Zbulohen planet e fluturimit të avionëve dhe foto-faktet nga Rinasi: Shqipëria ka thyer embargon kundër Libisë së kolonel Gedafit. Pikërisht kur rregjimi diktatorial ishte në grahmat e fundit në shtator 2011.
Raporti i OKB-së, si funksionon skema: MEICO shqiptare e lidhur me sekserë ukrainas, armenë dhe arabë, ndihmohet nga oficerë të korruptuar moldavianë nën mbikqyrjen e serbëve si zakonisht.
Korrespodenca: Qeveria e Berishës tenton të mashtrojë fillimisht OKB-në “me ndërrimin e kursit të fluturimit jashtë hapësirës shqiptare”. Pasi zbulohet e vërteta, Tirana i shkruan OKB-së se ka ndodhur… një “gabim njerëzor”!
Përsëri ‘gjeneral’ Imami kapet “rob” me thyerje embargoje të OKB-së ndaj Libisë
Skandalet me armët shqiptare në të katër anët e botës ndoshta nuk përbëjnë më lajm madje as në epokën e post Gerdecit. Por skandali i rradhës është i veçantë, sepse në këtë rast nuk kemi denoncim nga “deputetë të bezdisshëm opozitarë” si Braçe me vandakët me dokumenta sekrete të dikasterit Imami. Nuk kemi denoncim nga “letra higjenike e markës Neë York Times”, as filmime predhash shqiptare në Kongo nga një farë agjensie lajmesh e quajtur Reuters. Madje madje këtë rradhë nuk janë as Ëikileaks-at e zakonshme që u nxjerrin bojën “patriotëve shqiptarë”, që nga dashuria për Atdheun bashkëpunojnë me kontrabandistë famëkeq serbë armësh.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Vetë Këshilli i Sigurimit i OKB-së nëpërmjet një paneli ekspertësh ndër më të mirët të fushave përkatëse ka provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm,me dokumenta, foto, letërpërgjigje zyrtare dhe intervista se Shqipëria ka thyer embargon kundër Libisë së Kolonel Gedafit, pikërisht kur rregjimi diktatorial ishte në grahmat e fundit në shtator 2011. Nëpërmjet firmave fantazmë, dhe sekserëve batakçinj, ukrainas, armenë, arabë nga Emiratet e Bashkuara, me ndihmën e oficerëve të korruptuar moldavianë nën mbikqyerjen e “vellezërve” serbë si zakonisht, Shqipëria e përfaqësuar nga ndërmarrja shtetërore Meico ka eksportuar me avion direkt nga Rinasi në Libi, 800 000 fishekë mitrolozi kundërajror kalibër 12,7X108mm.
Korrespodenca OKB-Qeveri shqiptare
Paneli i ekspertëve të OKB-së përbëhej nga: Salim Raad nën/kolonel libanez koordinator i panelit, eksperti ebre Simon Dilloëay, eksperti rajonal e komunitar anglez Theodore Murphy, ekspertja italiane Giovanna Perry dhe ekspertja franceze e armëve të vogla e të lehta Savannah de Tesseieres.
Ky panel pas muajsh pune të lodhshme, duke shfrytëzuar burime informacioni të hapura e të klasifikuara, duke vizituar vendet problematike përfshirë Shqipërinë (17-19 dhjetor 2012), duke dërguar letra zyrtare autoriteteve armene, ukrainase, arabe, moldaviane e shqiptare ka provuar thyerjen e embargos. Autoriteteve shqiptare si Meico, Ministria e Jashtme, Autoriteti i Aviacionit Civil apo edhe Ministria e Mbrojtjes u janë dërguar dy letra me kërkesë për shpjegime. Autoritetet shqiptare kanë dhënë shpjegime të pjesshme vetëm për njërën nga letrat. Autoritetet shqiptare janë kontaktuar në 30 prill 2012, (tema: thyerje embargoje), më 6 nëntor 2012 për të fiksuar vizitën dhe takimet me autoritetet shqiptare. Këtë korespondencë DITA e zotëron të plotë, për këtë mund të konsultohen faksimilet e dokumentave.
Operacioni për thyerjen e embargos u organizua me pjesëmarrjen dhe dijeninë e autoriteteve të ndryshme shqiptare si edhe me ndihmesën e sekserëve të ndryshëm të huaj. Historia e kësaj thyerja embargoje vijon si më poshtë:
Historia e thyerjes së embargos
Në 10,11 dhe 12 shtator 2011 nga Rinasi në drejtim të Libisë fluturuan tre avionë tip IL 76-TD (kapaciteti reth 45 ton ngarkesë) të prodhimit ish sovjetik. Avionët me ngarkesën me fishekë kundërajrori të prodhimit kinez, sovjetik dhe të Poliçanit i përkisnin kompanisë private armene AYK AVIA. Udhëtimet u kryen me nga një avion në ditë.
