Në perceptimin tim mbi teatrin, muzikën e kinemanë, pesë minutat e para të një vepre, mund të mos jenë minutat më të rëndësishme, por artistikisht, në shumë raste, janë momentet më të kuruara. Skenaristët, regjisorët, kompozitorët apo edhe rokstarët, synojnë që në këto minuta të shokojnë publikun me majat e ekstravagancës apo virtuozitetit, për t’i joshur të ndjekin vazhdimin. Po marr si shembull operat, ku pjesët më të bukura janë overturat e aktit të parë; filmat, që shpesh fillojnë me lëvizje të sofistikuara kamerash; dhe mjaft koncerte rock, mes të cilëve më kujtohet “The Wall” i Roger Waters, ku momentet në fjalë i ngjajnë një sulmi ajror me fishekzjarre.
Për këtë arsye, stresohem jashtëzakonisht nëse humbas pesë minutat e para të një vepre në skenë, apo në kinema. Për fat të keq, pesë minutat e para të “E bardhë”, i humba duke vrapuar përmes “Parkut Rinia”, që të arrija në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Performanca e Alban Nimanit përfshinte video, muzikë dhe kërcim, prandaj supozova që pesë minutat e humbura duhej të ishin një humbje e konsiderueshme, por në momentin që mbërrita brenda sallës ku mbahej aktiviteti, takova një kolege, e cila po largohej e zhgënjyer e me dhimbje koke, pikërisht pas pesë minutash koncert.
Personalisht mendoj se Alban Nimani është nga muzikantët më interesantë dhe përparimtarë të Kosovës. Në vitin 2003 edhe unë jam impresionuar si shumë të tjerë nga ri-interpretimi i “Mendoja, çdo gjë merr fund pa ty” dhe nga këngët e tjera me grupin “Asgjë Sikur Dielli”. Si një adhurues i “Atoms for Peace”, më jep kënaqësi kur shoh një muzikant shqiptar, që përpiqet të ndjekë një stil të ngjashëm me ta. Këngët e “E Bardhë” janë në përgjithësi këngë të bukura, që do i dëgjoja me kënaqësi në një CD, apo me kufje, duke i dhënë biçikletës, por jo në një shfaqje gjysmake.
Duke mos dashur të hyj në diskutime se si duhet luajtur muzika elektronike në skenë, mund të them vetëm që akustika dhe fonia ishin nga më të këqijat që kam përjetuar ndonjëherë. Fjalët e këngëve ishin të padallueshme dhe madje, disa njerëz nga publiku mendonin se këngët kishin vetëm pasthirrma. Ishte vërtet e lodhshme të përqendroheshe për më gjatë se 3 këngë, e pastaj vinte natyrshëm dhembja e kokës, apo nevoja për t’u larguar nëpër cepat e sallës, e për të filluar biseda. Si rrjedhojë e këtij defekti, ambienti i ngjante një tregu, ku njerëzit kishin ardhur për të takuar njëri-tjetrin, e për të bashkëbiseduar.
Përpara disa ditësh, një bisedë në familje më kujtoi termin “Gënjeshtër e bardhë”. Kisha vite të tëra që nuk e përdorja, por në fëmijëri, gënjeshtra të bardha, quanim gënjeshtrat e bëra me synime që nuk dëmtonin viktimën. Surprizat, justifikimet për të na vënë në gjumë, historitë me përbindësha që rrëmbenin fëmijët pa oreks, ishin të gjitha gënjeshtra të bardha që të rriturit përdornin ndaj nesh.
Reklama për aktivitetin e Alban Nimanit në Galerinë Kombëtare të Arteve, m’u duk pikërisht një gënjeshtër e bardhë për
artdashësit e kryeqytetit.
