Familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit deklarojnë se e kanë jetuar me indinjatë të thellë të gjithë atmosferën që pararendi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe me dhimbje e mosbesim dispozitivin që përcaktoi dënimet e zbutura për fajtorët e tragjedisë që simbolizon momentin më korruptiv të shtetit.
Gjykata e Apelit sot ishte e rrethuar me mbi 100 efektivë të policisë të cilët patën vullnetin dhe kujdesin të na kontrollonin imtësisht përpara se të futeshim në sallën e gjyqit. Kontrolli ishte i rreptë dhe serioz por ndaj personave të gabuar, viktimat e vërteta të kësaj ngjarje të kobshme. Viktimat e vërteta pasi kaluan kontrollin serioz e një shteti që nuk egziston nuk mundën të dëgjonin vendimin e gjykatës në kushtet normale për shkak se ngelën jashtë dyerve të sallës ku u mor ky vendim.
Situata vazhdoi të ishte jonormale për gjatë gjithë kohës që kryetari i Gjykatës së Apelit dhe Kryesuesi i trupës gjykuese lexonte dispozitivin e vendimit. Më pas, pavarësisht si ishim prezent morrëm vesh nga mediat se fajtorët e këtij shpërthimi ishin shpërblyer me ulje të dënimeve deri në masën 30 % .
Pamundësia për të patur drejtësi na bën që ti drejtohemi opinionit publik duke e lajmëruar për rrezikun e vërtetë për ta, fëmijët e tyre dhe njerëzit më të dashur. Fakt është që korrupsioni shtetëror dhe privat na vrau në mes të ditës. Fakt është që drejtësia shqiptare krijoi çdo kusht që fajtorët të mos merrnin dënimin e merituar. Fakt është gjithashtu që ende opinioni publik ka dilemën nëse fajtorët megjithëse të dënuar në masë qesharake do ti drejtohen ose jo qelive të burgut. Është e dhimbshme që pas 5 vjetësh rropatjesh në dyert e drejtësisë kemi zbuluar vetëm se jeta vlen shumë pak për viktimat dhe është biznes shumë i mirë për të ashtëquajturin sistem të drejtësisë shqiptare.
******
“Gërdeci”, Apeli ul dënimin për të akuzuarit kryesorë
Vetëm një muaj nga 5 vjetori i tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec, Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për 29 të pandehurit. Kështu trupa gjykuese e përbërë nga Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri kanë dënuar me tre vjet burg Besnik Dautin dhe 15 vjet burg Ylli Pinarin, ndërsa Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit i ulet masa e dënimit me 1/3 nga 10 dhe 18 vjet burg që ishin dënuar.
Ndërkaq apeli ka vendosur po ashtu sekuestrimin e pasurive të Deliorgjit, ndërsa ka rrëzuar vendimin për pafajësi për Rezart Tërshanen duke e dënuar atë me 1 vit burg dhe per Zija Bajen per te cilin janë dhëne tre vite burg.
Po kështu është shpallur i pafajshëm Shpëtim Spahiu, përkundrejt 4 viteve dënim që kishte marrë nga shkalla e parë.Ndërkaq për 22 të akuzuarit e tjerë apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë të Tiranës.
Vendimi i shpallur sot është i formës së prerë, çka do të thotë që është i ekzekutueshëm menjëherë pas shpalljes.
Të pranishëm në seancë përveç medias ishin edhe familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, të cilët e kanë ndjekur proçesin si në Shkallën e Parë ashtu edhe në Apel, si dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve. Menjëherë pas pretencës, familjarët të indinjuar edhe nga apeli e kanë cilësuar të turpshëm vendimin për të akuzuarit.
Shqyrtimi i dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Apelit nisi më 31 tetor të vitit 2012. Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës. Sipas prokurorëve të Apelit, të akuzuarit Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji, Sokol Ngjeçi dhe shoqëria “Albademil” sh.p.k. kanë konsumuar veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”.
Ndërkaq më 12 mars 2012 Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin për 29 të akuzuarit e çështjes së “Gërdecit”, duke dënuar me 18 vjet burg ish-kreun e kompanisë MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli dhe me 10 vjet burg ish- administratorin shqiptar të “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgjin.
Më 15 mars 2008 shpërthimi në një fabrikë të çmontimit të municioneve në Gërdec shkaktoi 26 të vrarë, rreth 300 të plagosur dhe dëmtimin e dhjetra shtëpive.
keto jane bere turpi i botes > Ne Shqiperi me mire te vrasesh se sa te rrosh ne paqe se te del me mire sipas teorise se Berishe drejtesise