Rrëfim i 88-vjeçarit Ramohito për vizitën zyrtare në Kinë në vitin 1954
“Ishte i informuar për situatën në Shqipëri. Pa i paraqitur kërkesën, premtoi oriz e produkte të tjera ushqimore për popullin tonë”
(Vijon nga numri i kaluar)
Arritja e delegacionit shqiptar në Pekin, pritja që iu bë, pjesëmarrja në ceremoninë festive të 5 vjetorit të Republikës Popullore të Kinës, takimi me Çu En Lain dhe ndihmat që dha ai për popullin shqiptar janë pjesë e rrëfimit në vazhdim të gjeneral Halim Ramohito për ‘Dita’…
Kur arriti delegacioni shtetëror në Pekin?
-Në ditët e fundit të shtatorit 1954 pas një qëndrimi dyditor në Republikën Popullore të Mongolisë, u nisëm për në Republikën Popullore të Kinës. Arritëm në Pekin ku na sistemuan në një hotel të ri luksoz të sapo përfunduar. Të përpiktë në protokoll, kinezët ishin tepër të kujdesshëm në protokollin e pritjes, i cili ishte i njëjtë për të gjitha delagacionet e vendeve socialiste, për të dhënë të kuptohej se vlera e mikut për ta ishte e njëjtë, respekt i njëjtë për miq të së njëjtës familje komuniste!
Kush e priti delegacionin nga Shqipëria në aeroportin e Pekinit?
-Kështu, në aeroport kishte dalë për të na pritur vetë kryeministri Çu En Lai, së bashku me gjithë qeverinë kineze. Ky takim, për mua qe takimi i parë me Çu En Lain, me të cilin(si me Mao Ce Dunin) do të takohesha dhe herë të tjera… Në orët e ditët në vazhdim, kishte një program të ngjeshur vizitash dhe aktivitetesh…
Cili ishte aktiviteti juaj i parë në Pekin?
-Një nga vizitat e para në Pekin ishte ajo në Pallatin e Mbretëreshës së fundit të tyre, ndërtuar e pajisur me fondet që ishin të planifikuara për Flotën Detare. Gjithashtu, për këdo që viziton Kinën, vizita në Murin e Madh kinez është një kërshëri dhe një mundësi që nuk i jepet gjithkujt, qoftë qytetar i thjeshtë, qoftë dhe delegacion i lartë shtetëror siç ishim edhe ne në rastin konkret.
Sigurisht, vizita tek Muri i Madh kinez ishte në programin tuaj?
-Po. Kështu, në këtë vizitë edhe ne patëm mundësinë dhe vizituam Murin e Madh Kinez, një nga 7 Mrekullitë e Botës. Me një gjatësi tepër të madhe, me një gjerësi deri në 8 metra e një lartësi deri në 20 metra, Muri i Madh Kinez është një nga veprat e rralla si për volumin e madh të punës që është bërë për ta ndërtuar ashtu dhe për vlerat e spikatura historike e kulturore. Për ne si ushtarakë, nuk ishte thjesht për kuriozitet, por historia pse ishte ndërtuar dhe misioni ushtarak i tij…
Çfarë mësuat për ndërtimin dhe misionin e tij?
-Miqtë kinezë që na shoqëruan ne pjesëtarëve të delegacionit të lartë shqiptar dhe në këtë mrekulli, krahas të tjerave na shpjeguan se qëllimi i ndërtimit të këtij muri të stërmadh-fortifikatë, ishte pengesa e më pas asgjësimi i kavalerisë së hordhive Tartaro-Mongole, e cila synonte pushtimin e territoreve kineze. Po ky mur, siç na shpjeguan mikpritësit, kishte shërbyer më pas edhe si vijë mbrojtëse apo ndarëse për përpjekjet mes dy dinastive, atyre Min dhe Manxhu, për të pushtuar e sunduar territore të mirëfillta. Një nga vizitat tona mbresëlënëse ishte dhe ajo përgjatë territoreve veriore të Kinës me Bashkimin Sovjetik, ku në Port Artur, ku aty ishte e ndërtuar një nga qendrat më të mëdha metalurgjike të Kinës. Po ashtu, në programin tonë ishte dhe vizita në zonën verilindore, në qytetin Huan Xhou, ose siç e quanin vendasit “Parajsa kineze”. Bukuritë mahnitëse të këtij qyteti të stërmadh, të ndërtuar mes një sistemi të shumtë kodrinash malore, me një liqen të mrekullueshëm në mes, binin në sy edhe për shkak të dorës e mendjes njerëzore që nuk ishte kursyer. Anash liqenit gjarpëronte një autostradë e madhe bashkëkohore, që jo vetëm ishte një element më shumë në bukurinë e këtij qyteti, por lehtësonte mjaft lëvizjen dhe infrastrukturën urbane të tij. Radha e vizitave, ishte Shangai…
Çfarë do të veçoni nga vizita e delegacionit në Shangai?
