Zyrtarët pritet të dalin para një trupi gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ku do të gjykohen për shpërdorimin e detyrës zyrtare ose të autorizimit në bashkëveprim.
Një gjykatës konfirmimi ka gjetur se aktakuza e ngritur ndaj gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës përmban fakte dhe prova që e mbështesin dyshimin e bazuar se ishte vepruar kundërligjshëm kur komunarët transferuan mbi 800 mijë euro tek një kompani me bazë në Prizren.
Gjashtë zyrtarë të qeverisë komunale të Prishtinës pritet të dalin para një trupi gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ku do të gjykohen për shpërdorimin e detyrës zyrtare ose të autorizimit në bashkëveprim.
Javën e kaluar gjykata konfirmoi aktakuzën e ngritur kundër Ekrem Rexhës ish-menaxher i Zyrës së Prokurimit, Ridvan Shahinit, drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë Lokale, si dhe katër zyrtarëve të tjerë të kësaj drejtorie: Refik Sadikut, Halil Fejziut, Hazir Krasniqit e Qazim Bajramit.
“…..Ekzistojnë prova dhe fakte që e mbështesin dyshimin e bazuar që të pandehurit i kanë kryer këto vepra”, konstatoi gjykatësi i konfirmimit Vehbi Kashtanjeva kur mori vendimin për konfirmimin e aktakuzës.
“Nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të të pandehurve dhe që pengojnë ndjekjen penale”, thuhet në vendim.
Ky vendim është marrë duke u bazuar në seancën e konfirmimit të mbajtur më 6 nëntor të këtij viti ku gjykatësi ka dëgjuar pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtjes së të akuzuarve.
Në bazë të aktakuzës, të pandehurit Ekrem Rexha, menaxher i zyrës së Prokurimit në Komunën e Prishtinës; Refik Sadiku, Halil Fejziu Hazir Krasniqi dhe Qazim Bajrami, zyrtarë të Departamentit për Infrastrukturë Lokale të Komunës së Prishtinës dhe anëtarë të Organit Mbikëqyrës të punimeve, sipas Kontratës për ndërtimin e Kolektorit atmosferik mbi lumin “Prishtina” në lagjen Kalabria në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen private “Çlirimi” nga Korishë -Prizren, tejkaluan autorizimet e tyre zyrtare, duke vepruar në kundërshtim me ligjin mbi prokurimin publik.
Ndërsa Ridvan Shahini, drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë Lokale, lejoi dhe urdhëroi t’i paguhet ndërmarrjes “Çlirimi” shuma prej 848 712 eurosh, në emër të kontratës, e cila sipas aktakuzës ishte në kundërshtim më ligjin.
Ndërkohë seanca për konfirmimin e aktakuzës, e ngritur në qershor të vitit të kaluar, kishte dështuar të mbahej për tri herë rresht.
Gazeta Jeta në Kosovë, në maj pati raportuar se si seanca e caktuar për atë ditë nuk kishte arritur të mbahej për shkak të mungesës së prokurores. Në atë kohë gjykata kishte thënë se nuk kishte marrë asnjë lajmërim nga prokurorja, e cila e kishte marrë ftesën në mënyrë të rregullt. Seanca e radhës u caktua për shtator.
Në shtator përsëri të gjithë të pandehurit u paraqitën para gjykatës, por prapë seanca nuk arriti të mbahej pasi që në këtë seancë mungoi avokati i Ridvan Shahinit, Bajram Tmava.
Arsyeja e tij për mungesë ishte një seancë në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, por ishte vetë Tmava që në seancën e majit kërkoi që të shtyhet seanca për në shtator. Gjykatësit të konfirmimit nuk i mbeti tjetër pos ta shtynte seancën për në tetor.
Por seanca nuk u mbajt as në tetor. Tani ishin avokatët e Ekrem Rexhës, Ramë Gashi dhe Zait Xhemajli që kishin lajmëruar gjykatën se nuk do të mund të merrnin pjesë në gjykim pasi që ata ishin të zënë me disa gjykime të tjera, gjithashtu të rëndësishme.
Nga Jeta në Kosovë