Gazin apo Timoshenkon? Të drejtat apo bizneset miliardëshe?

anazapta

BE dhe SHBA akuzojnë Ukrainën për deficite në demokraci. Por… Presidenti ukrainas Janukoviç do të shkojë të hënën më 25 shkurt në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian që mbahet në Bruksel. Do të konfrontohet edhe një herë me çështjen si i trajton drejtësia ukrainase kundërshtarët politikë të qeverisë në pushtet? (ish-kryeministrja ukrainase Julia Timoschenko ndodhet ende në burg dhe dënimi i saj u kritikua ashpër në takimin e lartë BE- Ukrainë që u mbajt në dhjetor të 2012-ës). Me gjasa, jo. Këtë e la të kuptohet Komisari i BE-së për çështjet e zgjerimit Stefan Füle, gjatë vizitës së tij në Kiev në fillim të shkurtit.

Është një temë e re, për të cilën të dy palët duken shumë të interesuara: bëhet fjalë për nxjerrjen e gazit në Ukrainë. Në mënyrë që të zbutet varësia e Europës nga furnizimet e gazit rus, Ukraina kërkon që me ndihmën e firmave perëndimore të përdorë rezervat e veta të gazit dhe të mos shërbejë vetëm si pikë tranziti e gazit rus. Dhe BE, e cila e sheh më të lehtë me sa duket të merret me Kievin se me Moskën është e gatshme që të ndihmojë Ukrainën në modernizimin e gazsjellësit. Një projekt pilot është duke u zbatuar aktualisht me pjesëmarrjen e bankës Deutsche Bank dhe të Ferrostaal-it, ndërtuesit të impianteve – njofton media gjermane. Në janar të 2013-ës, Kievi nënshkroi një marrëveshje edhe me koncernin Shell. Po ashtu janë duke u bërë biseda për biznese miliardash me gjigandët amerikanë të energjisë, Exxon Mobil dhe Chevron. Komisari i BE-së, Günther Oettinger tha gjatë në Konferencën e Sigurisë që u mbajt në fillim të shkurtit në Mynih, se Ukraina do të eksportojë një ditë gaz për Evropë. Edhe pjesëmarrësit e tjerë të konferencës treguan entuziazëm. Emri “Timoshenko”, nuk u dëgjua më, të paktën në fjalimet publike. (D.W.)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *