Letër e nënshkruar,
Vasil Puci
Kam përpara një fotografi të SHQUP-it ku grupi parlamentar i PD-së çon dy gishtat lart. Figura “të ndritura, që fituan” në votimin e ligjit për drejtësi. Fotografi e çmuar alegorike për ekspozita qesharake që do t’i komentojnë brezat. Më bëri përshtypje deputeti i PD-së, Kastriot Islami. Dy gishtat mezi i kishte ngritur, nuk ishin as lart, as poshtë, tamam si pirun për qofte. Do të thotë lexuesi, ç’keni ju me Islamin? Kam ore kam! Se K. Islami përfaqëson tipin më negativ të individit gjithëpërfshirës shqiptar.
Ja t’i lutem Konicës për këtë: “Një e metë që zakonisht nuk gjendet në karakterin e shqiptarit, është provokimi.”
Ka pasur tip ngacmimi të përbuzur i cili kishte kënaqësi të provokonte… Këtë bën deputet K. Islami në fotografi. Ai që donte t’u thyente kafkat demokratëve, tani i përshëndet. Po pse e bën Kastrioti këtë veprim? Ja t’i përgjërohem Nolit të na lecitë dy fjalë për Kastriot Islamin: “Ideali i shqiptarit ka qenë ylyfeja.”
Ky komb për virtytet e të cilit është çuditur tërë bota, i ka shitur virtytet e tij te rroga… Pasi hëngri 10 vjet qyl te PS-ja, tani ha qyl te PD-ja me gishtat në qofte!
Po t’i kërkojmë lutje Mit’hat Frashërit, ç’thotë për Kastriot Islamin? “Mjerisht gjejmë shpeshherë te shqiptari edhe një kotësi të marrë: fryhet si miseroku me erë dhe në rruzullim nuk sheh veç se veten e tij… Kotësia, sëmundja më e përhapur në djemtë shqiptar.”
Aq kot jeton ai, sa mërziti veten dhe askush s’e do, u bë si limon për supë. Nuk u lutem idealistëve dhe rilindasve për deputetin Islami. Por për fotografinë do të kisha dëshirë që pranë deputetit të “ndritur konstitucionalist” të ndodhej Birçe Hasko, aktor i nderuar. Ç’të thoshte? “Më lart, Kastriot, më lart, lart, më lart (ashtu si i tha Pavlina Manit). Ju flet Tirana-aa-a-a.”
Të rinjtë e talentuar në politikë e diplomaci që do vinë, do t’i studiojnë me rrënjë tipat e gishtave që të nxjerrin sytë. Rasti i K. Islamit në shkallët e SHQUP-it, se në politikë ka jetuar edhe Rasputini Shqiptar.
