Rrëfimi i gjeneralit 88-vjeçar për karrierën e gjatë në ushtri
Halim Ramohito: Bashkë me gjeneral Hito Çakon e shoqëruam Zhukovin në stërvitjen e Voskopojës, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në Bazën e Pashalimanit”
(Vijon nga numri i kaluar)
Gjeneral Halim Ramohito, në rrëfimin e tij në vazhdim, tregon vizitën 8 ditore të Marshallit Zhukov në Shqipëri në tetor të vitit 1957, ku ai, së bashku me gjeneral Hito Çakon, ishin caktuar shoqërues zyrtarë të njeriut të nderuar 4 herë me titullin e lartë “Hero i Bashkimit Sovjetik”…
Gjeneral Ramohito! Ju ishit personi zyrtar që shoqëruat Marshallin Zhukov gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1957?
-Po. Pas vizitës në Jugosllavi nga data 7 deri më 17 tetor 1957, Marshalli Zhukov bëri një vizitë dhe Shqipëri… Gjatë kësaj vizite 8 ditore të tij në Shqipëri(17-25 tetor 1957), unë kam shënimet e kujtimet e mia, për shkak se bashkë me Komandantin e Korpusit, Gjeneralin Hito Çako, edhe unë isha caktuar për të shoqëruar Marshallin Zhukov dhe grupin e tij të ushtarakëve të lartë. Në grupin e Marshallit ishin dhe Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Përgjithshëm i Ushtrisë me gradë Gjeneral, Komandanti i Qarkut Ushtarak të Odesës me gradën Gjeneral Armate dhe Komandant i Flotës Ushtarake Detare të Detit të Zi me gradën Admiral. Për vizitën e Zhukovit në vendin tonë, ishte përgatitur një program i ngjeshur dhe i detajuar, ku sigurisht, vend të rëndësishëm kishin dhe inspektimi në disa stërvitje ushtarake. Ndër më të rëndësishmet ishte ajo e Voskopojës…
Diçka të pa thënë për pjesëmarrjen e Marshallit Zhukov në stërvitjen e zhvilluar në Voskopojë të Korçës?
-Në rajonin e Voskopojës, Marshallit Zhukov dhe shoqëruesve të tij ne u treguam një stërvitje me Temën “Batalioni i kompletuar me ushtarë rezervistë në një terren shumë të thyer malor, mbi 1500 metra lartësi, i përforcuar me tanke dhe artileri”. Njëkohësisht, në planin e kësaj stërvitje, ishte dhe pjesëmarrja (mbështetja) e forcave të mësipërme me një skuadrilje avionësh gjuajtës bombardues Mig-19, kundër një armiku që ka kaluar me shpejtësi në mbrojtje. Stërvitja, u përgatit nën drejtimin direkt të Gjeneral Petrit Dume, i cili dallohej si mjeshtër i palodhur në planëzimin dhe drejtimin e këtyre stërvitjeve. Pas stërvitjes, Marshalli Zhukov, duke na u drejtuar na tha: “Ju faleminderit. Me këtë stërvitje dhe përfundimet e saj të shkëlqyera më gëzuat pa masë dhe mua plakun!”
Po gjatë shoqërimit të Zhukovit në stërvitjen e zhvilluar në Shkollën e Bashkuar?
-Në Tiranë, në Shkollën e Bashkuar Ushtarake, Marshallit i treguam gjithashtu një stërvitje tjetër me kursantët e kësaj shkolle, atë me temë: “Kalimi i pengesave xheniere para vijës së sulmit”, që në ushtri njihet me emrin ”Brezi i Kalitjes“. Të gjithë ne, Komanda e shkollës e gjithë planëzuesit e drejtuesit e kësaj stërvitje rrinim si të thuash si në ethe. Në ankth, teksa shikonim veprimet e kursantëve, në të vërtetë, të një vështirësie shumë të madhe, numëronim sekondat me orët e dorës që kishim, e nuk po e mbanim veten kur shikonim se normat teknike në disiplinat përkatëse, jo vetëm po realizoheshin, por edhe po tejkaloheshin. Pritej në fund, vetëm vlerësimi që do të bënte Marshalli për këtë stërvitje.
Cili ishte vlerësimi i Hrushovit për këtë stërvitje?
-Por “ujku“ i vjetër i fushave të stërvitjes, Zhukovi, aty për aty na tha se para se të bëjë vlerësimin e stërvitjes që ai ndoqi me shumë interes, dua më parë që të më thërrisni mjekun që të vizitohet çdo kursant sa e ka pulsin. Doli se të gjithë ata, në atë moment, për moshën që kishin, pulsin e kishin të lartë. Vlerësimi im, -foli në fund Hrushovi, -për këtë stërvitje treguese është ky: ”Ju me kursantët keni bërë stërvitje të sforcuar dhe këtë e keni bërë sa për të më kënaqur mua dhe kjo duket nga pulsi i tyre i lartë. Kjo tregon se ata nuk janë stërvitur me këtë intensitet vazhdimisht, sipas kërkesave të rregulloreve për përgatitjen luftarake të trupave, por me sforcime. Në rast se do të ishte vazhduar kështu, sipas rregullores, pulsi i tyre do të ishte normal ose afër normales!”. Pra, ai na dha ne dhe një ‘leksion’ se si duheshin zhvilluar stërvitjet në përputhje me të gjitha parametrat e domosdoshëm…
Ju dhe gjeneral Hito Çako, keni shoqëruar Marshallin Zhukov në Bazën e Pashalimanit në Vlorë?
