Ekskluzive/ Flet Spartak Braho (VIII)
Kush ishin shkaktarët e rebelimit në vitin 1997 dhe pse Spartak Braho nuk do që të bëjë asnjë koment për Berishën dhe Gazideden në këtë pjesë të intervistës së tij. A është e vërtetë se Albert Shyti ka ngritur flamurin grek në Himarë dhe sa qëndrojnë akuzat e SHIK-ut për gazetën ‘Koha jonë”.
Baba Taku nuk pranon të komentojë
Për këtë pjesë të dytë të raportit të Bashkim Gazidedes në Kuvend më 26 mars 1997, deputeti Spartak Braho nuk ka asnjë koment. Si mund të komentoj unë këto gomarllëqe pa fund të këtyre kriminelëve që me paturpësinë më të madhe duan t’i hedhin hi syve një populli të tërë? Bëni mirë ta botoni raportin e tij (pra të Gazidedes) për të kuptuar se edhe sa injorantë ishin. Gazidedja nuk i shqipton dot as emrin Nikolas Gejxhit, por thotë Nikolla Geiç. Nuk e di se ekziston gazeta e famshme britanike “The independent” por thotë “The indenpedell”. Kurse gazetarin e famshëm botërisht të saj nga Andrew Gumbel (Endrju Gambëll, i cili e quajti qeverinë e Berishës një qeveri gangstere) e shqipton Endru Gambo. A e vlen të replikash dhe të komentosh këta kriminelë dhe injorantë, thotë Baba Taku me atë qetësinë olimpike dhe ironinë e tij karakteristike.
Le të lexojnë këtë raport të SHIK-ut të cituar nga Berisha dhe të lexuar nga Gazidede për të kuptuar deri ku kishte arritur marrëzia e tyre. Prandaj, le të mos bëjmë intervistë për sot. Raporti i Gazidedes është i mjaftueshëm. Nuk e di si do ta presin ata të gazetës “Koha Jonë” akuzën që u bën Gazidede… Kanë rrjedhur shumë ujëra e nuk di si mendojnë aktualisht ata.
Po Gramoz Ruçi, që tani e kemi Kryetar të Kuvendit, a do të reagojë? Nuk e di? Bëjini një tel, se Gramozi nuk përton të përgjigjet, na sugjeron Spartaku.
Pavarësisht axhendës së ngjeshur të Kryetarit të Kuvendit, do të përpiqemi të kontaktojmë me të në ditët në vijim për të ditur se çfarë mendon për këto akuza që i ka bërë Bashkim Gazidedja (alias Sali Berisha) 21 vite të shkuara…
Përgatiti për botim Xhevdet Shehu
(Vijon nga numri i kaluar)
Gjithashtu, përveç këtij instituti, Instituti i Rikthimit të Homogjenëve Grekë, në formë e rrugë të ndryshme, stimulonte investitorë të ndryshëm që do t’i shërbenin çështjes së Vorio-Epirit.
Në funksion të kësaj ideje ishin dhe shumë sillogje greke, shoqata, nga të cilat mund të përmendim SFEVA, ENVI, MAVI, QEVA, POAGA. Këto organizata organizohen e drejtohen nga shovinistë grekë dhe në qendër në programit të tyre kanë lëvizjen për çlirimin e Vorio-Epirit.
– SFEVA, që është komiteti koordinues studentor i luftës për Vorio-Epirin, drejtohet nga Grigor Gizelis, i cili është një ndër hartuesit e planit që përmenda më sipër, Planit Lotos, siç quhet, së bashku me disa pjesëtarë të lobit greko-amerikanë. Drejtues i kësaj organizate deri në momentin e vdekjes ka qenë Sebastianos. Kjo organizatë ka financuar rreth 200 kurse gjoja të gjuhës, historisë dhe etnografisë greke në Shqipëri.
– ENVI është organizata e rinisë vorioepirote. Bazë e programit të saj janë këto pika: hapja e shkollave dhe kurseve të gjuhës dhe historisë greke; shpenzimet ekonomike për aktivistët e çështjes së luftës për Vorio-Epirin dhe qeverisjen e Vorio- Epirit me një pushtet të ndarë nga qeveria shqiptare; krijimin e trupës së mbrojtjes të rendit nga vetë vorioepirotët, e cila do të sigurojë rendin e qetësinë në banorët e Vorio-Epirit.
