Kush më mirë se një brazilian mund të vinte qershinë mbi tortë në një atmosferë spektakolare në derbin e kryeqytetit të Shqipërisë? Gilberto Fortunato shënoi një gol të denjë për futbollin e vendit nga vjen, me roveshatë pas krosimit nga këndi, duke i dhënë fitoren Tiranës përballë Partizanit, në një takim që u luajt kryesisht në një kah. Stadiumi “Qemal Stafa” mbajti mbi shpatulla mijëra tifozë të të dyja skuadrave, të cilat në fushë luftuan, por shumë pak prodhuan, sidomos Partizani. Bardheblutë e Gugash Maganit fituan me meritë, falë këmbënguljes për 90 minuta, por tabloja e ndeshjes u zbukurua më tepër nga sa duhet nga dekori i tifozëve dhe goli i shënuar me roveshatë. Agresiviteti i bardhebluve ishte arma fituese, sepse ngulmuan vazhdimisht, duke fituar betejat në mesfushë, por në sulm lanë për të dëshiruar po aq sa Partizani. Sigurisht që e vetmja gjë me rëndësi në këtë takim ishte fitorja dhe Tirana u përpoq, por raste të mira pati vetëm dy: Një goditje të Kalarit me të majtën pak minuta pas pushimit, pritur nga Hoxha, dhe gjuajtjen me kokë të Ndikumanës, grushtuar shkëlqyeshëm nga portieri i kuq në goditje nga këndi, prej nga erdhi më pas goli i fitores. Sulmet e Tiranës nuk munguan, vetëm se pasimi i final ishte pothuajse gjithmonë i pasaktë. Morina ishte tepër aktiv në krahun e djathtë, por kurrë nuk mundi të jepte topin e duhur për shokët e tij. Nga ana tjetër, Partizani nuk krijoi as edhe një rast të vetëm, gjë që nuk i shkon kurrsesi për shtat një skuadre që pretendon titullin. Skuadra e kuqe gaboi shumë në pasime dhe pati vështirë të mëdha në daljet përpara. Shpeshherë lojtarët e Partizanit i ndërlikonin gjërat me pasime të gabuar kur ishin në gjysmëfushën e tyre, çka i jepte mundësi Tiranës të dilte menjëherë në sulm. Sigurisht që në një ndeshje derbi humbja, aq më tepër minimale, është e pranueshme, por i habitshëm ishte reagimi i vakët i Partizanit pas pësimit të golit. Të kuqtë nuk kishin fuqi t’i afroheshin portës bardheblu, ndërsa fituesit dolën disa herë bukur me kundërsulm, por gjithmonë me pasimin final të gabuar. Sidoqoftë, përfundoi mirë për Tiranën, pasi goli i Gilbertos mbeti në fuqi. Bardheblutë mund të festojnë, por vetëm për pak. Janë ende në fundit dhe mbijetesa vazhdon të jetë malore për ta, me gjithë entuziazmin e rigjetur mbrëmë në “Qemal Stafa”.
Homazh
Para fillimit të ndeshjes së djeshme, në stadiumin “Qemal Stafa” u mbajt një minutë heshtje në nderim të këngëtares së paharruar Vaçe Zela
Kartonët
Derbi i mbrëmshëm pati disa ndërhyrje të forta, megjithatë nuk ishte i dhunshëm. Skuadrat respektuan njëra-tjetrën, ndërkohë që gjyqtari Emirion Sino i mbajti të gjithë nën kontroll me tetë kartonë të verdhë, pesë nga të cilët për Tiranën. Për t’u theksuar është se kartoni i parë u mor në minutën e 51-të, nga Alban Hoxha, për protesta.
Zjarrfikësja
Në stadiume është e detyrueshme prania e një zjarrfikëseje dhe një autoambulance, por deri dje nuk kishte ndodhur që e para të hynte në punë. Ndodhi për “meritë” të një grupi tifozësh të Partizanit, të cilët ndezën një zjarr në shkallët e sipërme të tribunës.
0
Është shifra e golave të shënuar nga Partizani në dy ndeshjet e para të vitit 2014. Të kuqtë kanë shënuar për herë të fundit më 15 dhjetor, në fitoren 3-1 kundër Besës, ndërsa në tri takimet pasardhës nuk e kanë tundur rrjetën. Tirana nuk shënonte prej një periudhe edhe më të gjatë, nga 7 dhjetori, në barazimin 1-1 me Vllazninë.
Kategoria Superiore
Java e 18-të
Dje
TIRANA-PARTIZANI 1-0
Gilberto 76’
Sot
VLLAZNIA-TEUTA 14:00
FLAMURTARI-BESA 14:00
LUSHNJA-KASTRIOTI 14:00
Nesër
LAÇI-SKËNDERBEU 13:00
KUKËSI-BYLIS 13:00
Renditja
N Skuadra P Gol F B H
1 Skënderbeu 36 25:12 11 3 3
2 Partizani 27 16:14 8 3 7
3 Teuta 27 26:22 7 6 4
4 Laçi 26 19:16 8 2 7
5 Kukësi 26 17:16 7 5 5
6 Flamurtari* 25 20:16 8 4 5
7 Bylis 22 19:16 5 7 5
8 Besa 22 17:17 6 4 6
9 Vllaznia 21 22:22 6 3 8
10 Lushnja 18 16:26 5 3 9
11 Kastrioti 17 10:17 5 2 10
12 Tirana 16 7:17 4 4 10
* Flamurtari -3 pikë
