Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli e ka kaluar rrezikun shëndetësor dhe është drejt përmirësimit të parametrave të jetës.
Shkrimtari i është nënshtruar dy operacioneve në zorrën e trashë për heqjen e masës malinje.
Mjekët thonë se shkrimtari kishte të paktën 6 muaj që përjetonte hemorragji të forta në pjesën e poshtme të traktit tretës. Neglizhenca e shenjave nga ana e shkrimtarit, ka sjellë shtrimin e tij në ugjencën e QSUT-së, në gjendje të përkeqësuar.
Operacionet e drejtuara nga profesor Edmond Çeliku kanë qenë të suksesshme, dhe vetë shefi i shërbimit të kirurgjisë nr. 2 ka thënë për News24 se tumori është kapur në fazë të hershme, në stadin e dytë të zhvillimit. Pas heqjes së masës, analizat imazherike kanë treguar se organizmi i shkrimtarit 72-vjeçar është i pastër dhe nuk ka shenja të metastazave në trup.
Ish-deputeti socialist, Fatmir Toçi publikoi rastin në faqen e tij duke thënë se përtej shërbimit të shkëlqyer të mjekëve, spitali nuk kishte gjak për pjesën postoperatore dhe se i bënte thirrje të gjithë shqiptarëve të dhuronin gjak, për t’i shpëtuar jetën shkrimtarit të madh të letrave shqipe.
Ndërkohë, shefi i shërbimit të kirurgjisë në QSUT, Edmond Çeliku mohon të ketë pasur mungesë të gjakut gjatë trajtimit postoperator të shkrimtarit.
Për më tepër, mjeku thotë se shkrimtarit të njohur i janë krijuar kushte optimale, duke e vendosur në një dhomë të veçantë me mbikëqyrje mjekësore 24 orë, dhe se 72-vjeçarit i është injektuar dy herë mjë shumë gjak për të rikuperuar sasinë e humbur gjatë hemorragjisë paraoperatore.
s.a/dita
