Rrëfim i Gjeneralit 88 vjeçar për vitet e tij në Traktatin e Varshavës
Halim Ramohito: Ndërhyrja për zgjidhjen e incidenti në portin e Kaspikut dhe kthimi në atdhe i 60 marinarëve të mbajtur peng në qytetin rus Poti!
Tensioni në kulm, incidenti i fundit, ikja e rusëve nga Baza e Pashalimanit dhe ndërhyrja e palës shqiptare për zgjidhjen e incidenti në portin e Kaspikut dhe kthimin në atdhe të 60 marinarëve të mbajtur peng në qytetin rus Poti, janë objekt i rrëfimit në vazhdim nga gjeneral Halim Ramohitos për ‚Dita‘…..
(Vijon nga numri i kaluar)
Çfarë ndodhi në Bazën Ushtarake të Pashalimanit gjatë e pas ikjes së sovjetikëve?
-Ikja e tyre, në fakt ishte një festë jo vetëm për efektivat e Bazës, ushtarë, kuadro por shumë më gjerë… Në çastin e ikjes së tyre, i veçantë ishte dhe momenti kur ju raportua situata Mehmet Shehut:“Rusët ikën nga Shqipëria!”
Çfarë ju raportua Mehmet Shehut?
-Veterani partizan, Abdi Mati, kuadri më i përgatitur e njëkohësisht nga të parët organizator, drejtuesi i FLD, shoku jonë i mirë, biri i krahinës së Matit, sa u nisën për lundrim sovjetikët mori menjëherë mikrofonin për ti njoftuar Qeverisë Shqiptare, nëpërmjet kryeministrit Mehmet Shehu, largimin e Flotës Sovjetike nga ujërat territoriale . Abdiu, sa filloi raportimin për kryeministrit e vendit (fonia ishte e hapur), midis të tjerave i pohoi se sovjetikët në ikje kishin vjedhur e plaçkitur në të gjitha depot e mjediset…
Si reagoi Mehmet Shehu?
-Mehmeti ndërhyri duke thënë:”Mirë! M’i thuaj më vonë ato gjëra, tani Abdi dua të më thuash se a u shporrën Sovjetikët nga baza dhe ujërat tona territoriale!?”. Abdi Mati, prerë por pa e fshehur gëzimin, i ri konfirmoi lajmin për ikjen e tyre… Por dhe pse ikën, me rusët pati dhe incidente e probleme të tjera, ndër të cilët dhe incidenti në portin Poti të Kaspikut….
Si u zgjidh incidenti në portin Poti të Kaspikut?
-Gjatë periudhës së mosmarrëveshjeve tona me sovjetikët, u ndodhën për riparim në kantierin detar të qytetit Poti në detin Kaspik. Ishin dy anijet tona gjuajtëse kundër nëndetëseve me një ekuipazh prej 60 marinarësh dhe oficerët drejtues të tyre. Sovjetikët u kishin dhënë urdhër atyre të linin anijet dhe të largoheshin menjëherë për në Shqipëri. Marinarët tanë, të cilët ishin të gjithë të armatosur me kompletet e rezervat përkatëse luftarake, u mbyllën në mjete, të vendosur për qëndresë dhe e kundërshtuan këtë urdhër me vendosmëri këtë urdhër. Me këtë rast, komandanti i tyre Kundëradmirali Abdi Mati u dha urdhër që ti linin anijet, të merrnin me vete armatimin, të paketuar dhe të ktheheshin në Shqipëri. Kështu u zgjidh dhe ky incident që mund të kishte edhe pasoja.
Si e gjykoni sot pas shumë dekadash këtë situatë?
-Hap dhe shikoj shënimet e mia të asaj kohe, rikthej kujtesën, e, teksa lexoj e dëgjoj shumë të thëna e të pa thëna për ato viteve, me keqardhje konstatoj se dhe spekulohet për shumë ngjarje… Pra, thuhet e flitet shumë të bëra e të pabëra rreth situatës, qëndresës, konflikteve, e vendimeve përkatëse të Qeverisë. Mes tyre, specialistë, por dhe analistë e politikanë të ndryshëm japin mendime lidhur me vendimin tonë për daljen nga Traktati i Varshavës, që do të mbetet historik. Por më duket se në gjykimet e tyre ata po e shikojnë shumë ngushtë këtë problem, pasojat e tij, duke u ndalur vetëm në konkluzionin se ky vendim për largimin e Sovjetikëve nga Baza Detare Lundruese e Pashalimanit, qe një vendim me të vërtetë i drejtë… Por duke qenë specialist ushtarak, person që kam qenë në kontakt e përgjegjës para ushtrisë e vendit tim për shumë kohë pranë Shtabit Qendror të Traktatit të Varshavës e Atashe Ushtarak në Moskë, kisha, e për më tepër kam mendimin e bindjen që po e argumentoj shkurt më poshtë.
Cili është argumenti juaj?
-Dalja nga Traktati i Varshavës, ikja e rusëve nga Pashalimani, dhe qëndrimi i Qeverisë Shqiptare qenë të motivuar. Qe vendim i guximshëm, e në interes të vendit tonë. Por Enver Hoxha nuk e shfrytëzoi këtë rast ideal që ju paraqit për ta hapur vendin tonë, më së fundi, drejt Europës, që për konsekuencë mund ti sillte atij e vendit një situatë shumë më të favorshme jo vetëm politike-ushtarake, por sidomos ekonomike. Ky arsyetim mendoj se është i drejtë por jo i plotë. Mendoj se vendimi për daljen e vendit tonë nga Traktati i Varshavës dhe përgjithësisht shkëputja jonë ushtarakisht e politikisht nga Bashkimi Sovjetik dhe Blloku Lindor, duhet ta shikojmë më thellë e më gjerë në të gjitha aspektet, me të gjithë pasojat e më vonshme që ajo solli, disa prej të cilave, mund të jenë dhe këto që do të rendis në këto shënime.
Më konkretisht në këtë drejtim?
-Ky vendim historik, gjatë analizës që i bëjnë asaj historianët mendoj se kërkon edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve: 1-Sa influencoi largimi i forcave ushtarake detare të një superfuqie siç ishte Bashkimi Sovjetik, nga baza jonë Luftarake Detare e Vlorës, në zhvillimet politike, ushtarake dhe ekonomike, sidomos ato të shkallës gjeopolitike e gjeo-stategjike për vendet që lagen (kufizohen) me detin Adriatik, Jon, Mesdhe e më gjerë në Europë. 2-Sa influencoi vendimi jonë i marrë në atë kohë, vendimi edhe për shembjen e Murit të Berlinit më pas, në situatën në Ballkan dhe sidomos në situatën në Kosovë, ku dihet se bazat tona Aero-Portuale e tokësore, përfshi edhe të Pashalimanit që zotëroheshin në atë periudhë nga Sovjetikët, me largimin e tyre, në vitin 1999 u vunë me të drejtë në dispozicion të NATO-s , që siç dihet luajtën dhe ato një rol të rëndësishëm në luftën e çlirimit të Kosovës nga genocidi Serb.
Pohuat se përplasja për Pashalimanin e dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës ka gjetur mbështetje të gjerë?
-Po. Më ka lënë mbresa vlerësimi që i ka bërë shkëputjes së vendit tonë nga Blloku Lindor në ishullin e Sazanit ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Admirali gjerman Verner, ku nën takimin në vend me ushtarakë e marinarë shqiptarë u shpreh: ”Ju ushtarakët shqiptar meritoni të mburreni me historinë tuaj, kjo edhe për faktin se ju guxuat të parët që vendi juaj i vogël të mos jetoj nën sqetullën e një fuqie të madhe të kohës siç ishte Bashkimi Sovjetik, kur në atë periudhë, shumë shtete më të mëdha e më të fuqishëm se ju nuk e bënë këtë që bëtë ju!”.
Diçka për daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës?
-Po. Më datë 28 gusht të vitit 1968 Kuvendi i Republikës Popullore të Shqipërisë, pas pushtimit të Çekosllavakisë nga forcat Sovjetike dhe ato të Traktatit të Varshavës, me përjashtim të Rumanisë, duke e vlerësuar si një ndërhyrje të tipit fashist, u mor dhe një vendim i rëndësishëm lidhur me raportet e ndërprera të vendit tonë me Rusinë e Traktatin e Varshavës që në vitin 1961. Kuvendi, me një ligj të veçantë, anuloi dhe ligjërisht pjesëmarrjen e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës.
Të kthehemi tek aktiviteti juaj disa vjeçar në selinë e Traktatit të Varshavës në Moskë, konkretisht tek mbresat e marrëdhëniet me kolegët?
–Jeta dhe puna ime si Atashe Ushtarak në Moskë dhe përfaqësues i Ushtrisë Shqiptare në Komandën e Bashkuar të traktatit të Varshavës lidhej me shumë kolegë të vendeve të tjera pjesëmarrëse. Për punën, komunikimin, konsideratat, ndihmën, kam shumë për të thënë… Kështu, Marshalli Budioni, me trup mesatar por të lidhur, me ato mustaqet e tij karakteristike vesh më vesh, sapo i bëra kërkesë në vitin 1959 më priti në një zyrë të veçantë apostafat për ‚të në ministrinë e Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik. I dorëzova një letër urimi nga Enver Hoxha me rastin e 75 vjetorit të lindjes. Letrën e priti me kënaqësi. Me gjithë moshën e kaluar, dukej energjik e pothuaj në humor. Gjatë bisedës më tha:’Transmetoi Enver Hoxhës falënderimin për urimin se dhe vitet e para të revolucionit s’i llogaris si moshë. Ditëlindja ime fillon që nga dita e Revolucionit, 7 nëntori 1917’. Marshalli
vlerësoi shumë kontributin e popullit tonë luftën e Dytë Botërore, si aleat e bashkëluftëtar i Koalicionit Antifashist.
Po takimi me Marshallin rus Voroshillov?
-Po. Në pritjen me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale të ambasadorit tonë Nesti Nase Kryetarit Sovjetik Suprem të Republikave Sovjetike në nëntor të vitit 1957, për herë të parë takova Marshallin Voroshillov. Emrin e tij e kisha dëgjuar që gjatë luftës Nacionalçlirimtare. Marshalli në këtë takim na foli për miqësinë ndërmjet popullit sovjetik e atij shqiptar duke bërë edhe vlerësime për kontributin e madh të popullit tonë në luftën e Dytë Botërore. Bisedën, Voroshillovi, e shoqëronte me shaka dhe anekdota. Më kujtohet se në fundin e bisedës na tha se të gjithë së bashku na duhet të kryejmë dhe një detyrë tjetër, se këtë e kërkojnë me insistim dhe këta fotografët që janë këtu në sallë. Me gjithë kërkesën e drejtë të tyre, për mua-tha ai-, ata janë diktatorë të vegjël. Siç dihet, Voroshillovi u bashkua me Hrushovin në dënimin e kultit të Stalinit. Por kur e pa se Hrushovi shkoi shumë larg në këtë luftë e veprimtari, u nda prej tij. Kujtoj këtu dhe Marshallin legjendar Timoshenko…
Çfarë kujtoni nga takimet me ‘të?
-Isha në një stërvitje që u zhvillua në Ukrainë, në rajonin e qytetit Kllaç, pikëtakimi ky i armatave Sovjetike. Në këtë stërvitje, mes të tjerëve takova Marshallin Timoshenko. Kisha dëgjuar për ‘të që gjatë luftës partizane si një ushtarak i suksesshëm në luftën e Ushtrisë së Kuqe ndaj pushtuesve gjermanë. Marshalli legjendar i Revolucionit, tani dukej i plakur dhe i sëmurë. Kur shikonim nga tribuna e vëzhguesve e kësaj stërvitje hedhjen e një divizioni desantësh ajror në brigjet e lumit Don, Marshalli, para syve tanë, u rrëzua në tribunë dhe kështu u detyrua të largohej nga stërvitja. Siç dihet, Marshallët Budioni, Voroshillov dhe Timoshenko, janë “Heronj të Revolucionit të Tetorit”… Marshallët Voroshillov, Budjon e Timoshenko, Stalin i ngarkoi të organizonin në prapavijë të trupave naziste një lëvizje guerile partizane që siç e vlerësonte vetë Stalini, do të luante rolin e Frontit të Dytë në prapavijën e forcave pushtuese naziste. Nga brezi i ushtarakëve më të lartë e nga më të lavdishmit, me autoritet të padiskutueshëm që kishin udhëhequr FA Sovjetike bashkë me aleatët anglo-amerikane, njiheshin e vlerësoheshin në Rusi dhe Traktatin e Varshavës, Marshallët Zhukov, Roskov e Konier. Marshalli Zhukov, jo vetëm në Forcat e Armatosura të Bashkimit Sovjetik, por edhe nga gjithë populli sovjetik e më gjerë, njihej e vlerësohej si strateg i madh ushtarak. U dallua që në rininë e tij në rrethimin dhe likuidimin e një grupi ushtarak Japonez në rajonin e Hallkingolit në Mongoli, më pas si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike, komandant i së cilës ishte Stalini. Në cilësitë e Zëvendës Komandantit të Përgjithshëm, ai komandoi e drejtoi dhe Paradën e fitores në luftën e dytë Botërore.
