Analistë, gazetarë dhe mendimtarë të mëdhenj, pëlqejnë të flasin për GDP-në. E thënë më thjesht, GDP, që mat vlerën e të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve të prodhuar nga një vend çdo vit, është shndërruar në një mjet me të cilin ne masim suksesin e një vendi. Por ka një problem shumë të madh, sepse GDP llogarit vetëm performancën ekonomike të një vendi, jo lumturinë, apo mirëqenien e qytetarëve të tij. Me GDP-në, mjafton që 100 njerëzit më të pasur të vendit të bëhen më të pasur, atëherë GDP rritet, por pjesa më e madhe e qytetarëve janë po aq keq sa ishin më parë.
Kjo është një nga arsyet që ekipi që Green drejton në “Social Progress Imperative” lançoi Indeksin e Progresit Social në vitin 2014. IPS përcakton çfarë do të thotë një shoqëri e mirë sipas tre dimensioneve: Nevojat bazë të njeriut (ushqime, uji, strehim dhe siguri), parimet e mirëqenies (edukimi bazë, qasja me informacionin, shëndeti dhe një mjedis i qëndrueshëm) dhe mundësitë ( të drejtat e njeriut, liria e zgjedhje dhe të zgjedhurit, mos diskriminimi dhe qasja me edukimin e lartë). Të gjithë këta 12 komponentë plotësojnë kornizën e Progresit Social.
Është interesante po jo shumë e habitshme që rezultatet e Indeksit 2015 janë mjaft të ngjashme me vitet e fundit. Në fakt Progresi Social është më i qëndrueshëm se GDP, pra Indeksi i Progresit Social nuk ka luhatje të mëdha nga viti në vit.
Sipas Indeksit të Progresit Social, Norvegjia kryeson listën këtë vit. Ky vend ka rezultate të jashtëzakonshme në të tri dimensionet. Norvegjia ka një GDP për frymë të lartë, falë bollëkut në burimet natyrore. Por jo gjithmonë ndodh kështu, sepse shumë vende me burime të pasura natyrore, si Kuvajti, apo Angola nuk i tregojnë përfitimet e pasurisë aq mirë dhe shfaqin një progres social të ulët në krahasim me GDP për frymë.
Një krahasim mes Zelandës së Re dhe Norvegjisë
Vendet mund të kenë nivele të njëjta të Progresit Social dhe nivele shumë të ndryshme të GDP-së për frymë. Zelanda e Re ka një Progres Social prej 87.08 pikësh, që afron me Norvegjinë që e ka 88.36, por GDP-ja e Zelandës së Re është sa gjysma e asaj të Norvegjisë: 32.808 dollarë kundër 62.448 dollarë. Zelanda e re është pak më mirë se Norvegjia në mundësi, në të drejtat e njeriut në veçanti dhe pak më keq në sigurinë personale dhe qëndrueshmërinë e ekosistemit.
Një krahasim mes Ganës dhe Nigerisë
Vendet gjithashtu mund të përjetojnë nivele të ndryshme të Progresit Social edhe nëse kanë nivele të njëjta të GDP-së për frymë. Gana është më mirë në Progresin Social (58.29) ndërsa Nigeria 43.31 pikë edhe pse Gana ka një GDP më të vogël 3.864 dollarë kundër 5.423.
Gana ia kalon Nigerisë në pothuajse çdo aspekt të Progresit Social, duke qenë shumë mirë sidomos në të drejtat e njeriut dhe në sigurimin qasjes në informacion dhe komunikim, edhe pse statusi ekonomik mund të ishte shumë më i fuqishëm. Ndërkohë që Nigeria është nën nivelin mesatar. Kjo do të thotë se burimet ekonomike nuk i kthen në GDP.
Vendet me arritje të larta
Disa vende kanë një performancë shumë më të mirë duke krahasuar me GDP për frymë. Kosta Rika është performuesja më e mirë duke treguar forcë në të gjitha dimensionet. Kosta Rika ka një arsim të fuqishëm, shëndetësi dhe mirëqenie si dhe një traditë të gjatë demokratike. Kjo do të thotë se progresi social është i vazhdueshëm.