-Gjatë vizitës në Durrës e në Lezhë, Marshalli e kaloi ditën kryesisht me gjueti. Njëkohësisht ai këtu u njoh dhe me bregdetin, por ndalesën më të rëndësishme, që ishte dhe pikësynimi i tij, ai e bëri në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit ku që në fillim, kërkoi të ngjitej në majën më të lartë të Karaburunit, përkatësisht në majën e kodrës me lartësi mbi 300 metra nga niveli i detit.
Cili ishte shkaku i kësaj kërkese nga Zhukovi?
-Këtë kërkesë, siç e argumentoi ai, e bëri me qëllim për të bërë një vlerësim më të plotë të rëndësisë operativo-stategjike të Bazës. Por Hito Çako, si përherë, edhe në situata të tilla, sado të vështira të ishin, e gjente zgjidhjen. Kështu, edhe në këtë rast, ai mori masa të menjëhershme dhe efektive. Ngriti në alarm dy batalione xheniere me rezervistë, të cilët të pajisur me kazma, qysqi e vare, mundën që për tërë natën të përmirësojnë rrugën ekzistuese shumë të thepisur e malore, e cila përdorej për furnizimin me ujë dhe ushqime të baterisë kundërajrore që ishte vendosur kohë më parë atje.
Të kthehemi tek ardhja e Zhukovit në Pashaliman?
-Ditën e nesërme, çdo gjë na shkoi mirë. Kolona e makinave ushtarake me Marshallin arriti në vendin e caktuar. Aty ishim edhe ne të gjithë udhëheqësit e Ushtrisë, që nga ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Komandanti i Flotës sonë Ushtarake Detare etj… Prisnim që Marshalli të na pyeste se çfarë vlerësimi i bënim ne situatës në këtë drejtim; çfarë kërcënimi prisnim ne nga drejtimi i Otrantos në rast agresioni të mundshëm ndaj kufijve tanë detar, etj… Pastaj, logjikisht, sipas mendimit tonë, do të dilte edhe problemi se si do ta përballonim ne atë (agresorin) me forcat tona dhe çfarë ndihme do të na jepnin Forcat e Armatosura Sovjetike në veçanti dhe ata të Ushtrive të Bashkuara të Traktatit të Varshavës. Por për habinë tonë, mesa dukej, mendja e Marshallit kishte objekt tjetër, shumë më të gjerë…
Çfarë konstatuat ju në këtë drejtim?
-Mendja e Marshallit mendonte jo për rreziqet që mund t’i kanoseshin vendit tonë nga ndonjë sulm eventual i mundshëm nga ai drejtim strategjik, por për mundësinë e hegjemonisë së tyre sovjetike në Adriatik, e sidomos në Mesdhe. Marshalli, në këtë pikë nga më të lartat e Karaburunit, pasi u orientua me pozicionin gjeografik të krejt rajonit, përfshi edhe ngushticën e Otrantos na tha përshtypjet e tij. Në ditarin tim kam shënuar fjalët e tij…
Çfarë tha Hrushovi për qëllimin që kishit lidhur me rolin e Bazës së Pashalimanit?
-Konkretisht na tha: ”Duke parë këtë Gji(e kishte fjalën për Gjirin e Vlorës) dhe kanalin e Otrantos, mund të them se Flota jonë Ushtarake Detare e Sevastopulit, e dislokuar në Detin e Zi, ka hapësira për të manovruar aq sa mund të ketë një flotë në një liqen. Do të propozojmë që flotën që kemi atje, ta biem këtu në këtë gji të mrekullueshëm, e kam fjalën në aspektin Ushtarako-Stategjik”. Më tej vazhdoi: “Ta shpojmë këtë mal(Malin e Karaburunit) që nëndetëset tona të dalin me lehtësi prej gjirit në hapësirat e gjera të Adriatikut dhe Mesdheut dhe pastaj zonën që nga Gjibraltari, Kanali i Suezit dhe Dardanelet ua siguroj unë, se ajo do të jetë vetëm e jona”. Këtë ide të vitit 1957 të Marshallit Zhukov, na e përsëriti më 1959 dhe Nikita Hrushovi, i shoqëruar tashmë në këtë vizitë nga ministri i ri i Mbrojtjes, Marshalli Maliniovski…
Kur e përfundoi vizitën në Shqipëri Zhukovi?
-Marshalli Zhukov, pasi përfundoi vizitën në vendin tonë, iku nga Shqipëria më 25 tetor 1957, i përcjellë nga të gjitha autoritetet më të larta të vendit. U prit dhe u përcoll me të gjitha nderet. Por pa shkuar në Moskë, pa zbritur në tokë, i komunikohet shkarkimi…
Si e priti në avion Zhukovi shkarkimin si ministër?