– MAVI është organizatë terroriste e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga gjenerali Zerva dhe që u shfaq përsëri në aktin terrorist të masakrës së Peshkëpisë.
– Organizata kryesore që ka drejtuar dhe drejton gjithë lëvizjen për helenizimin e Shqipërisë së Jugut është POAGA, që quhet Konfederata ose Organizata Panhepirote e Amerikës, Kanadasë dhe Australisë. Kjo organizatë është krijuar më 1942 në Nju-Jork të SHBA, ku ndodhet dhe pjesa më e madhe e lobit grek. Drejtuesi i kësaj organizate që nga 1993 është Nikolla Geiç ose Niko Gazojani, siç quhet ndryshe nga grekët. Ky është dhe hallka ndërlidhëse midis POAG-ës dhe gjithë organizatave të përmendura më lart. Nikolla Geiç është njohës i mirë i Shqipërisë së Jugut, pasi, përveç të tjerave, ka qenë edhe mbi 7 herë në këtë vend, është i lindur në fshatin Lia, afër Kamandës në kufi me Shqipërinë, ka punuar e punon për bashkimin e gjithë vorioepirotëve. Sa herë që ka ardhur në Shqipëri, ka kontaktuar direkt me drejtues të minoritetit grek dhe ka qenë ndër financuesit kryesorë. Duke qenë kryetar i organizatës më të madhe vorioepirote, POAGA, ai ka luajtur e luan një rol tepër aktiv në organizimin dhe ndërkombëtarizimin e luftës për Vorio-Epirin. Aktiviteti i tij shovinist kundër Shqipërisë dhe lidhjet e tij me organizata terroriste nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga shtypi grek i periudhës së fundit. Kështu, për shembull, gazeta “Panea”, më 22.3.1995, që botohet në Athinë, shkruan artikullin “Shërbimi i brendshëm sekret grek heton vetëveten, hetime në thellësi…” Është fjala për ata që organizuan masakrën e Peshkëpisë. Në artikull thuhet që kreu i organizatës MAVI duhet të jetë një grekoamerikan i cili ka vizituar rregullisht Shqipërinë. Gjithashtu për aktivitetin e tij ndaj Shqipërisë grekoamerikani Geiç është shprehur edhe me personalitete të larta të shtetit amerikan.
Sillogjet vorioepirote gjatë viteve 1991-1994 kanë pasur edhe mbështetjen e qeverisë së atëhershme greke, s’po them për të sotme greke, të drejtuar nga Micotaqis dhe qeveritarë të tjerë. Kështu, secilit nga ju mund t’i kujtohet në atë kohë deklarata prej 5 pikash e ish-Kryeministrit Micotaqis, ndër të cilat çështja e minoritetit grek në Shqipëri krahasohej me problemin e Kosovës.
Për të njohur gjendjen sa më mirë në Shqipëri u infiltruan ish-oficerë të liruar të ushtrisë, të policisë dhe të Sigurimit të Shtetit, duke përfshirë këtu edhe ish- ministrin e Mbrojtjes të kohës së komunizmit Kiço Mustaqi, i cili ka informuar, sipas të dhënave të sakta që kemi, mbi gjendjen e teknikës luftarake në Shqipëri, për vendndodhjen e armatimit të rëndë, të aviacionit, për bazat luftarake detare dhe pothuaj hollësisht për çdo gjë. Po kështu, nga ish-oficerë të Sigurimit te Shtetit është dekonspiruar rrjeti i bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe të dhëna të tjera me karakter sekret. Nga ana jonë disponohen gjithashtu të dhëna që edhe Gramoz Ruçi së bashku me Kiço Mustaqin kanë qenë në dijeni dhe janë të integruar në planet për organizimin e kësaj kryengritjes së armatosur.
