“Përshëndetje, Qania, postierja”! Kjo është fjalia e parë që thotë sapo hyn në një derë që i hapet. Këtë herë kemi shkuar ne tek ajo, për të na folur për profesionin të cilin e ushtron prej 38 vitesh e gjysmë. Të bësh sot në Tiranë punën e postierit duhet të kesh nerva të forta. Ky sistem kaotik adresash ta bën profesionin të vështirë, duhet të bësh rolin e njeriut merimangë për t’u futur gjithë andej në kthinat ku janë zhvilluar lagje të ndryshme të kryeqytetit. Tanimë postieri nuk vjen të të sjellë një telegram, por vjen të të sjellë një njoftim se në postë të ka ardhur një pako nga jashtë që mund të jetë diçka që e ka dërguar dikush apo një blerje që është bërë on-line.
Jo pa qëllim kemi shkuar sot te zonja Qanie, data 9 tetor është Dita Botërore e Shërbimit Postar. Një vit më parë ajo është shpallur nga Posta Shqiptare si punonjëse e dalluar. E ka filluar këtë profesion në vitin 1976, edhe pse në prag pensioni, i vjen keq që vitet e saj të punës janë drejt fundit.
Mëngjeset janë të njëjta për të. Vesh këmishën e verdhë, që është uniforma e përditshme dhe në orën 07:30 del nga shtëpia për në postë, ku merr letrat dhe fillon t’i shpërndajë në rrugën “Sulejman Pasha”, “Mine Peza” dhe “Haxhi Dalliu”. Kjo është harta e saj dhe kjo është zona që Qania e njeh në pëllëmbë të dorës. Madje nuk ka nevojë fare për adresë, ajo i di hyrjet e shtëpive me sy mbyllur. I njeh banorët e zonës, njeh lidhjet e tyre farefisnore, krushqit dhe llojin e letrave që marrin më shpesh.
Punën si postiere e ka nisur në Poliçan, ndërsa në Tiranë ka ardhur në vitin 2001. Fillimisht për të ka qenë e vështirë sepse nuk e njihte kryeqytetin, kujton që aq shumë të vështirë e ka patur, sa shpesh edhe qante, tregon se ka dashur ta braktisë si punë, por tani ka mësuar çdo qoshe të lagjeve që mbulon.
“Çdo punë në fillim është e vështirë, e lodhshme. Puna e postierit do durim gjakftohtësi, dashamirësi me njerëzit. Vetëm kështu mund të fitosh besimin dhe respektin e tyre”, thotë Qanie Kurti e cila është 57 vjeçe. Rrëfen se nuk lodhet edhe pse ngjitet e zbret në shkallët e pallateve disa herë në ditë. Madje, kjo punë e mban në formë të mirë fizike, aq sa kur kujton se shumë shpejt do të dal në pension, mbyll dhe shtrëngon qepallat e syve gjithë dhimbje. Ç’do të bëj unë atëherë, pyet duke ngritur supet.
Puna e përditshme nuk e lodh. Ajo merr nga energjia pozitive që i japin njerëzit, nga kënaqësia që marrin banorët kur ajo u çon postën. “Në momentin që trokas në portë dhe më përgjigjen me mirënjohje e respekt, të lumtur që posta ka ardhur në kohë dhe më falënderojnë, nuk e ndiej fare lodhjen”, shprehet postierja.
Kur komunikon me njerëzit dhe i ndihmon duke u dërguar letrat në kohë, dhe vetëm kur i shpërndan të gjitha letrat që ka mund të flejë e qetë. “Bëj të pamundurën që të shpërndaj të gjithë postën, qëndroj deri vonë kur nuk arrij t’i shpërndaj në kohë. Për mua puna mbaron kur shpërndaj të gjitha letrat. Nuk e di se çfarë kanë ato në brendësi por di që për familjarët janë shumë të rëndësishme”. Posta e ka pajisur me telefon. Numrin e saj e kanë të gjithë ata qytetarë që janë marrës të shpeshtë të postës dhe nëse janë duke pritur diçka, e pyesin Qanien në telefon. Madje, kur ajo troket në derë dhe nuk gjen njeri në shtëpi, lë poshtë derës një numër telefoni dhe banorët e marrin sapo mbërrijnë në banesë. Që do të thotë, shumë punë Qania i zgjidh në bazë të dashamirësisë, dëshirës që ka për ta çuar këtë punë deri në fund pavarësisht pengesave që has.
Tregon se letrat janë si për gëzime ashtu edhe për hidhërime, por edhe të tjera të rëndësishme si thirrjet për në gjyq. “E kam me merak sidomos kur janë nga jashtë vendit si nga burgjet në Itali, Greqi apo vende të tjera”. Lumturinë më të madhe njerëzit e marrin nga ajo kur u çon letra që kanë fituar lotarinë apo që kanë marrë tapinë e shtëpisë. Këto janë dy gëzimet më të mëdha të familjeve shqiptare ku është prezente edhe postierja.
E konsideron punën me shumë përgjegjësi. “Postieri është i besuari i popullit dhe këtë nuk duhet ta harrojë asnjëherë”. Është shumë e kujdesshme dhe gjithmonë në çantë mban qese sepse në rast se bie shi, i mbulon letrat që të mos lagen. Ditët e saj shpesh herë janë të gjata sidomos kur ka për të shpërndarë edhe faturat e telefonit. “Të punosh me klientë është sa bukur, aq dhe vështirë. Ka nga ata që të urojnë me gjithë shpirt, por ka dhe nga ata, të cilët duke pritur letrën e shumëpritur të përplasin edhe derën e shtëpisë, të indinjuar nga fakti që letra e tyre po vonon, pa ditur shkakun e vërtetë të kësaj vonese…”
Kjo grua simpatike, bionde me sy blu, ka marrë tri herë vlerësime nga Posta Shqiptare për punën shembullore që kryen. Kurti është mësuar me këtë profesion dhe nuk mund ta shikojë veten në një punë tjetër, pasi është ambientuar shumë mirë me të dhe me njerëzit, me të cilët bashkëpunon, si me klientët ashtu dhe me kolegët në punë. Në përgjithësi është natyrë e qeshur dhe kjo e ndihmon shumë në profesionin e saj, pasi të gjithë klientët kanë nevojë dhe për një fjalë të mirë, përveçse për një lajm të mirë të shumëpritur.
Qania thotë se është shumë e lumtur me profesionin e saj, e ka nisur aq herët sa, tanimë, nuk i shkon ndër mend se çfarë pune tjetër mund bënte.
“Më vjen shumë keq vetëm për një gjë, vitet po kalojnë e pensioni po afron dhe do më duhet të largohem por do të kthehem gjithmonë për të takuar miqtë e mi postierë dhe për të kujtuar kohët kur isha pjesë e Postës Shqiptare”, mbyll rrëfimin e saj postierja 57-vjeçare.
Jeta
Qanie Kurti prej 14 vitesh jeton në Tiranë. Është e martuar dhe ka tre fëmijë. Prej vitit 1976 e deri më sot punon në postë, fillimisht ka punuar si centraliste, më pas përgjegjëse dhe që në vitin 2000 e deri tani postiere në kryeqytet. Thotë se e njeh mirë këtë punë dhe të gjitha pozicionet e saj, prandaj nuk dëshiron të shkëputet asnjëherë. Në rrugën e profesionit të vet, Qania ka gjetur edhe bukuri të tjera të jetës, që flenë brenda shpirtit të saj, të paprekura nga koha ku ne jetojmë: martesa, burri, fëmijët, nipër e mbesa… Kur kthehet në shtëpi, është e lodhur por edhe e lumtur sepse e presin tek porta mbesat e saj. “Jam shumë e lumtur, mbesat janë shumë të rëndësishme për mua dhe kaloj gjithë kohën e lirë pranë tyre”.

ti moj moter….. je per gines,,,38 vjet pa te hequr nga puna. aleluja………………..
