Si duhet vepruar kur gjendesh përballë një çante me 1 milion dollarë brenda? Në një situatë të tillë është ndodhur një drejtues taksie në Singapor, 70-vjeçari Sia Ka Tian. Ai gjeti në sediljen e pasme të automjetit të tij një valixhe me 1.1 milionë dollarë vendas, që ndryshe përkthehen në pak më shumë se 700 mijë euro.
Shoferi 70-vjeçar i taksisë pasi shoqëroi në një nga hotelet e qytetit një çift turistësh, vuri re se në sediljen e pasme të makinës së tij ndodhej një çantë e madhe e zezë. Kurioziteti e shtyu të shihte se ç’kishte brenda dhe nuk u besoi syve kur pa se aty ndodheshin blloqe kartmonedhash 1 mijë dollarëshe. “M’u krijua përshtypja se brenda valixhes nuk ndodheshin më shumë se 200 mijë dollarë”, u shpreh shoferi i moshuar për të përditshmen vendase “The Straits Times”. Por, sapo u kthye në qendrën e shërbimit të objekteve të humbura të kompanisë së taksive, kolegët e tij numëruan plot 1.1 milion dollarë të Singaporit.
Burri i vjetër që prej 31 vitesh punonte si shofer taksie, vendosi t’i kthente paratë të zotëve. Ai u përpoq që të binte në gjurmët e pronarëve të valixhes, të cilët rezultuan të ishin një çift turistësh që vinin nga Tailanda për të kaluar disa ditë pushimesh në vendin fqinj aziatik.
70-vjeçari Sia Ka u shpreh për gazetën se për moshën që kishte, paratë nuk kishin shumë rëndësi për të. Ai ishte i kënaqur me punën që bënte prej tre dekadash dhe të ardhurat që fitonte i dilnin e i tepronin. Për plakushin ishte mëse e drejtë që çanta e gjetur t’u kthehej pronarëve të saj të ligjshëm dhe nuk u mendua dy herë për ta dorëzuar atë.
Çifti tajlandez që kishte sinjalizuar autoritet policore për humbjen e çantës, kur më në fund ajo iu kthye mbrapsht, derdhi një shpërblim të majmë në llogarinë bankare të shoferit Sia Ka në këmbim të ndershmërisë së tij (nuk bëhet e ditur shuma).
Kjo nuk është hera e parë që del në pah ndershmëria e qytetarëve të Singaporit. Në vitin 2009, një tjetër drejtues takisie gjeti në makinën e tij një çantë me lingota ari, të cilat kishin vlerën e 241 mijë dollarëve vendas (ose 337mijë eurove). Lingotat e sapogjetura iu kthyen menjëherë pronarit.