Dëgjova ne një kronike, si dhe shumë herë të tjera, kryeministrin të deklaroje që taksa progresive e propozuar nga PS është një kosto për biznesin. Asnjë gazetar apo ekspert ekonomie nuk del të sqarojë se kjo që thotë kryeministri si përherë është një broçkull dhe gënjeshtër.
Taksa progresive, siç është deklaruar nga programi i PS, lidhet me të ardhurat nga punësimi. Për ketë kategori të ardhurash është deklaruar nga PS se do të kalohet sërish siç ka qenë në taksimin progresiv, por jo atë të thjeshtë, por të shkallëzuar, pra do të kemi disa shkallë të ndarjes së të ardhurave dhe për secilën prej tyre do të aplikohet një normë në rritje tatimi (duke përdorur dhe një prag përjashtues për një kategori të ardhurash si të patatueshme).
Nisur nga kjo biznesi në këtë rast nuk ka asnjë kosto dhe unë me poshtë do ju jap shembuj ku duket qarte perse nuk ka kosto. Nëse një biznes ka dy punonjës, ku njërin e paguan 40 mijë lekë dhe tjetrin e paguan 140 mijë lekë, për biznesin kostoja për këta dy punonjës është 180 mijë lekë. Nëse do te kalohet ne tatimin progresiv, sërish paga e një punonjësi do të jetë 40 mijë lek dhe paga e të dytit do të jetë 140 mijë lekë, sërish kostoja e biznesit mbetet 180 mijë lekë. Pra, nuk ka asnjë kosto të shtuar në këtë rast për biznesin siç pretendon doktori kryeministër.
Ndërkohë, po të shohim tatimet që do të paguajnë individët, do të ndryshojnë. Aktualisht punonjësi i parë paguan 4 mijë lekë (40,000×10%) dhe punonjësi i dyte paguan 14 mijë lekë (140,000 x10%). Nëse do të kalojmë në tatimin progresiv siç propozohet – (duke qene se nuk janë deklaruar shkallëzimet, po përdorim disa shkalle te hamendësuara) – atëherë sipas aplikimit të kësaj takse do këtë një masë të ardhurash të përjashtuar nga taksat. Që varion. Psh. 0-15,000 lekë? Norma është 0%. Shkalla e dytë: nga 15,001-40,000 lekë? 10%. Shkalla e tretë nga 40,001-100,000 lekë? 20%. Dhe shkalla e fundit: Për të ardhurat mbi 100,000 lekë, 30%. Pra, shihet qartë se mbas njëfarë shume përsëri taksa progresive kthehet në të sheshtë ose të pandryshuar. Duke përdorur këto shkallëzime le të bëjmë serish llogaritë sesa tatim do të paguajë secili prej punonjësve.
Punonjësi i parë do të paguajë si më poshtë:
15,000×0% + 25,000×10%= 2,500 lekë
Punonjësi i dyte do të paguajë si më poshtë:
15,000×0% + 25,000×10% + 60,000 × 20% + 40,000 × 30% = 0+ 2,500 + 12,000 + 12,000 = 26,500 lekë
Pra, siç shihet punonjësi i parë paguan më pak në rastin e taksës progresive duke shtuar të ardhurat e tij për t’i përdorur për ushqimet e familjes, por jo për gjëra luksi pasi këto janë të ardhurat, ndërsa punonjësi i dytë nuk preket tek të ardhurat e tij për ushqime, por tek ato të luksit dhe kontribuon me tepër. Kjo është pak a shumë skema si funksionon ku duket qartë që nuk është biznesi që ka kosto shtesë, por është individi që ka të ardhura të larta që paguan më shumë. Në teorinë e taksave, shpenzime luksi quhen ato shpenzime që nuk janë të domosdoshme për jetesën, si p.sh shpenzime për parfume, për veshje të shtrenjta, për udhëtime, pushime etj. Shpresoj të kem qenë i qartë për të qartësuar gënjeshtrat e radhes së kryeministrit dhe të kem bërë të mundur nxitjen e gazetarëve për ta përballuar këtë gënjeshtar me gënjeshtrat e tij.
Shkëputur nga adresa: gazetatema.net