Ekstradohet nga Italia Jetmir Llani, 34 vjeç, nga Kurbini. Llani rezultonte i kërkuar për vrasje prej disa muajsh. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 4 nëntor 2012 në Mamurras, ku mbeti i vrarë shtetasi Gentjan Shkreta dhe u plagos vëllai i tij, Aurel Shkreta.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka caktuar ndaj Llanit masën e sigurisë “Arrest në burg“, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim“ , e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtjes pa leje.
Familjet Llani dhe Shkreta u përfshinë në një zinxhir hakmarrjesh, që e patën zanafillën në një zënkë të rastit të Llanëve me nipin e Shkretajve, të cilit i dhanë një shuplakë duke e akuzuar për një vjedhje në dyqanin e miqve të Llanëve. Por të nesërmen, konflikti degjeneroi në tragjedi, pasi në një pritë ngritur Muharrem Llanit, u vra nipi i tij 9 vjeç.
Kjo shënoi edhe fillimin e gjakmarrjeve zinxhir, që deri tani kanë lënë pas 3 të vrarë dhe 2 të plagosur.