Mario Gëce bëri të heshtte turmën që e kishte vërshëllyer në stadiumin e Dortmundit, teksa shënoi vetëm dhjetë minuta pas hyrjes në fushë, duke hapur rrugën e një fitoreje të madhe për Bajernin. Skuadra e Pep Guardiolës mori tri pikë të merituara, por shifrat 3-0 ishin një ndëshkim i ekzagjeruar për Borusian. Takimi i dy të mëdhenjve të Bundesligës ofroi pak në pjesën e parë, ndërsa e dyta ishte shumë më emocionuese. Të dyja skuadrat i patën shanset e tyre, por takimi u zhbllokua në minutën e 66-të, kur Gëce shënoi një gol të shkëlqyer, me të jashtmen e këmbës së djathtë, 15 metra larg portës. 21-vjeçari nuk e prishi traditën e “ishëve” të mëdhenj, që kthehen e shënojnë gjithmonë kundër shokëve të mëparshëm dhe nuk festojnë para ish-tifozëve. Më pas, ishte Manuel Nojer që e ruajti në dy raste fitoren, përballë gjuajtjeve të Reus e Mkhitarian. Pesë minuta para fundit Roben del me një kundërsulm të shkëlqyer e shënon golin e dytë, i katërti kundër Dortmundit më 2013. Pak më vonë, Lahm pason te Myler që e fundos plotësisht Borusian, me golin e tretë. Skuadra e Klopit, e goditur nga dëmtimet, zbret në vendin e tretë, por më kryesorja është se tani e pret një ndeshje për jetë a vdekje kundër Napolit në Champions League, që mund të sjellë kthesën ose të shënojë dështimin e sezonit pa kaluar ende gjysma e tij. Bajerni qëndron katër pikë para Leverkusenit dhe e çon në 38 ndeshje rekordin e pathyeshmërisë në kampionat.
Kampionatet
Spanjë – Barcelona nuk e ndjeu mungesën e Leo Mesit, teksa fitoi 4-0 kundër Granadës. Dy golat e parë u shënuan me penallti, nga Iniesta e Fabregas, ndërsa Sançez e Pedro shënuan pas pushimit. Fitore e thellë edhe për Realin, 5-0 në Almeria, me Ronaldon që hapi serinë e golave. Pesë autorë të ndryshëm për madrilenët, ndërkohë që Sociedad përmbysi humbjen 1-3 duke fituar 4-3 kundër Celta Vigos.