Për disa vende performanca e lartë mund të jetë një shenjë e rënies së ekonomisë sesa e progresit. Performanca e lartë është e krahasueshme me GDP për frymë, dhe GDP ka tendencë të rritet dhe të bjerë shpejt, ndërsa SPI lëviz shumë ngadalë. Nëse një vend me GDP për frymë bie në mënyrë të shpejtë, ndërsa SPI kërkon më shumë kohë të bjerë, performanca e saj në krahasim me GDP për frymë mund të tregojë përmirësim. Vendet me rezultate të larta të ish Bashkimit Sovjetik janë një shembull i kësaj: Moldavia, Kirgistani dhe Taxhikistani nuk kanë një ecuri të mirë ekonomie në 20- 25 vitet e fundit, por treguesit e tyre janë më mirë se sa pritej për shkak të investimeve në shërbimet bazë të bëra në periudhën kur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Vendet me rezultate të ulëta
Vendet e prekura nga konfliktet janë nën nivel ashtu si dhe vendet me burime të pasura natyrore, por e njëjta gjë ndodh edhe me disa nga liderët industrial si SHBA-ja, Franca dhe Italia.
Pra, shoqëritë që përjashtojnë njerëzit janë më keq në Progresin Social, kjo është një nga arsyet pse SHBA renditet e 16-ta. SHBA ka shëndetësinë më të mirë në botë, por jo për të gjithë. Shihen përjashtme në edukim, informacion, siguri, në krahasim me vendet e tjera të pasura. Ndërkohë që Franca dhe Italia kanë një faktor të përbashkët të rëndësishëm që i penalizon: të dyja tregojnë dobësi në mundësitë, me pikë të ulëta në të drejtat e pronës, lirinë fetare dhe tolerancën ndaj komuniteteve. Kështu tabela e Italisë tregon nivele të fryra të korrupsionit ndërkohë që Franca tregon çështjen e diskriminimit ndaj minoriteteve. Të dyja janë relativisht të dobëta në arsimin e lartë.
Së fundi duket se ekonomitë në rrejte të shpejtë si Kina kanë një progres social të ulët. Kjo ndodh sepse pasuria e tyre nuk është përkthyer ende në të ardhura sociale, investime në edukim dhe shëndetësi.
Si po ecën bota?
Këtë vit “Social Progress Imperative” ka përpunuar Indeksin e Progresit Social në botë, duke marrë mesataren e popullsisë së ponderuar të të gjitha vendeve dhe u mblidhen ato së bashku duke marrë një rezultat prej 61 pikësh nga 100.
Në fushat e ushqyerjes, kujdesit mjekësor dhe qasjes në edukimin bazë bota arrin 85 pikë. Sipas Michael Green, bota mund të arrijë në nivelin e 100 pikëve për nevojat bazë të njeriut nëse ka rritje ekonomike dhe zbaton politikat e duhura. Por çështje të mëdha janë siguria personale, të drejtat e njeriut, liria, toleranca dhe përfshirja. Vendet dihet të bëjnë zgjedhje më të mira për përmirësimin e tyre. Disa vende kanë zgjedhur të mos i japin prioritet të drejtave të njeriut, që është pjesë e strategjisë së tyre të zhvillimit, të fokusohen në rritje dhe të ruajnë autoritarizmin.
Nëse mendojmë se çfarë po ndodh në botë me Shtetin Islamik, apo ekstremistët budistë në Mijanmar, pyetja se si do të jetojmë së bashku në shoqëri tolerante dhe përfshirëse është shumë e rëndësishme. Shpesh kjo shihet si një çështje e ndarë dhe jo si pjesë e zhvillimit.
Por më shqetësuese janë shëndeti, mirëqenia dhe qëndrueshmëria e ekosistemit, sepse sipas Green këto nuk përmirësohen me rritjen e pasurisë. Këto fusha nuk do të përmirësohen nëse njerëzimi nuk bën diçka ndryshme. “Është koha të bëjmë zgjidhje të reja”, thotë Michael Green.
Shqipëria
Shqipëria në këtë renditje zë vendin e 52-të duke marrë 68.19 pikë. Në dimensionin e nevojave bazë të njeriut, Shqipëria performon më mirë në drejtim të kujdesit bazë mjekësor dhe ka më shumë mundësi për t’u përmirësuar në sigurinë personale. Shqipëria merr pikë të larta në qasjen e edukimit bazë, por çalon në qëndrueshmërinë e ekosistemit. Në dimensionin e mundësive, Shqipëria është drejt përmirësimit në drejtim të të drejtave të njeriut.