Takimet e njohjet tuaj me Zhukovin, 5 herë ‘Hero i Bashkimit Sovjetik’?
-Ai ishte e mbetet një nga strategët ushtarak e njeriu më popullor në ish-Bashkimin Sovjetik. Kam pasur takime në Moskë dhe në ardhjen e tij në Shqipëri, për të cilat do flas në vazhdim… Pas vitit 1956, me dënimin e kultit të individit të Stalinit dhe ardhjen në krye të shtetit Sovjetik të Hrushovit, nga të parët që u rehabilitua, ishte dhe Zhukovi. Ai u ngrit në detyrën e ministrit të Mbrojtjes si dhe në udhëheqjen më të lartë partiake. Ky emërim i tij, siç dukej, në atë kohë i duhej Hrushovit për të forcuar edhe më shumë pozitat e tij, sidomos në ushtrinë Sovjetike. Më vonë, Marshallin Zhukov, Moskalenko,, e përdori në interes të Zhukovit për të eliminuar kundërshtarët në ministrinë e Punëve të Brendshme, në krye të të cilëve ishte Beria… (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Gjeneral Ramohitos: Çfarë biseduam dhe çfarë konstatova si shoqërues i Marshallit Zhukov gjatë vizitës që bëri ai në Shqipëri nga data 7 deri më 17 dhjetor të vitit 1957.
-Si i vlerësoi Zhukovi stërvitjen e ushtrisë shqiptare, përkatësisht atë komplekse në Voskopojë të Korçës dhe atë treguese në Shkollën e Bashkuar në Tiranë.
-Çfarë konstatoi dhe çfarë kërkoi Marshalli Zhukov gjatë vizitës në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit. Si u shkarkua Zhukovi në ajër gjatë kthimit në Moskë nga vizita në Shqipëri.
Andi Mati…E kam njohur ne një takim te letrareve te rinj aty nga viti 1979-80,ne Durres!Kish ardhur te takonte e degjonte Ismail Kadare qe erdhi mes nesh dhe letraret e Tropojes,me Besnik Mustafajin ne krye plotë servilizem dhe pse jo lepirje,nuk e linin Kadare te merrte fryme dhe takonte miqte dhe te tjeret…Histori me vete kjo me “poetet”e Tropojes qe kishin mbire si kerpudhat dhe dominonin “Zerin e Rinise”nga klani qe kishin krijuar dhe qe ne saje te Alise,e forcuan me Mehmet Elezin dhe me vone me Berishen,si dhe dihet…Aty kam njohur Abdi Matin dhe bashke shkuam dhe vizituam Vilen e Zogut ne koder mbi Durres.Ai me tregoi se kishte drejtuar floten tone detare…kishte luftuar me sovjetiket,por ishte tejet i merzitur me te tashmen,pa shfaqur zemerime te medha…Kishte dhe te tjere,mes nesh,si Prec Zogaj,pershembull,qe e degjonin me vemendje.Ate dite e njoha,nga ajo dite nuk e kam pare me!Ku perfundoi?Si ishte karrjera e tij dhe perse ishte aq i merzitur,si mu duk?Si nje margaritar qe e gjen padashur mu duk dhe padashur e humbet!Nuk kam harruar dreken,kafen dhe biseden qe per disa ore beme se bashku.Kishte qene komandant i flotes sone,nuk ishte me…kish ardhur vetem te takonte e bisedonte me Kadare.Foli pak me te se nuk e lane”poetet e Tropojes”.Nuk di nese ishte Saliu ate dite se edhe ai,di mire,shkruante vargje,kenge majakrahi,si thoshin tropojanet,qe mes mediokerve kishin edhe ndonje poet te mire,si Ndoc Papleka,(nuk ishte i ri),Muje Bucpapa,e ndonje tjeter….Abdi Mati i ironizonte shume tropojanet!Kush di me shume per te ?…