Dihet tashmë që më 10 prill të vitit 1994 në një nga repartet tona në Peshkëpi të Gjirokastrës nga komandot e armatosura u vra një oficer e një ushtar dhe pati edhe të plagosur. Nuk është e rastit që vitet e fundit në krye të lëvizjes vorioepirote u vendos POAGA, organizata që folëm më lart. Në ndihmë të tyre u vendosën edhe elementë të shërbimeve të huaja, që ishin të interesuar për problemin vorioepirot dhe që kanë shprehur hapur ndjenjat e tyre antishqiptare.
Në vitet 1991-1993 platforma e ndjekur nga qarqet shoviniste greke, duke gjetur edhe mbështetjen e qeverisë së Micotaqisit, synonte tjetërsimin e territorit të Shqipërisë. Kjo do të realizohej në atë kohë nëpërmjet këtyre rrugëve:
- Nëpërmjet helenizimit të trevave të Jugut. Për këtë qëllim u shfrytëzua varfëria e shqiptarëve dhe kërkesa e tyre për emigrim. Dhënia e vizave kushtëzohej me ndryshimin e emrit e të fesë. Duke shfrytëzuar pozitën e tij politike në arenën ndërkombëtare, shteti grek në atë kohë kërkonte që në Shqipëri të hapeshin shkolla greke edhe aty ku kishte vetëm shqiptarë. Mësuesit e gjithë minoritetit, përveç rrogës që marrin nga shteti shqiptar, paguheshin dhe vazhdojnë të paguhen nga Instituti i Rikthimit të Homogjenëve Grekë, pra marrin një rrogë paralel. Këtij qëllimi i shërbente edhe regjistrimi i popullsisë në zonat e Jugut, i cili, përkundrejt dhënies së vizës, kërkonte ndryshimin e kombësisë.
- Futja e investitorëve grekë me kushte lehtësuese në Shqipërinë e Jugut. Në atë periudhë investitorë të ndryshëm grekë favorizoheshin duke u dhënë kredi me kushte lehtësuese, mjafton që ata të vinin në Shqipëri, të kryenin investime dhe të punësonin vetëm të ashtuquajtur vorioepirotë, sipas tyre. Nga këto kredi mund të përfitonin edhe minoritarët, të cilët zotëronin si kapital një të tretën e kredisë.
- Armatosja e popullsisë minoritare. Në vitet 1991-1992 është bërë një armatosje masive me çifte dhe e gjithë kjo me shpenzimet e shtetit grek dhe të fondacioneve të drejtuara nga persona aktivistë të çështjeve të Vorio-Epirit. Këto probleme janë të njohura në gjyqin e organizuar kundër 5 minoritarëve, që besoj se mjaft nga ju jeni në dijeni. Në letrën që në atë kohë Nasho Papathanasi i dërgonte Micotaqisit, kërkonte armatosjen e vorioepirotëve. Bile, pasi i tregonte organizimin e strukturave ushtarake që duhet të kenë, kërkonte që çdo skuadër duhej të kishte të paktën një mitraloz.
- Stërvitja e vorioepirotëve të besuar në kurse spiunazhi, të cilët ishin të kamufluar sikur zhvillonin kurse profesionale. Nëpërmjet aktivistëve të çështjeve të Vorio-Epirit që banojnë në Shqipëri, oficerëve në Iirim, qofshin këta minoritarë apo shqiptarë, u sigurohej punë në Greqi, si dhe kushte të tjera lehtësuese, me qëllim që ata të shfrytëzoheshin për informacione në drejtim të Shqipërisë. Kështu, një kontingjent prej 30 vetash, ish-oficerë të liruar, u punësuan në Institutin e Rikthimit të Homogjenëve Grekë. Në këtë mënyrë në atë kohë shërbimi sekret grek mori të dhëna të plota për organizimin e ushtrisë shqiptare, të Forcave të Armatosura në Shqipëri dhe pothuajse për gjithçka.
Si përfundim mund të themi se rezultati i situatës së sotme në Shqipëri është pikërisht përfundimi i atij plani të detajuar që u përmend më lart. Natyrisht, u krijuan dhe kushte të tjera, që u shfrytëzuan për këtë qëllim.
Një ndër problemet që e ndihmoi realizimin e kësaj kryengritjeje ishin edhe firmat rentiere. Duke shfrytëzuar psikologjinë e popullit shqiptar, të varfëruar për 50 vjet, si dhe etjen për t’u pasuruar shpejt, u krijuan firmat rentiere në Shqipëri. Fenomeni i fajdeve u përhap shumë shpejt pothuajse në të gjithë Shqipërinë.
Një ndër inspiruesit kryesorë të këtij aktiviteti ishte Bashkim Driza, ish-punonjës i Ministrisë së Brendshme, i cili pas kthimit nga një vizitë nga jashtë fillon aktivitetin e tij në dy plane: në planin ekonomik dhe në atë politik. Në planin ekonomik këtë gjë ia beson Rrapush Xhaferrit, me të cilin ka dhe lidhje farefisnore. Rrapushi e nis aktivitetin e tij me anë të lojës “Fitorja”, lojë e cila është denoncuar që në atë kohë nga ana jonë. Pas kësaj fillon aktivitetin në të njëjtën mënyrë, por në vend të biletave përdorte mandant-arkëtime. Theksojmë gjithashtu që Rrapush Xhaferri s’kishte asnjë aktivitet privat prodhues. Ky fondacion ka filluar aktivitetin ligjërisht, në bazë të një vendimi të Gjykatës së Tiranës, më 7 shkurt 1996.
Duke shfrytëzuar statusin e këtij fondacioni, SHIK-u, duke konstatuar se qëllimi i krijimit të këtij fondacioni ishte i ndryshëm nga aktiviteti që ai kryente, e ka paditur rreth dy muaj më vonë në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar pavlefshmërinë e regjistrimit dhe shpërndarjes së këtij fondacioni. Ky gjyq pas dy javësh u fitua nga SHIK-u. Pastaj mund të keni lexuar në shtyp për sorollatjet që vazhduan, problem i cili në Gjykatën e Apelit shkoi në janar të këtij vitit.
Në planin politik Bashkim Driza krijoi Partinë Popullore Shqiptare, nënkryetar të së cilës emëroi Rrapush Xhaferrin. Aktiviteti politik i kësaj partie ka qenë i paligjshëm, pasi nuk ka qenë i regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë. Për këtë qëllim SHIK-u ka informuar ministrin e Drejtësisë të asaj periudhe, ministrin e Brendshëm dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Nga studimi që kemi bërë ne për Partinë Popullore, kjo parti nuk ishte gjë tjetër veçse ish-Partia Komuniste në ilegalitet me emër të ri.
Nuk është e rastit gjithashtu që drejtuesit kryesorë të këtyre fondacioneve ishin ish-oficerë të liruar të ushtrisë, të policisë dhe të Sigurimit të Shtetit. Mjafton t’u përmend disa emra konkretë:
Në fondacionin “Xhaferri”: Në Berat Nuri Manoku, ish-punonjës sigurimi; Vait Bajrami në Vlorë, ish-oficer ushtrie; Gramoz Radoni në Librazhd, ish-oficer ushtrie; Zija Lagji në Vlorë, ish-oficer ushtrie; Shpëtim Shullaku në Pogradec, ish-oficer ushtrie; Hysni Gjeka në Gramsh po kështu; Vasil Prifti në Librazhd po ashtu etj.
Në fondacionin “Populli”: Bardhyl Minxha në Kavajë, ish-oficer ushtrie; Skënder Veshi në Kavajë, ish-punonjës sigurimi; Hilmi Murati, ish-punonjës i Sigurimit në ushtri nga Fieri; Sherif Sherifi në Tepelenë, ish-oficer ushtrie; Muharrem Elezi në Gjirokastër, ish-oficer policie; Maksim Rexha në Lezhë, ish- oficer ushtrie; Sulejman Haklaj në Tropoji, ish-oficer sigurimi; Irakli Mitrushi në Korçë ish-oficer sigurimi; Adriatik Zeneii në Ersekë ish-oficer ushtrie; Andra Goxhe në Elbasan ish-oficer sigurimi e kështu me radhë.
