Gjen vrasësin e të atit në internet pas 26 vjetësh

anazapta

Aktorja njujorkeze me origjinë domenikane, Hoselin Martines e kishte parë të atin të vritej para syve të saj kur ishte 9-vjeçe. Vrasësi i identifikuar nga policia kishte arritur të arratisej dhe të humbte gjurmët

 

Nuk e pranoi kurrë faktin që vrasësi i babait të saj të mbetej në liri dhe pas 26 vjetësh arriti të finalizonte hakmarrjen e saj. Aktorja Hoselin Martines, protagoniste e serialit “Gratë në lartësi” arriti falë zgjuarsisë dhe këmbënguljes së saj të gjente vendodhjen e Husto Santos, që do të pasohej me arrestimin e tij. Santos i kishte vrarë të atin në vitin e largët 1986.

Vrasja

36-vjeçarja me origjinë domenikane ishte vetem 9 vjeçe, kur në mbrëmjen e 22 nëntorit të ’86-s, babai i saj u qëllua me armë zjarri nga Husto Santos, i cili u fut në restorantin “Domenican Express” në shoqërinë e dy keqbërësve të tjerë. Restoranti në atë kohë menaxhohej nga Hose Martines dhe gruaja e tij (prindërit e Hoselin). Santos nisi të hidhte fraza banale në drejtim të gruas. Duke parë situatën, Hose ndërhyri për ta qetësuar burrin, por si përgjigje mori disa të shtëna pistolete, të cilat i kushtuan jetën. Vdiq pak orë pas ngjarjes në spitalin “Presbyterian Hospital Columbia”. Policia arriti të identifikonte vrasësin, por ky i fundit ishte zhdukur nga faqja e dheut dhe kështu krimi mbeti i pandëshkuar.

Kërkimet

Hoselin me kalimin e viteve nuk e harroi kurrë emrin e vrasësit dhe as fytyrën e tij që për një kohë të gjatë i kishte turbulluar netët. Në 2006-n, ajo filloi të kërkonte vetë në internet për të gjetur se ku ishte fshehur vrasësi. Tentativat e para në “MySpace” dhe “Facebook” rezultuan të kota, në atë kohë nuk ekzistonte asnjë Husto Santos i regjistruar në rrjetet sociale. Dy vjet më vonë e reja provoi sërish. Hapi një llogari të sajën në faqen “Background.com” dhe për herë të parë gjeti disa tregues që lidheshin me vrasësin. Ringjallen shpresat dhe Hoselin nuk heq dorë. Gjatë viteve të fundit vijon të kërkojë në faqet e internetit të specializuara në gjurmimin e personave të zhdukur ndër vite.

Javën e kaluar ajo zbuloi se Santos jetonte i qetë në Florida, ku menaxhonte një kompani pastrimi, por fytyra e tij nuk kishte ndryshuar aspak. Hoselin kontaktoi me policinë, që pasi kishte përfunduar hetimet mbi të vite më parë, e arrestoi.

Përballja

Pas disa ditësh Santos do të transferohet në Nju Jork, ku do të procesohet. Hoselin është e gatshme të përballet me të: “Duke kujtuar se ç’njeri ishte im atë, nuk mund të jetoja e qetë me dijeninë se Santos ishte diku i lirë dhe i pashqetësuar. Kam nevojë ta shoh për të kuptuar se ç’farë ndodhi realisht. Ende nuk më besohet që ai është mbas hekurave”, shpjegon ajo për të përditshmen amerikane “New York Daily News”.

Krenare për vajzën e saj, Idalia Martinez tregon: “E kam ditur gjithnjë që herët a vonë do ta gjente. Dashuria për të atin dhe inteligjenca e saj e udhëhoqën”. Edhe një zëdhënës i policisë vlerësoi teknikën e saj: “Ajo është dinamit i pastër. Ka bërë një punë të madhe. Praktikisht e ka zgjidhur e vetme çështjen”./ Dorina Gjuzi       

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *