“Gjaku i Arbrit”, shfaqja e njohur e autorit Fadil Kraja, do të vijë premierë sot në ora 19.00 në skenën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit nga trupa e aktorëve të rinjve të Gjakovës. Drama e bazuar në besën e Konstandinit, vjen si bashkëpunim me të rinjtë e Gjakovës dhe Teatrit të Metropolit, për të shpërfaqur talentet e reja, në kuadër të sloganit, “Një komb, një kulturë, një gjuhë”, shkruan ‘Shqip’. Vepra është e ndarë në katër akte, ku secili akt është një dramë më vete. “Akti i parë tregon atmosferën e një dasme, ku papritur kryeplaku i fisit, jep lajmin se kanë vrarë pesë djemtë e Nënës së Madhe. Dhëndri që mori Rinën, u betua se do të dilte në ndihmë të Arbrit për çdo gjë. Akti i dytë, ndërtohet në shtëpinë e dhëndrit, ku plaku i fisit kërkon ndihmë, për djemtë e vrarë. Akti i tretë shpërfaqet në burg, ku Pali është i zënë rob nga Mbreti Blu, pasi vajza e tij është dashuruar me Palin, ndërsa akti i katërt sjell mesazhin e veprës. Pali kthehet, besa mbahet. Besa e dhënë është mesazhi i të gjithë dramës”, shpjegon regjisori Besfort Berberi. Sipas tij, përzgjedhja e kësaj vepre është bërë për të vetmen arsye; “Ne shqiptarët, kemi harruar traditat tona dhe kemi huazuar shumë tradita nga Europa, të cilat më shumë po na dëmtojnë shpirtin tonë, popullin tonë. Qëllimi im, që kam përzgjedhur këtë shfaqje është të influencojë disi te rinia shqiptare, që ajo t’i ndjekë sadopak traditat tona dhe ne do të jemi më të suksesshëm”, tregon ai. Vepra vjen në stilin mitik, me një skenografi të thjeshtë, e mbajtur në simbol dhe zgjat 80 minuta.