Edhe firma “Gjallica”, që ka zhvilluar aktivitet rentier, me drejtuese Shemsie Kadrinë, në thelb drejtuesi real i saj ishte bashkëshorti i saj Gani Kadria, ish- punonjës i Sigurimit të Shtetit. Po kështu, punonjësi kryesor i kësaj firme është edhe Gjolekë Malaj, sot komandant shtabi në Tepelenë, ish-bodeguard pranë Partisë Socialiste, kushëri i parë i Gramoz Ruçit.
Si për këto firma, edhe për firma të tjera rentiere SHIK-u disponon mjaft dokumentacion, pasi ka ndjekur në dinamikë aktivitetin e tyre. Është për t’u habitur ose për të rënë në sy që aktiviteti i këtyre firmave deri në vitin 1996 ka qenë jo i madh , ndërsa në 6-mujorin e dytë të këtij viti mori përmasa galopante.
Falimentimi i këtyre firmave natyrisht që mund të çonte dhe çoi në krijimin e shumë problemeve sociale, me pasoja të rënda për vendin. Dihet që protesta në Vlorë filloi pikërisht me falimentimi e deklaruar të firmës “Gjallica”. Fillimisht kërkesat e këtyre qytetarëve ishin me karakter ekonomik, kërkonin kthimin e parave të humbura, por shumë shpejt këto kërkesa morën karakter politik.
Gjatë kësaj periudhe SHIK-u ka funksionuar normalisht, duke ndjekur situatën në rrethin e Vlorës. Në kryerjen e detyrës, e cila ka qenë në përputhje të plotë me ligjin, punonjësit e këtj organi në asnjë rast nuk kanë provokuar asnjë protestues ose qytetar. Këtë e deklaroj me përgjegjësi të plotë, duke hedhur poshtë thashethemet e ndryshme që janë përhapur gjithandej, qoftë nga punonjës të Sigurimit të Shtetit, qoftë dhe nga media të ndryshme. Inspirues të këtij dizinformacioni kanë qenë ish- punonjës te Sigurimit të Shtetit dhe persona të tjerë që kanë punuar për llogari të shërbimeve te huaja. Të ndihmuar edhe nga propaganda e disa stacioneve të medias elektronike apo edhe të shtypit, në Vlorë u dhunua dega e SHIK-ut të këtij rrethi, e paralajmëruar një ditë më parë nga Radio BBC dhe gazeta “Koha jonë” sikur gjoja punonjësit e SHIK-ut do të nxirrnin me force grevistët e urisë, lajm i cili s’kishte absolutisht asnjë gjë të vërtetë. Natyrisht, ishte pjesë e një plani të paracaktuar, i cili u realizua pikërisht të nesërmen e kësaj dite, më 28,2.1997, në orën 21.50. kur një grup personash të armatosur, me të gjithë arsenalin e armëve që disponon ushtria shqiptare, por e theksoj, përpara sesa të rrëmbeheshin armët në reparte, sulmuan degën e SHIK-ut, duke synuar të vrasin të gjithë punonjësit që ndodheshin aty. U gjet një pretekst sikur gjoja kishte shkuar një “Furgon” i SHIK-ut për të rrëmbyer grevistët, që është një sajim fund e krye i medias dhe i atyre që e kanë përpunuar atë media. Natyrisht është krejt logjike të mendosh se nuk mund të shkonte një “Furgon” me 5 veta për të nxjerrë grevistët që ruheshin të paktën nga 5 mijë njerëz rreth e përqark. E deklaroj me përgjegjësi të plotë dhe për këtë disponoj të gjitha faktet e nevojshme që kishte të paktën 3 ditë që punonjësit e SHIK-ut nuk dilnin fare nga godina dhe ushqimin e hanin aty brenda.
Pas shkatërrimit të degës së SHIK-ut, siç dihet, turma sulmoi repartet dhe bazat ushtarake të Vlorës, duke mos hasur asnjë lloj rezistence. Vala e sulmeve të reparteve ushtarake, sipas një plani të paracaktuar, përfshiu më pas Tepelenën, Delvinën, Sarandën, Gjirokastrën, Përmetin etj., me synim shtrirjen e saj deri në lumin Shkumbin. S’është e rastit që të nesërmen e ngjarjes së Vlorës, më datë 1.3.1997, në Himarë ngrihet flamuri grek nga Albert Shyti, i ardhur nga Greqia gjoja si përfaqësues i emigrantëve shqiptarë në Greqi, i cili vihet në krye të lëvizjes së protestuesve të Vlorës, duke e ndezur së tepërmi këtë lëvizje. Drejtuesit e kryengritjes së armatosur në Sarandë e Delvinë pothuajse i kanë shkëputur lidhjet me “shtetin shqiptar dhe po synojnë shpalljen e autonomisë për këtë zonë.