Ftesa e eventit kërkonte që të instaloje një aplikacion për smart-phone, që të shihje se si nga një kod QR, me magji shfaqej përpara kameras një reklamë me lëvizje e “Albtelecom” dhe “Eagle Mobile”. Fenomeni quhet “Augmented Reality” dhe natyrisht, një risi e tillë në stampimin e ftesave premton shumë për vetë shfaqjen, por këtu filloi zhgënjimi: Në materialet promocionale, koncerti përshkruhej si një aleancë mes poezisë, muzikës, arkitekturës, baletit, videos, e teknologjisë. Një mrekulli! Në realitet, bëhej fjalë vetëm për një koncert me akustikë defektoze, me disa kuba të vegjël që paraqisnin imazhe dhe me një sajesë bezesh e skelash mbi shkallët dytësore të Galerisë së Arteve. Një balerin u shfaq për një kohë të shkurtër, diku mbrapa pëlhurave.
I gjithë sistemi teknik, skenografik e konceptual, ishte shumë larg një performance të mirëfilltë inter-mediale. Arti multimedial kërkon novacione teknologjike dhe punë artistike. Këtu mungonin të dyja. Së pari novacionet teknologjike: Video-Mapping nuk na impresionon dot me aq pak!
Të gjithë ata që eksplorojnë në drejtim të produksionit video, e dinë që projektimi gjeometrik mbi kuba është teknikisht ndër gjërat më të lehta për t’u realizuar. Vetëm gjatë vitit të fundit, projeksionet mbi kuba janë konsumuar në më shumë se 5 aktivitete argëtuese e kulturore në Tiranë. Asnjë risi këtu që të meritojë të ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nuk kam asgjë kundër video-mapping, por dua vetëm të theksoj që kjo teknikë, merr vlera artistike vetëm atëherë kur paraqet sfida gjeometrike, psh., fasada baroke, dhe kur përmbajtja e materialeve të projektuara ka synim krijimin e iluzioneve optike mbi formën, thellësinë dhe lëvizjen. Ata që e kanë të vështirë të më ndjekin, të përdorin youtube si referencë.
Përveç dështimit në sjelljen e risive teknologjike; stisja vizuale vinte me skandalin e imazheve të kopjuara në internet. Disa të shkëputura nga filma të piratuar, disa të marra nga burime të tjera, këto pamje filmike, mbushnin kubat e skenografisë. Për mendimin tim, është e ndëshkueshme dhe skandaloze që Galeria e Arteve të lejojë ekspozita të tilla në ambientet e saj. Toleranca ndaj imazheve të gatshme nga interneti është blasfemi dhe precedent i pashëndetshëm në dëm të të gjithë artistëve që përpiqen të jenë origjinalë dhe që procesi krijues u konsumon më shumë kohë e burime financiare.
E gjithë kjo revoltë ndaj një shfaqjeje të tillë, nuk më çon askund tjetër, përveç se tek pyetja: Përse tek Galeria e Arteve?!
Sallat e saj janë të pajisura me sistem ndriçimi të përshtatshëm për piktura, por kanë një organizim hapësinor që e bën të vështirë një shfaqje muzikore si në shikueshmëri, ashtu edhe në dëgjueshmëri. Salla ku u mbajt performanca kishte ende në mur tekstin: “Piktorët Shqiptarë 1700-1900”. Si u lejua të mbahej një ekspozitë videosh nga interneti?!
Ndoshta “E BARDHA” e Alban Nimanit do të kishte qenë një eksperiencë më e bukur nëse do të organizohej në ambientet e ndonjë klubi apo diskoteke. Së paku, fonia do të ishte e rregullt dhe publiku, me lirinë për të pirë një birrë ose dy, do ishte më i përfshirë në kërcim, përjetim muzike dhe natyrisht do ta neglizhonte pamjen e videove stok.
Me dhembje koke dola edhe unë në hollin e Galerisë Kombëtare të Arteve…Pak më shumë se pesë minuta përpara se shfaqja të mbaronte. Shpresoj së paku që dikush të më thotë që ato pesë minuta finale që kam humbur, kanë qenë ndryshimi.
