“Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve” është përkujtuar dje nga organizatat sindikaliste me protesta dhe tubime modeste në ndihmë të mbrojtjes së të drejtave të punonjësve. Ndonëse për pjesën dërrmuese të shqiptareve “1Maji” është shfrytëzuar si një ditë pushimi, drejtuesit sindikalistë janë mbledhur dje në sheshin tek “Ushtari i Panjohur” ku kanë protestuar për më shumë të drejta dhe liri.
Këtij aktiviteti i janë bashkuar edhe shumë të ardhur nga rrethet e ndryshme të vendit, të cilët njëzërëshi në këtë tubim paqësor u kanë bërë thirrje dikastereve shtetërore për respektimin e të drejtave të punëtorëve, në drejtim të mirëqenies ekonomike dhe sociale. Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla, ka kërkuar nga strukturat qeveritare që në programet e tyre të shohin me më shumë prioritet punësimin dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, duke vënë theksin edhe në faktin se kjo ditë nuk duhet të shfrytëzohet nga politikanët për qëllime elektorale.
“Largohemi nga mashtrimi dhe sloganet politike, të cilat i përdorën shqiptarët si ushtarët në rresht për vota, nuk i përdorin për të rregulluar ekuilibrat sociale, nuk i përdorin për t’i mirëqeverisur dhe për t’i mirëpaguar, po i përdorin për t’i shfrytëzuar”, ka deklaruar Nikolla.
Një tjetër tubim paqësor është zhvilluar nga lëvizja mjaft në sheshin “Skënderbej”. Nëpërmjet këtij organizimi aktivistët e kësaj lëvizje kanë denoncuar privatizimet e paligjshme dhe gjendjen e vështirë në të cilën jetojnë shqiptarët.
Krahas këtyre organizimeve modeste pjesa dërrmuese e shqiptarëve e kanë shfrytëzuar këtë ditë për të pushuar, duke vizituar parqet apo ambiente të tjera argëtimi. Konkretisht Liqeni Artificial i Tiranës edhe këtë vit ka larguar nga rruga e protestës mijëra qytetarë, të cilët të favorizuar edhe nga koha e mirë e kanë shfrytëzuar ditën e djeshme për ta kaluar mes të afërmve të tyre.