Në kohën që këto ngjarje po zhvilloheshin me shpejtësi, stacione të ndryshme televizive greke, duke ndërprerë programet e tyre, jepnin herë pas here lajme për zhvillimin e ngjarjeve në Vorio-Epir, siç thonin. Në kronikat e tyre gazetarët shpreheshin: “Luftëtarët vorioepirotë çliruan Vlorën, pastaj Tepelenën, Sarandën, Delvinën”. Pastaj njëkohësisht paralajmëronin se cilës krahinë apo rrethi i kishte ardhur radha “për t’u çliruar”.
Synimi i kësaj lëvizjeje gjatë kësaj periudhe, përveçse armatosjes së popullsisë, ishte dhe shkëputja e marrëdhënieve me pushtetin qendror në Shqipëri, shkatërrimi i vlerave historike e kombëtare, që vërtetonin identitetin kombëtar të shqiptarëve, dhe arritja në njëfarë mënyre e shkëputjes së Shqipërisë së Jugut. Natyrisht, shkatërrimi i vlerave kombëtare e historike u duk qartë në Muzeun Mesjetar në Korçë, me djegien dhe shkatërrimin e institucioneve që dispononin dokumente që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre. Janë djegur biblioteka, zyra kadastrale dhe mjaft dokumente me vlera historike e kombëtare.
Pas nxjerrjes jashtë funksionit të pushtetit lokal, u krijuan të ashtuquajtura komitete të shpëtimit. Në disa raste në krye të këtyre komiteteve apo të organizmave që merrnin në dorë ose përpiqeshin të zëvendësonin pushtetin legjitim lokal, janë vënë persona krejt të dyshimtë. Mjafton t’ju përmend se në krye të shoqatës së intelektualëve të Vlorës doli Petrit Stefa, i cili, në bazë të dokumentit që disponojmë ne, në datën 27.8.1992, në kohën kur ishte emigrant në Greqi, ka bërë ndryshimin e kombësisë nga shqiptare në greke nëpërmjet një certifikate të lëshuar nga sillogu vorioepirot i Korfuzit, ku thuhet se “deklarojmë që fshatrat Nartë dhe Zvërnec të Vlorës janë fshatra greke dhe mbi bazën e kësaj, Petraq Stefa, i lindur në Vlorë, ka origjinë dhe kombësi greke”. Nuk po hyj në hollësira për drejtuesit e këtyre komiteteve dhe shtabeve në rrethe të tjera të Shqipërisë, pasi ata tashmë janë të njohur qoftë për funksionet që kanë pasur në të kaluarën, qoftë për bindjet e tyre.
Burimet tona dëshmojnë se në Vlorë çdo ditë një numër i konsiderueshëm vetash, rreth 200 veta afërsisht, paguheshin sipas detyrave që merrnin për të nesërmen. Këto grupe, e përsëris edhe një herë, ishin të armatosur përpara se të grabiteshin armët nga depot e ushtrisë në Vlorë. Ato kishin për detyrë të krijonin terror tek punonjësit shtetërorë, në mënyrë që shteti të mos guxonte më të mbante strukturat e tyre në këto zona. Dhe nuk është e rastit që ato sulmuan e asgjësuan oficerë të SHIK-ut, që në Delvinë kanë djegur të gjallë një oficer policie dhe jemi të gjithë dëshmitarë për vrasjet sistematike të punonjësve të policisë në Vlorë edhe sot e kësaj dite.