-Vizita në Shangai, ashtu si për të gjithë miqtë e nderuar kinezë(siç na thanë), ishte dhe një pikë e axhendës sonë në këtë vizitë. Bulevardet, vendet historike, qendrat e njohura kulturore e rrugët e tij ishin të shumta, ndërkohë që për të parë më mirë e disi më plot këtë bukuri, shoqëruesit na afruan një zgjidhje, që me sa duket, e kishin bërë dhe herë të tjera me vizitorë të rëndësishëm. Na hipën në majë të një kulle mbi një pallat 33 kate ku vrojtuam gjatë. Por me gjithë privilegjin që na jepte kjo lartësi, qyteti ishte i pafund e nuk mund të përfshihej brenda shikimit e rrezes së plotë të konceptimit tek ne. Porti i tij ishte i stërmadh, e na thanë se aty përpunoheshin në ditë deri në 400 vaporë të tonazheve të ndryshme. Hipëm në një vapor turistik dhe udhëtuam nëpër një kanal të gjerë dhe të thellë që lidhte Shangain me Oqeanin Paqësor. Por ky liqen(Liqeni Paqësor) siç e kishte pagëzuar portugezi Magelani, atë ditë, ndonëse ishte fillim tetori 1954, nuk ishte paqësor, përkundër me dallgë të shumta e të stërmëdha të cilat të krijonin krahas ndjenjës së të bukurës(në raport dhe me mjedisin në breg), dhe ndjesinë e frikës nga “malet” pafund të ujit… Në program ishin planëzuar dhe vizita me karakter politik…
Diçka konkrete në këtë drejtim?
-Sigurisht, për të na lënë të shikonim se praktikisht ishim në shtetin komunist më të madh, disa nga vizitat tona, në një farë mënyre, do të ishin dhe vizita me karakter politik. Kështu kinezët na çuan në një park në mes të Shangait aty ku ishte ruajtur një tabelë e kohës së kolonelëve anglezë(pushtues) ku shkruhej: “Vizitorë të këtij parku nuk mund të jenë qytetarë të Kinës!” si dhe në një muze në Pekin ku mes shumë relikeve, na treguan dhe një vazo të lashtësisë, e zbukuruar me florinj. Në të dukeshin shenjat e gishtërinjve, thikave e bajonetave të ushtarëve pushtues anglezë, ku kishin tentuar që ta shkatërronin e t’i merrnin arin. Për të na treguar se stadi i zhvillimit të vrullshëm të Kinës që sapo kishte nisur bëhej në një varfëri e mjerim të tejskajshëm, që çlirimi e gjeti vendin para 5 vjetësh, na çuan të vizitonim një zonë fshatare, ku pamë mjerim të tejskajshëm, njerëz, përfshi dhe fëmijë të vegjël të rreckosur që robëtoheshin ditë e natë në punimin e tokës për të siguruar mbijetesën. Vizituam edhe qytetin Jenian, në verilindje të Kinës e në kufi me Rusinë, një qytet i njohur për luftën dhe qëndresën vendase për çlirim. Në Jenian, në një nga kongreset e Partisë Komuniste të Kinës, Mao Ce Duni mbajti fjalimin që pati shumë jehonë atë kohë në planin Marksist-Leninist, lidhur me artin e kulturën, ose siç u njoh e materializua më vonë, teoria e “Njëqind shkollave dhe njëqind luleve”.
Në çfarë rrethanash ndodhi incidenti i dytë ajror?
-Në këtë qytet, pra në Jenian, mbërritëm pas udhëtimit me një avion, i cili, jo si zakonisht(arsyet ne nuk i kuptuam dhe më pas), nuk u ul në aerodromin e zakonshëm, por në një pistë malore, të ngushtë e pa parametrat teknikë. Por kuptuam se vetëm aftësia e pilotit mund të evitojë një aksident të mundshëm. U befasuam në mbrëmje kur pamë se në një faqe mali, përballë qytetit, pamë vargje të shkruara me drita të shumta e shumëngjyrëshe. Na shpjeguan se në këtë mënyrë përjetohej një nga ngjarjet historike të luftës, se pikërisht në këtë vend, në kohën e luftës, këtu ishin strehuar udhëheqja më e lartë dhe shtabi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore të kinës. Kaloi nata, e ne na bëri përshtypje një fakt tjetër. Në faqe të malit e buzë tij ishin ndërtuar shtëpi e vendbanime në guva shtufi, në tunele me një ose dy dhoma(guva) të veshura me karton e të lidhura me njëra-tjetrën. Në këto shtëpi-guva punonin e jetonin qindra e mijëra familje, ndërkohë që ndriçimi i tyre natën të jepte imazhin e një masivi të stërmadh të pafund të mbjellë“ me drita. Këtu, po dhe në shumë qytete të tjera na bëri përshtypje lëvizja masive e njerëzve me biçikleta në rrugë, si dhe lëvizjet po të shumta me karro të tërhequra me qe. Në pjesën më të madhe të karrove që tërhiqeshin, transportoheshin mallra të ndryshëm. Por në shumë karro të tjera, në vend të kafshëve tërheqja bëhej nga njerëz, në to(karrot) kishte po njerëz që lëviznin nga një vend tek tjetri, që me sa duket, ishin të shtresave të mesme ose të larta të popullsisë. Kishte gjithashtu edhe karro që tërhiqeshin nga motorë të vegjël, por numri i tyre, siç dukej, ishte minimal. Prekëse e me mbresa, ishte dhe vizita që bëmë në ish-kryeqytetin e Kinës, në Nankin, ku ishin pushkatuar nga militaristët japonezë 10000 revolucionarë kinezë, të cilëve u ishte ngritur një përmendore. Mikpritësit, më dhanë një vazo me dhe nga ky vend historik, të cilin unë e solla në Shqipëri.
Si ushtarak madhor, çfarë konstatuat gjatë vizitave në shkollat dhe akademitë kineze?
-Krahas vizitave në grup, si delegacion, ishin planëzuar dhe u organizuan dhe vizita veçmas. Kështu, me zëvendës Drejtorin e Drejtorisë Politike të Ushtrisë së Kinës, që ishte caktuar të më shoqëronte mua, unë vizitova dhe shumë shkolla e Akademi ushtarake të Kinës, ku përgatiteshin kuadro të niveleve të ndryshme të këtij shteti. Në këto vizita, siç ishte dhe rangu, unë u shoqërova po nga homologu im (zëvendësdrejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë) të Kinës. Sigurisht që isha i interesuar se mbi ç’baza e ç’program përgatiteshin kuadrot e larta të ushtrisë. Konstatova gjatë vizitës në Akademi se programi që zhvillohej ishte ndryshe nga ai që unë kisha zhvilluar në Akademinë “Frunze“ të Moskës. Pra kinezët, nuk kishin preferuar që ushtarakët e tyre madhorë t’i përgatisnin në Akademitë Ruse, më të njohurat e kohës, por t’i përgatisnin vetë.
Cilat ishin të veçantat e ceremonisë së festës së 5 vjetorit të shtetit kinez?
-Më 1 tetor, në sheshin e madh dhe historik “Ti An Men”, para pallatit perandorak të Dimrit, në tribunën e përhershme prej mermeri, mes udhëheqësve kinezë, të prirë nga Mao Ce Duni, zumë vënd edhe ne pjesëtarët e delegacioneve të vendeve socialiste. Gjatë zhvillimit të ceremonisë së përvjetorit të çlirimit dhe të shpalljes së republikës Popullore të kinës, pata rastin të takoj Gjeneral Armate Antonov, ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrive të Traktatit të Varshavës në vitet ‘50. Së bashku, por dhe shumë pjesëtarë të delegacioneve që kishin ardhur në Kinë, vizituam dhe një varr karakteristik perandori në periferi të Nankinit, pikërisht të atij perandori që kishte sunduar Kinën në shekullin e 15-të. Kinezët na thanë se dhe historia e zbulimit të këtij varri ishte interesante. Dihej përafërsisht territori, por rastësia e fundosjes së një dhie gjatë kullotjes në një gropë të thellë, çoi në zbulimin e varrit të perandorit. Kinezët na thanë gjithashtu se në historinë e tyre kishin si vende të shenjta dhe 10-12 varre të tjerë perandorësh që kishin sunduar Kinën në kohë të ndryshme. Na bëri përshtypje ky varr i stërmadh shumë thellë në brendësi të tokës. Na u desh që të zbrisnim poshtë në thellësi të tokës 30-40 metra nëpër disa shkallë(që i kishin ndriçuar), ku pas një kthese të madhe nën tokë na del para një portë e madhe me kanata mermeri. Futemi brenda e pamë se kjo portë mbyllej nga pas po me një lloz mermeri. Ecim më tej, jo pak nëpërmjet një korridori të gjerë të veshur me tulla(rreth 20 metra) për të vajtur tek sarkofagët e perandorit dhe bashkëshortes së tij, perandoreshës. Diku anash ishin dhe mbeturinat e trupave të ndërtuesve të sarkofagut, të cilët, sipas traditës, për të ruajtur sekretin, flijoheshin pas përfundimit të ndërtimit dhe varrosjes së perandorit. Pamë gjithashtu dhe 10-15 arka të lyera me të kuqe, ku ishin monedhat, bizhuteritë dhe pasuria e perandorit që gjendej prej shekujsh në sarkofag.
Po takimi juaj me Çu En Lain?
-Një nga pikat më të rëndësishme të vizitës së delegacionit të lartë shtetëror të Shqipërisë në Republikën e Kinës, pjesë e të cilit isha dhe unë si përfaqësues i ushtrisë, ishin dhe takimet zyrtare me udhëheqësit e lartë kinez. Një prej tyre ishte ai me Çu En Lain. Ishim përgatitur që t’i raportonim për situatën në Shqipëri, ndjenjën e miqësisë së popullit shqiptar për atë kinez, për përpjekjet për rindërtimin e vendit e fuqizimin e mbrojtjes, njëkohësisht të kërkonim dhe ndihma nga qeveria kineze. Pas përshëndetjeve të rastit e raportimeve të ndërsjellta, ne u befasuam nga një konfirmim i papritur ndihme nga kinezët.
Cila ishte e papritura e takimit me Çu En Lain?
-Me sa duket, Çu En Lai ishte informuar për situatën që po kalonim ne si vend, vështirësitë për sigurimin e bukës së gojës, e na afroi ndihmë. ”Ju keni nevojë e ne do ju japim ndihma ushqimore për popullin mik shqiptar“ -pohoi ai. Nuk e prisnim këtë propozim, ndaj u befasuam, por e pritëm me shumë kënaqësi këtë pohim të tij. U lidhëm me Tiranën nga ku na konfirmuan se i mirëprisnim këto ndihma, e mundësisht të ishin ndihma në produkte ushqimore, veçanërisht oriz.
Patët ndonjë kërkesë të veçantë për Çu En Lain?