-Unë nuk kam qenë në avionin e tij, por ka qenë oficeri ynë, kolonel Hajdar Aranitasi që në atë kohë kryente detyrën e Atasheut tonë Ushtarak në Moskë. Pra, ata ishin në të njëjtin avion. Ai më ka treguar se radiogramin që Zhukovin e shkarkonte nga të gjitha funksionet në Parti e në Ushtri, e mori në bordin e avionit. Vendimi për shkarkimin e tij, ishte marrë që më 22 tetor. Marshallin, e nxehur, tregonte Hajdari, nuk e mbante vendi. Ai shëtiste sa në një anë në anën tjetër të avionit. Sa mbërritëm në Moskë pashë se atij ju bë një pritje e ftohtë. Menjëherë, nga aty, Zhukovin e nisën për në mbledhjen e udhëheqjes më të lartë të Partisë! Arsyet e shkarkimit të Zhukovit, siç dolën edhe më vonë, duket se kishin lidhje me një luftë eventuale për pushtet në mes tij dhe Hrushovit, megjithëse Marshallin ai e përdori kur i duhej dhe e flaku kur s’i duhej, duke e vënë në postin e ministrit të Mbrojtjes Marshallin Malinovski, ish-Komandant i një Fronti gjatë luftës në Ukrainë, kur edhe Hrushovi kishte qenë një nga anëtarët e Këshillit Ushtarak të frontit.
Si ushtarak i lartë, dëshmitar në shumë evenimente të rëndësishme për ushtrinë e vendit tonë, si e vlerësoni qëndrimin e Zhukovit për vendin tonë?
–Me gjithë zigzaget, meritat, “harresën”, katër herë Hero i Popullit të BRSS, Marshalli Zhukov, në takimet që kemi pasur si dhe në konfirmimet dhe shënimet e tij, ka mbajtur qëndrim dashamirës ndaj vendit tonë. Edhe në librin e tij “Kujtime e Meditime”, Zhukovi e vlerëson lart rolin e vendit tonë në Aleancën e madhe Antifashiste të Luftës së Dytë Botërore deri në fitore. Në një nga intervistat e tij dhënë shkrimtarit të shquar rus Kostandin Simonov, lidhur me Shqipërinë, ai bën këtë vlerësim: ”Unë u dashurova me vendin, popullin dhe ushtrinë shqiptare. Gjatë vizitës që bëra atje në tetor të vitit 1957, e ndjeva veten aty si midis vëllezërve, megjithëse me Shqipërinë na ndajnë nga njëri-tjetri mijëra kilometra… Me shqiptarët, kemi luftuar bashkë në luftën e Dytë Botërore”.
Po qëndrimet e Hrushovit për Zhukovin?
-Për çudi, sidomos të delegacionit tonë, në mbledhjen e fundit të Këshillit Politik Konsultativ të nivelit të lartë, Hrushovi, duke folur për Zhukovin na u drejtua me fjalë diskriminuese për të si: ”Zhukovi me gjithë moshën e kaluar nuk mungon t’u qepet edhe grave të moshuara (Uhazhivaet za babkami)”. Marshalli Zhukov vdiq më 21 qershor të vitit 1974. E bija e tij, në një intervistë të dhënë shkruan midis të tjerave: ”Në varrimin e babait tim, me paturpësinë më të madhe, nga të parët që morën pjesë në ceremoni, ishin edhe ata ushtarakë të lartë sovjetikë që hodhën aq shumë baltë mbi të në vitin 1957, kur ai, në atë periudhë ishte në funksionet më të larta në Ushtri dhe Parti…” Unë, duke punuar dhe mësuar për shumë vite (mbi 7 vjet) në mes të ushtarakëve sovjetikë, sidomos atyre me grada e pozita të larta, kam vënë re se tek ndonjëri, ka pasur edhe shfaqje të mendjemadhësisë deri në arrogancë, jo vetëm në marrëdhëniet me ne shqiptarët, por dhe me kuadrot e tjera të larta ushtarake të ish-vendeve të Demokracisë Popullore, duke na trajtuar si vasalë të tyre. (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Gjeneral Halim Ramohitos: Përplasja me Marshallin Malinovski në shkurt të vitit 1961 në pritjen e shtruar nga ambasada hungareze në Moskë në përvjetorin e ushtrisë së Hungarisë.
-Si i mbante lidhjet gjeneral Ramohito, përfaqësuesi i vendit tonë në Traktatit të Varshavës me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe drejtuesit e shtetit shqiptar.
-Takimi i gjeneral Ramohitos më 27 maj të vitit 1961 me Enver Hoxhën dhe vlerësimet e Enverit për punën e përfaqësimin e Ramohitos në Shtabin e Traktatit të Varshavës në Moskë.
komunizmi njedhoj paska qene ne te gjith vendet socialiste. kam kontakte me njerez nga ato vende dhe te gjith tregojne per jeten e tyre sikur te kishin jetuar ne shqiperi.