Duke e mbyllur këtë diskutim, dua të theksoj se linja e grekoamerikanit Nikollas Geiç është përçuar në Shqipëri tek mjaft elementë ekstremistë të minoritetit dhe jo të minoritetit nga më shumë se një diplomat i huaj të një vendi jo të rajonit. Një nga këta diplomatë ka siguruar edhe fonde për gazetën “Koha jonë”, e ka manipuluar vazhdimisht këtë gazetë dhe përveç të tjerash, ka nxitur kryeredaktorin e kësaj gazete që të afishonte përqindjet e larta të fitimit të firmave rentiere dhe shpallte në këtë mënyrë garë midis tyre, që numri i personave që depozitonin në këto firma të bëhej sa më i madh.
Gjithashtu po një diplomat i huaj këtu në Shqipëri është bashkautor me atë që ka emrin në artikullin “Qeveri gangstere”, Endru Gambo, i gazetës “The indenpedell”, pra një diplomat në Shqipëri është bashkautor me Endru Gambon në artikullin e gazetës “The indenpedell”.. Dhe qëllimi i botimit të këtij artikulli në një situatë kur kishte mjaft pakënaqësi në Shqipëri, ishte për thellimin e destabilizimit të Shqipërisë. Ky person ka nxitur e organizuar edhe demonstrime të tjera antiqeveritare. Për shembull, në demonstratën e ditëve të fundit, para gjendjes së jashtëzakonshme, në sheshin para Universitetit, një drejtues i kësaj demonstrate lajmëronte me celular një ambasadë të huaj se demonstrimi filloi dhe gjithçka po shkon në rregull.
Duke e mbyllur fjalën time, ju them se gjendja në Shqipëri është e vështirë dhe është i cënuar integriteti tokësor i Shqipërisë. Pa pretenduar të jem më patriot se të tjerët, për më tepër që tani unë kam kërkuar edhe dorëheqjen nga detyra e kryetarit të SHIK-ut, kam besim se Shqipëria ka patriotë nga Jugu në Veri, të cilët duhet të angazhohen, që të mos lejojnë copëtimin e Shqipërisë. që të mos lejojnë ndarjen e Atdheut, sepse brezat që do të vijnë nuk do të na i falin kurrë.
Ju faleminderit.
(Vijon)

Te gjithve qe i kemi jetuar ato dite na kujtohet shume mire thirrjet e Skender Gjinushit Paskal Milo,Rexhep Mejdani,Neritan Cekaetj i benin thirrje popullit ne sheshin Ali Demi ne Tirane,Avni Rustemi ne Vlore per lufte civile me kto fjale:O DJEM RREMBENI PUSHKET JA VDEKJE JA LIRI.Ruci e Mustaqi organizuan hapjen e depove.
Gazeta “Koha Jone” shpetoi nga falimentimi me nderhyrjen e Sorosit i cili i dhuroi 400 mije dollar ne vitin 94.
Koha Jone dhe politikane te se majtes ne fillim sulmuan qeverine pse tentoi te mbyllte firmat piramidale me preteksin qe isjhin parate e popullit dhe populli mund te bente c’te donte me parate e tij.
Madje genjeshtra e lige ishte qe Berisha nuk kishte para ne buxhet dhe mori.parate e firmave te mbushte buxhetin !?!?!?!?
Mbas u mbyllen firmat dhe Qeveria ktheu 60% te parave nga Populli dhe 56 % nga Xhaferi ,opozita komuniste dhe Koha Jone filluan propaganden pse Berisha lejoi firmat.
Populli largpames dhe liridashes shqiptar nuk donte 56 % dhe 60 % ,shuma te cilat po shpernaheshin rregullisht ,por donte 100% e Fatos Nanos…..te cilin e mori komplet deri ne fyt.
Ta zgjas eshte e kote me idiotet socialiste e komuniste qe ,por asnje shqiptar qe i thote vetes shqoptar nuk e mohon dot qe Idiotizmi Kolektiv i vitit 97 ishte veper e Asfalias Greke me pjesen Sigurimse te Partise Socialiste.
Kjo se ben me pak pergjegjes Sali Berishen i cili ne menyre amatoreske dhe injorante zgjodhi te bente konflikt me SHBA.
Gazidede ka te zezat e tija, por per kete ka shume te drejte.
Ka shume te verteta ne ato qe thote Gazidede, ndersa baba Taku eshte njeriu me i papershtatshem per te komentuar ate.