Kjo histori thyerjeje embargoje filloi në korrik 2011, kur firma gjysëm shtetërore armene DG Arms Corporation(me lidhje të vjetra me mafien e armatimeve në trekëndëshin Serbi -Mal i Zi – Shqipëri) kontakton Meico-n me ndihmën e sekserëve serbo-sllavë për të blere armatime të tepërta stok të ushtrisë shqiptare. Meico kërkon ndërhyrjen e firmave të tjera shtetërore nga hapësirat ish sovjetike. Në këtë moment shfaqet firma ukrainase UKRINMASH filial i firmës shtetërore ukrainase të armatimeve UKRSPECEXPORT. Kjo firmë me dokumenta rezulton si importuese e këtij municioni kundërajror, por me ndërmjetësinë e firmës armene DG ARMS CORPORATION. Firma ukrainase i bleu municionet me qëllim shitje në favor të firmës private International Golden Group, që ka kontakte solide me autoritetet e sigurisë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Qeveria shqiptare mashtron edhe OKB-në
Nisja u bë nga Rinasi dhe avioni i parë me numër regjistrimi EK.76599 fluturoi drejt e në Libi duke bërë një ndalim në aeroportin e Zarzis-it në Tunizi. Dy avionët e tjerë bënë të njëjtin udhëtim në ditët në vijim. Më pas këta avionë shkuan në Moldavi (aeroporti i Kishinjaut), ku morrën një ngarkesë me armë,këtë rradhë për në Jerevan, në Armeni. Kjo histori doli në median moldave, dhe kryeministri moldav pushoi nga puna shefin e shtabit të ushtrisë moldave (shtator 2011).
Autoritetet shqiptare në fillim e justifikuan këtë shkelje embargoje,me ndërrimin e kursit të fluturimit të avionëve jashtë hapësirës ajrore shqiptare. Fatmirësisht ekspertët e OKB-së zbuluan planet e fluturimit të avionëve të depozituara pranë autoriteteve shqiptare në Aeroportin Nënë Tereza Tirana, ku shkruhej qartë, që destinacioni final i këtyre avionëve armenë nuk ishin Emiratet e Bashkuara Arabe por Libia.
Pas këtyre fakteve të pakundërshtueshme, autoritete shqiptare u justifikuan me të ashtuquajturin “gabim njerëzor”, si edhe me mungesën e vigjilencës së personave të veçantë për të vepruar në kohë, me qëllim që të pengohej kjo thyerje flagrante e embargos së Kombeve të bashkuara ndaj Libisë.
Autoritete shqiptare zyrtarisht u bënë të ditur përfaqësuesve të OKB-së, që kishin filluar një hetim të brendshëm për këtë shkelje embargoje. Deri tani askush nuk është ndëshkuar për këtë rast të shkeljes së embargos,madje episodi është mbulluar nga terri informativ. Kjo lloj “omertaje” mafioze është aq flagrante saqë edhe deputetët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë nuk lejohen të kontrollojnë në “bunkerin” Imami. Një qëndrim i tillë të bën të mendosh se episodi i mësipërm është vetëm maja e ajsbergut të kontrabandës së armëve.
Episode të tjerë dhe anija e çuditshme
Episode të tilla si eksporti i predhave për bazuka kalibër 40mmdrejt Burkina Fasos apo importimi i minave kundër këmbësorisë nga SHIU në shkelje të Konventës së Otavës, ku ka aderuar vite më parë edhe Shqipëria, janë disa nga indiciet, që tregojne pse Ministri Imami, nuk lejon kontrollin civil mbi forcat e armatosura shqiptare. Priten edhe skandale të tjera ende nën hetim nga OKB-ja përsëri në kuadrin e thyerjes së embargos ndaj Libisë. Në këtë rastin e dytë embargoja është thyer me rrugë detare. Anija embargo-thyese është me flamur përsëri të Moldavisë, me pronar shtetas shqiptar, por grekofon minoritar, me ekuipazh të përzierë shqiptar.
Kjo anije ka qenë e përfshirë në procese gjygjësore me doganat shqiptare për kontrabandë me hekur ukrainas, gjë që për koincidencë nuk i është nënshtruar të ashtuquajturës analizë risku, që aplikojnë doganat shqiptare. Normalisht edhe në dy rejset e kësaj anije (korrik dhe shtator 2011) me destinacioni portin e Tarabullus-it (Tripoli) sekserët kanë qenë serbë.
Moldavia shkarkon, Shqipëria e NATO-s, jo!
Moldavia shtet thjesht shtet anëtar i Iniciativës “Partneritet Për Paqe” menjëherë shkarkoi shefin e shtabit të ushtrisë për thyerje embargoje të OKB-së përsëri ndaj Libisë, ndërsa Shqipëria vend anëtar me të drejta të plota i NATO-s nuk ndëshkon askënd për thyerje flagrante të embargos së vendosur nga OKB-ja. Në rastin e Shqipërisë me cinizëm mund të citojmë thënien e Kryeministrit Berisha, kur Shqipëria u pranua në NATO:
THIS IS A MIRACLE. Po, është një mrekulli! Një mrekulli korrupsioni, një mrekulli nëpërkëmbje të dinjitetit të shtetit shqiptar, një mrekulli ku peshku qelbet krejt mrekullisht nga KOKA!