Populli i thjeshtë në faqet e Dita-s, i jep gazetës frymëmarrjen qé mungon nga smogu politik ? VR !!! @ @ @ Një shkrim i bukur i Entelës për njerëzit e thjeshtë? Entela i trajton mjeshtërisht dhe me dashuri të madhe këto tema dhe personazhet e tyre. Nëpërmjet virtuozitetit të Entelës fillon të ndjesh dashuri për njerëz si Qanie Kurti. Ndoshta “madhështia e thjeshtësisë” ka diçka magjike brënda saj? Por ndoshta edhe sepse u mërzitëm e neveritëm me shkrimet për politikanë,hajdutë,vrasës,kriminelë,gjyqtarë,prokurorë ,shpellarë e gomarë, të cilët nuk kanë asnjë molekulë nga “madheshtia dhe magjikja e thjeshtësisë”!? Ju lumtë pena e mëndja Entela Resuli! Na ngrohe me këtë shkrim pas ftohjes që ndjejmë nga personazhet e përditshëm ku mbizotëron ngjyra e zezë e karakterit dhe e moralit!? Qania është mishërim i virtyteve të popullit që speciet me karakter të zi duan ti vdesin dhe t’i mënjanojnë nga jeta jonë? Por Qania është populli? Populli nuk shmanget e tjetërsohet kurrë? Nderime “Dita-s” që sjell frymën e heronjve të heshtur të popullit si Qania në faqet e saj! Tung!
Uaa nje profesion i veshtire ne shqiperi. Bravo per durimin. Personazh mjaft interesant
Një shkrim i bukur i Entelës për njerëzit e thjeshtë? Entela i trajton mjeshtërisht dhe me dashuri të madhe këto tema dhe personazhet e tyre. Nëpërmjet virtuozitetit të Entelës fillon të ndjesh dashuri për njerëz si Qanie Kurti. Ndoshta “madhështia e thjeshtësisë” ka diçka magjike brënda saj? Por ndoshta edhe sepse u mërzitëm e neveritëm me shkrimet për politikanë,hajdutë,vrasës,kriminelë,gjyqtarë,prokurorë ,shpellarë e gomarë, të cilët nuk kanë asnjë molekulë nga “madheshtia dhe magjikja e thjeshtësisë”!? Ju lumtë pena e mëndja Entela Resuli! Na ngrohe me këtë shkrim pas ftohjes që ndjejmë nga personazhet e përditshëm ku mbizotëron ngjyra e zezë e karakterit dhe e moralit!? Qania është mishërim i virtyteve të popullit që speciet me karakter të zi duan ti vdesin dhe t’i mënjanojnë nga jeta jonë? Por Qania është populli? Populli nuk shmanget e tjetërsohet kurrë? Nderime “Dita-s” që sjell frymën e heronjve të heshtur të popullit si Qania në faqet e saj! Tung!
Populli i thjeshtë në faqet e Dita-s, i jep gazetës frymëmarrjen qé mungon nga smogu politik ? VR !!! @ @ @ Një shkrim i bukur i Entelës për njerëzit e thjeshtë? Entela i trajton mjeshtërisht dhe me dashuri të madhe këto tema dhe personazhet e tyre. Nëpërmjet virtuozitetit të Entelës fillon të ndjesh dashuri për njerëz si Qanie Kurti. Ndoshta “madhështia e thjeshtësisë” ka diçka magjike brënda saj? Por ndoshta edhe sepse u mërzitëm e neveritëm me shkrimet për politikanë,hajdutë,vrasës,kriminelë,gjyqtarë,prokurorë ,shpellarë e gomarë, të cilët nuk kanë asnjë molekulë nga “madheshtia dhe magjikja e thjeshtësisë”!? Ju lumtë pena e mëndja Entela Resuli! Na ngrohe me këtë shkrim pas ftohjes që ndjejmë nga personazhet e përditshëm ku mbizotëron ngjyra e zezë e karakterit dhe e moralit!? Qania është mishërim i virtyteve të popullit që speciet me karakter të zi duan ti vdesin dhe t’i mënjanojnë nga jeta jonë? Por Qania është populli? Populli nuk shmanget e tjetërsohet kurrë? Nderime “Dita-s” që sjell frymën e heronjve të heshtur të popullit si Qania në faqet e saj! Tung!