Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve është në prag të debutimit të eliminatoreve për “Euro 2017” të kësaj grupmoshe, finalet e të cilës do të zhvillohen në Poloni. Sfida hapëse e kësaj fushate është ajo ndaj Lihtenshtejnit në transfertë të shtunën në orën 20:30. Trajneri Skënder Gega vlerëson shumë këtë 90 minutësh edhe pse në letër është një kundërshtar i lehtë në letër.
“Është ndeshje e rëndësishme, pavarësisht se konsiderohen si kundërshtar i lehtë. Ekipi më ka kënaqur deri tani edhe pse kemi patur probleme jo të vogla. Kemi mungesa të rëndësishme për arsye dokumentacioni por edhe dëmtimi. Megjithatë ekipi është mirë dhe po jep maksimumin. Shpresoj ta nisim mbarë këtë eliminatore”.
Tek futbollistët është parë dëshira për të marrë maksimumin teksa në deklaratat e tyre janë shprehur të bindur për një rezultat pozitiv. Gega ul dozat e euforisë dhe kërkon përqendrim në fushë ndaj kundërshtarit.
“Jemi munduar të eliminojmë euforinë. Të gjitha ndeshjet janë njëlloj. Kemi treguar në të shkuarën se gabojmë ndaj skuadrave të vogla dhe marrim maksimumin ndaj të mëdhave. Kemi parë kundërshtarin që duhet thënë se në ndeshjet e fundit nuk kanë marrë rezultate pozitive, por edhe ata shohin tek ne mundësinë për të dalë me sukses”.
Më pas vëmendja kthehet tek grupi i 4 i këtyre eliminatoreve, ku kuqezinjtë tanë kanë kundërshtarë me të vërtetë të rrezikshëm.
“Nuk duhet të bëjmë parashikime. Është një grup i fortë por do të luajmë me dinjitet. Është një mundësi për djemtë që të ekspozohen pasi skuadra shpresa është një nivel i lartë. Shpresoj të japin maksimumin”.
Ekipi i 21-vjeçarëve të Shqipërisë u nis të enjten pas mesditës drejt Lihtenshtejnit, aty ku do të kryejë dhe një seancë të fundit stërvitore, përpara sfidës së të shtunës.
