur familja ime u ngujua në fshatin e origjinës nuk ka pasur diçka tjetër të përmasave të mëparshme. Kujdesi i treguar nga familjarët e mi ka sjellë për pasojë këtë ‘qetësi’, por mendoj edhe se ushtarët e zellshëm të Berishës duhet ta kenë kuptuar që ndonjëherë duhet t’i bëjnë hesapet edhe me hanxhiun…
Si e shikoni situatën politike në Shqipëri?
Ashtu siç e shohin dhe e shprehin rëndom pjesa dërmuese e shqiptarëve: “kaçurrel”. Por nga ato të llojit që nuk iu gjendet as ana dhe as filli. Kuptohet derisa Berisha të jetë në krye të atij vendi nuk do pushojë ndonjëherë që aty të prodhohet hipokrizi si lustër për krimin, maskarallëkun dhe varfërinë e tejskajshme që po iu marrin frymën shqiptarëve.
Ç’mendoni për kolegët tuaj gazetarë aktualisht në mediat e ndryshme. Si ju duket realiteti mediatik, a përkon me situatën, a ka ndryshuar dhe çfarë duhet bërë?
Mendoj se kolegët e mi gazetarë aktualisht në Shqipëri ndodhen në pozitën e tyre më te keqe, në të cilën mund të ketë shkuar media shqiptare 22 vitet e fundit. Sali Berisha në rolin e njeriut-pushtet absolut, ka uzurpuar gjithçka. Presioni i tij është permanent si në anën financiare ashtu edhe në atë të misionit të medias dhe po e shkatërron shumë këtë. Por edhe në kë situatë, është e dukshme guximi i mjaft kolegëve apo mediave të ndryshme për t’u përballur me këtë realitet. Siç duket Berisha ka harruar që kjo gjendje i kalit njerëzit, mendoj se ndoshta i duhet të kujtojë fundin e 1996-ës.
A do te ktheheni ndonjëherë ne Shqipëri dhe kur? Nëse jo, përse ?
Në Shqipëri do të kthehem menjëherë ditën kur Berisha dhe klanet e tij të mos jenë në pushtet.
Po cfare drejtesi po kerkojme ne kur si Fatosi ka dhe mjaft gazetare apo analiste jane te kercenuare nga ky regjim jo demokratik dhe po kerkojne qe ta lene vendin nqs berisha me force dhe manipulime do mbaje pushtetin i them z Fatos qe te jape deponimin e tij per te denuar bashen dhe ate qe fshihet pas bashes PO mire qe keta iken po populli ku do veje????????……..