-Po. Mes të tjerave, ju lutëm Çu En Lait që mundësisht, me interesimin e tij, ndonjë kompani japoneze të blinte mineralet tona. Por kjo ndihmë, siç u vlerësua, nuk mund të na jepej për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm të portit të Durrësit për përpunimin e anijeve. Fakti që anijet kineze të transportit(në rastin e kërkesës sonë për minerale) ishin të mëdha deri në 2000 tonelata, nuk kishte mundësi ngarkimi me gjendjen aktuale të portit tonë. Gjithsesi, takimi me Çu En Lain për ne qe i suksesshëm, për faktin e ndihmave ushqimore që na premtoi, që në fakt dhe u realizuan më pas. (Vijon nesër)
SOM 1
“Në qytetin Jenian, mbërritëm pas udhëtimit me një avion, i cili, jo si zakonisht(arsyet ne nuk i kuptuam dhe më pas), nuk u ul në aerodromin e zakonshëm, por në një pistë malore, të ngushtë e pa parametrat teknikë. Por kuptuam se vetëm aftësia e pilotit mundi të evitojë një aksident të mundshëm. U befasuam në mbrëmje kur pamë se në një faqe mali, përballë qytetit, pamë vargje të shkruara me drita të shumta e shumëngjyrëshe. Na shpjeguan se në këtë mënyrë përjetohej një nga ngjarjet historike. Në kohën e luftës, këtu ishin strehuar udhëheqja më e lartë dhe shtabi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore të kinës”
SOM 2
“Çu En Lai ishte informuar për situatën që po kalonim ne si vend, vështirësitë për sigurimin e bukës së gojës, e na afroi ndihmë. ”Ju keni nevojë e ne do ju japim ndihma ushqimore për popullin mik shqiptar“ -pohoi ai. Nuk e prisnim këtë propozim, ndaj u befasuam, por e pritëm me shumë kënaqësi këtë pohim të tij. U lidhëm me Tiranën nga ku na konfirmuan se i mirëprisnim këto ndihma, e mundësisht të ishin ndihma në produkte ushqimore, veçanërisht oriz. Takimi me Çu En Lain për ne qe i suksesshëm, për faktin e ndihmave ushqimore që na premtoi, që në fakt dhe u realizuan më pas”
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimi i gjeneral Halim Ramohitos: Takimi i delegacionit shqiptar me Mao Ce Dunin në Pekin në tetor të vitit 1954 dhe mbresat që përjetova unë në këtë takim.
-Biseda e Ramohitos me Mao Ce Dunin, vlerësimi i mikpritësit për luftën Nacionalçlirimtare dhe interesimi që shfaqi Mao për ushtrinë e Shqipërisë dhe nivelin e përgatitjes së saj.
-Çfarë u përfitua nga eksperienca e ushtrisë e mbrojtjes së vendit dhe si u aplikua kjo eksperiencë në ushtrinë shqiptare.
U shit gjithe ky aviacion …vetem saliu e di se kujt eshte shitur gjithe keto aviona , makineri industriale … se gjoja Shqiperia paskish qene ne borxhe prej komunizmit , dhe duhej me patjeter ti paguante … po mire keto shtetet pse se ndihmuan te jepnin ndihma financiare , te thoshnin ore dale keta dolen nga komunizmi , hallall ja kemi fal borxhet … jepni buk cfare i duhet shqipetarit … por na erdhi nje ambasador nga amrika me 1 milion dollare … Per sa i perket doktrines markiste …se po na dalin shume dokumentare , reportazhe , libra spekulluese qe po pergenjeshtrojne demorkacine e vertet “Socializmin” … duan te manipulojne mendjet e njerezve sikur socializmi eshte nje sistem ekonomik negativ dhe se Markis e ka teorin te pasakt deri diku … por kush jane keta qe sot kritiojne teroine e Marksit , spekullojne per socializmin , qe na dalin me tituj filozofash , gazetare dhe analiste etj … jane funderrinat , qe punuan gjate socializmit , duke u shtirur si besnik te vendeve socialiste , benin tipat e egerr , vrisnin njerez te pafajshem , jepnin deponime te huajve per te stabilizuar ekonomite socialste … e plot krime qe vetem ata i dine se sa bukur punuan … por pse , per cfare arsye ? … ja per te fituar lirine e tyre , per te bere tregti , per te shfrytezuar barbarisht fuqine puntore per interesa personale … duke shkaterruar cdo rezerve dhe burim natyror … Agjenturat jane te verteta , mjere ai qe nuk kupton … kjo krize ekonomike , shoqeri e degjenruar …eshte nje fakt i madhe , qe socializmi kish te drejte …