Gilman Lika shtyn firmën me ekipin e Tiranës

redaktor

Duhej të kishte firmosur ditën e djeshme, më pas të ishte prezantuar tek ekipi i Tiranës, por nuk ka ndodhur kështu me mesfushorin shkodran, Gilman Lika. Lojtari që vetëm dy ditë më parë u “divorcua” zyrtarisht me Vllazninë është ende një futbollist i lirë dhe pa kontratë, sepse nuk ka firmosur me asnjë ekip tjetër.

Ai ka arritur një akord paraprak, që ka të bëjë edhe me pagesën në masën 70-80 % të borxhit të kaluar nga Tirana, por duket se mosshlyerja ka bërë që të shtyhet edhe hedhja e firmës në kontratë. Megjithatë, i kontaktuar nga “telesport.al”, Lika nuk do ta konsideronte këtë gjë si arsyen e shtyrjes së hedhjes së firmës me bardheblutë, duke bërë të ditur se ka vendosur që t’i kushtojë vetes dhe familjes pak relaks këtë fundjavë jashtë kufirit shqiptar.

“Është e vërtetë se e kishim lënë të firmosnim ditën e enjte, por për disa arsye kjo nuk ndodhi. Unë aktualisht ndodhem në Mal të Zi bashkë me familjen, të cilës vendosa t’i kushtoj pak kohë, ngaqë tashmë do të nisë periudha e grumbullimeve dhe nuk do të kem më mundësi për të qëndruar me të. Sa për firmosjen e kontratës, do të pres thirrjen e drejtuesve të Tiranës. Ajo mund të vijë nga e hëna”, ka thënë mesfushori shkodran.

Gjithsesi, Gilmani akoma vazhdon të jetë një futbollist i lirë dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë kontakt me ekipe të tjera. Madje, pse jo, edhe ndryshim kursi. Kuptohet që preferencat janë për jashtë vendit dhe 28-vjeçari ditët e fundit ka marrë disa sinjale të tilla nga ekipe të ndryshme, megjithatë kjo mbetet për t’u saktësuar në vijim. Nëse Tirana nuk shpejton, Lika mund të ndryshojë adresë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *