Rrëfim i gjeneralit 88-vjeçar për karrierën e gjatë në ushtri
Ramohito: Shkak i sherrit, qëndrimi jonë për Bazën e Pashalimanit. Jugosllavët u vunë në shërbim të rusëve për të na detyruar të ndryshonim qëndrimin!
Ju pohuat se bëtë Inspektim ushtarak dhe në Gjermani, duke qenë mik në shtëpinë e kolonelit mikpritës?
-Po. Në këtë udhëtim, koloneli gjerman ishte bashkë me të shoqen. Dhe kjo një nga kuadrot e vjetra të luftës, me detyra të rëndësishme në administratën qendrore të vendit të tyre, ashtu si dhe i shoqi i saj në ushtri. Si miq familjarë që u bëmë, më ftuan e vajta për vizitë edhe në shtëpinë e tyre.
Çfarë të bëri përshtypje nga kjo vizitë?
-Një mikpritje e respekt të dukshëm për mikun, me mirëseardhjen, qerasjen tradicionale e bisedat pa komplekse e nëntekste. Më treguan edhe vilën e tyre të mrekullueshme që e kishin në periferi të Berlinit. Në një moment, gjermani më tha: ”Gjeneral, po i përgjigjem tani pyetjes tënde që më bëre në Moskë. Gjermania, është e vërtetë se pas çdo lufte, është rimëkëmbur shpejt si në Lindje, ashtu dhe në Perëndim. Kjo për faktin se gjermanët, përveçse forcës organizative dhe disiplinës që na karakterizon si komb, që në fëmijëri, marrim edukatën e punës dhe përgatitjen profesionale. Mos u çudit kur të them se edhe ministrat tanë dinë të bëjnë mure. Ç’bëni ju atje në Shqipëri për të kalitur rininë… Në këtë ndërtesë që sheh ti, kanë punuar për ta ngritur e punojnë për ta mbajtur edhe dy djemtë e mi. Ata i kanë këtu në shtëpi të gjitha veglat përkatëse të punës, për të bërë mure, për të bërë lyerje, për sistemin elektrik, hidraulik, etj…”
Si dhe pse ndodhi incidenti mes jush dhe gjeneralëve jugosllavë në Shtabin e NATO-s?
–Shoh në një ditë shkurti të vitit 1961, të vendosen në një zyrë afër zyrës time, në Shtabin kryesor të Ushtrive të Bashkuara të Traktatit të Varshavës Gjeneralë dhe oficerë jugosllavë. Pyes shefin tim direkt, Gjeneral Gusevin: ”Ç’janë këta ushtarakë të lartë jugosllavë që keni sjellë këtu? Nga sa di, qeveria e tyre në Beograd, të paktën ‘De Jure‘, nuk është pjesëtare e Traktatit të Varshavës. Ju, me këtë veprim, e bëtë këtë fakt të kryer?!”
Çfarë përgjigje morët?
-Gusevin m’u përgjigj: “-Hrushovi thotë ashtu, e kështu…!” Unë i përgjigjem gjeneralit: “-Meqë ju po rehabilitoni ‘De Facto‘ Jugosllavinë edhe me këtë veprim, mua s’më mbetet gjë tjetër veçse të marr kapelën dhe të largohem nga zyra që kam këtu pranë tyre në këtë Komandë!” Në një kat të ndërtesës së Ministrisë së Jashtme Sovjetike ishin vendosur zyrat e organeve Sovjetike, të koduara këto, si Drejtoria e Inxhinierisë, drejtori kjo që merrej me shitblerjen e armëve në shumë shtete të botës, etj. Shikoja se jugosllavët i frekuentonin këto zyra me shumicë(ushtarakë të shumtë e të rangjeve të ndryshme) dhe pothuaj përditë.
Diçka për takimin tuaj me 1500 studentët tanë në Moskë në kohën e acarimit të situatës Shqipëri-Bashkimi Sovjetik?
-Po. Ishin mbi 1500 studentë, oficerë dhe kursantë tanë ushtarakë që ndiqnin më 1961 studimet në Universitetet Akademike dhe Shkollat Ushtarake në 44 qendra të Bashkimit Sovjetik. Gjatë kontakteve të mia direkt me ta, në maj të vitit 1961, unë i informova ata jo vetëm për qëndrimet e Partisë tonë të Punës në mbledhjen e Bukureshtit dhe në takimin e Partive Komuniste në Moskë, por kryesisht u ndala në hapat që po merr qeveria sovjetike, prapa shpine, situatën në vendin tonë në fushën ushtarake, etj… Gjithashtu, unë i informova njerëzit tanë edhe për faktin se sovjetikët, në kundërshtim me marrëveshjet, mjetet dhe bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit duan t’i përdorin për qëllime ekspansioniste të tyre në Mesdhe e më gjerë.
Mes tyre ishte dhe një ushtarak i lartë shqiptar që refuzoi të kthehej në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve?
-Studentët dhe ushtarakët tanë, nga sa i informova, i kuptuan rreziqet që i kanoseshin vendit tonë dhe u sollën si patriotë të vërtetë, me përjashtim të 4-5 vetave. Njërit prej tyre, Nënkolonelit Jani Lufi, sovjetikët ja shpërblyen dezertimin e tij nga shokët dhe nga Atdheu, duke e graduar gjeneral të ushtrisë sovjetike, duke e dërguar më pas si shef Shtabi Korpusi në zonën Jaraçno, afër Çeçenisë. Ishte situatë e rënduar dhe patëm shumë provokacione…
Mund të na përmendni disa nga këto provokacione?
–Po, së pasi, provokacioni i KGB-së në takimin me 500 studentë e Leningradit. 1500 studentët dhe ushtarakët tanë, që më pas, me prishjen e marrëdhënieve më 1961-shin ndërprenë studimet e erdhën në Shqipëri, ishin patriotë të vërtetë, pavarësisht se më pas Enver Hoxha e bashkëpunëtorët e tij më të afërt në krye të ushtrisë e të shtetit i përdori, për të mbajtur karrigen e regjimin. Në të njëjtën periudhë, ato ditë, unë mblodha e kontaktova për situatën e rënduar edhe me 500 studentët tanë (civilë e ushtarakë) që vijonin studimet në Leningrad, të mbledhur në një nga sallat e mëdha të universitetit të njohur. Ishte një takim i zjarrtë, një takim në të cilin unë jo vetëm pashë tek fytyra e gatishmëria e djemve e vajzave tona dashurinë e pakufishme për atdheun, gatishmërinë për të përballuar çdo sakrificë e presion, por edhe gjeta mbështetje për të përballuar e përmbushur detyrën time në “strofkën e ujqërve”, që duhet thënë, ishte një detyrë e vështirë. U mblodhëm të gjithë në një sallë të madhe, pasi punonjësit e Sigurimit të Leningradit, me urdhër nga Moska, na nxorën jashtë me forcë. Bashkëbisedimi në natyrë, hapur, me studentët, pas atij provokimi të radhës, qe më bindës e më rezultativ.
Kjo është dhe periudha në të cilën Moska e shpall gjeneral Ramohiton ‘Non-Grata!’?
-Po. Për këtë veprimtari timen, në kundërshtim me të gjitha normat e mirësjelljes dhe ato diplomatike-ndërkombëtare, qeveria sovjetike mori një vendim arrogant dhe të paprecedent, të më largojë brenda 24 orëve nga Bashkimi Sovjetik. Ja më poshtë dokumenti arkivor për këtë çështje: Më 19 maj 1961, Ambasadori jonë në Moskë u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe ju komunikua se: “Qeveria Sovjetike e konsideron të pamundur qëndrimin e Gjeneral Ramohitos dhe kërkon largimin e tij brenda 24 orëve nga territori i Bashkimit Sovjetik, për arsye se ai në një mbledhje me studentët dhe ushtarakët Shqiptarë në Universitetin e Leningradit, ka shpifur kundër Bashkimit Sovjetik”.
Si kundërpeshë, po nga qeveria shqiptare pati reagim të njëllojtë?
-Po. Për shkaqe diplomatike, por dhe të ndërhyrjes së paprecedente të ushtarakëve rusë në njësitë tona, për veprimtari të fshehtë sidomos në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit, qeveria Shqiptare largoi nga vendi ynë Gjeneral Kolonelin Andrejev, Shef i grupit të Ushtarakëve Sovjetikë të Traktatit të Varshavës pranë ministrisë tonë të Mbrojtjes si dhe të Atasheut Ushtarak Sovjetik në Ambasadën e tyre në Tiranë, kolonel Titovit. Shumë qëndrime të rusëve ndaj shqiptarëve, u reflektuan dhe pas 38 vitesh…
Më konkretisht?
-Po. Në ngjarjet e Kosovës, rusët ishin pro Millosheviçit. Teksa shfletoj sot ditarin tim të dikurshëm i rikujtoj ato kohë të vështira, rolin e qëllimin rus ndaj Shqipërisë e kombit Shqiptar, konstatoj se i njëjti qëndrim është mbajtur dhe tani, veçanërisht në vitin 1999, në luftën e Kosovës. Roli i aleatit tonë të dikurshëm, ish-Bashkimit Sovjetik, lidhur me ngjarjet e vitit 1999 në Kosovë, ka qenë në fakt armiqësor. Kështu, në këtë genocid, pas atij të nazistëve, mu në qendër të Europës, në Kosovë, serbët u mbështetën e mbajtën shpresat tek vëllai i tyre më i madh, rusi. Kjo mbështetje, ishte jo vetëm politike, por dhe ushtarake e ekonomike. Kjo u manifestua deri atje, deri në gatishmërinë e dërgimit në Kosovë të kontigjenteve të tyre për të luftuar kundër UÇK-së. Disa nga këta mercenarë, lanë edhe kockat në Kosovë. Këto ndihma, kordinoheshin nga ambasadori Jugosllav në Moskë, vëllai i Millosheviçit…(Vijon nesër)
Shqipëria dhe Traktati i Varshavës, arkivat sekrete për Bazën e Vlorës
Interesimi i Traktatit të Varshavës, përkatësisht i Moskës për Bazën Ushtarake të Pashalimanit, veçanërisht në kohën e përplasjeve politike Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, kohë në të cilën gjeneral Ramohito përfaqësonte vendin tonë në këtë Traktat, kanë gjetur pasqyrim dhe në dokumentet ‘Tepër sekret’ të këtij organizmi. Ja disa nga këto dokumente, përkatësisht nga Ditari Luftarak i Traktatit të Varshavës, formuluar datë 28.03.1961:
Më 24 shkurt 1961, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, Mehmet Shehu priti përfaqësuesin e Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, Gjeneralkolonelin A.M.Andrejev, me kërkesë të P.N.Pospjellovit, kryetar i delegacionit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në Kongresin e 4-t të PPSH. Ai ngriti një seri çështjesh, në lidhje me marrëdhëniet midis efektivave shqiptare dhe atyre sovjetike në Bazën Detare të Vlorës, të cilat gjoja janë bërë pengesë për çështjet e gatishmërisë luftarake të kësaj baze.
Në lidhje me këtë, më 28 shkurt 1961, përfaqësuesi i Komandës së Bashkuar i drejtoi një letër Kryetarit të Këshillit të Ministrave të RPSH, ku përcillet informacioni: “…mbi marrëdhëniet jonormale” ndërmjet efektivit shqiptar dhe atij sovjetik, në bazën e sipërtreguar…
Nuk mund të mos theksojmë se çështjet e ngritura, për nga natyra dhe rëndësia e tyre mund të ishin zgjidhur nga komandat respektive të Bazës së Vlorës (shqiptare dhe ruse) siç ishte vepruar edhe raste më parë, aq më tepër, pa njoftuar dhe pa i shtruar ato para ministrit të Mbrojtjes, Gjeneral Kolonel Beqir Ballukut.
Në të tilla raste, me dashje apo pa dashje, lind pyetja: Pse veprohet në këtë mënyrë, pse janë akumuluar gjithë këto probleme? Është krejtësisht e qartë, se kjo nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e problemeve në interes të bashkëpunimit e rritjes së gatishmërisë luftarake të Bazës Ushtarake të Vlorës.
Konkretisht, vërtetësia e problemeve të ndara sipas karakterit të tyre, radhitet si më poshtë:
– Problemet që lidhen me bashkëpunimin në mbajtjen e rregullit e disiplinës.
Në lidhje me alarmin që u dha më 23 janar 1961, në Shtabin e FLD-së dhe ishullin e Sazanit, komandanti i Flotës së RPSH, Kundëradmirali Hito Çako, 24 orë përpara, njoftoi kapitenin e Rangut të Parë P.P. Kulik, duke i shpjeguar atij kohën dhe qëllimin e alarmit.
Vlen të theksohet se në garnizonin e ishullit të Sazanit, pas dhënies së alarmit, ishulli ziente, gjithë instruktorët sovjetikë të anijeve ishin tashmë në postet e tyre, vetëm këshilltari i Brigadës së Mbrojtjes së Rajonit të Ujërave, Kapiteni i Rangut të Parë A.A. Zavgarodnij nuk u paraqit; që quhet thyerje e disiplinës ushtarake e mungesë vigjilence, e bashkë me të dhe mungesë respekti për Komandën e Flotës së RPSH.
Është e vërtetë se, më 23 janar dhe 19 shkurt 1961, në Kanalin e Otrantos janë zbuluar anije të huaja, por nuk është i vërtetë pretendimi se instruktorët sovjetikë nuk qenë informuar për këtë. Në rastin e parë, kapitenët e Rangut të Parë P.P.Kulik dhe V.Z. Çujkov morën pjesë në analizën e situatës detare në mëngjesin e 23 janarit në Dhomën e Operativit, bashkë me Komandantin e Flotës së RPSH dhe shefin e Shtabit të Flotës.
Në rastin e dytë, grupi i anijeve të huaja në ngushticën e Otrantos është zbuluar fiks natën e 19 për 20 shkurt, ndërsa këshilltarët sovjetikë janë njoftuar për këtë mëngjesin e 20 shkurtit, në atë ditë që Zbulimi i Ushtrisë dha njoftimin se anijet e lartpërmendura i përkisnin forcave të NATO-s, që kryenin një lundrim mësimor në këtë rajon. Për këtë janë njoftuar Kapitenët e Rangut të Parë P.P.Kulik dhe V.Z.Çujkov… Pra, është e nevojshme të theksojmë se, në lidhje me lëvizje të tilla të anijeve të huaja të zhvilluara në kufijtë e manovrave të NATO-s, Komanda e Flotës së RPSH, deri në dhjetor 1960, rregullisht është informuar nga Sevastopuli nëpërmjet Shtabit Sovjetik të Nëndetëseve të Bazës së Vlorës, si dhe nëpërmjet mjeteve që disponon vetë ky shtab. Njëkohësisht, duke filluar nga koha e treguar, të dhënat sovjetike janë ndërprerë.
Nuk është e qartë se si mund të pengohet përgatitja e inspektorëve sovjetikë (siç thuhet në informacionin e 28 shkurtit) e dëshira e komandantëve të Nëndetëseve, që daljet në det të përdoreshin si nga ekuipazhi shqiptar dhe ai sovjetik.
Veprimi i kryer në Nëndetësen 270, nuk konfirmon atë që më 8 shkurt 1961 toger Aleko Pojani ka refuzuar inspektorin sovjetik të zhvillojë mësim dhe ka penguar instruktorët e tjerë sovjetikë, të zënë vendet e tyre në Nëndetëse. Kontrolli i zhvilluar nuk konfirmon gjithashtu se ekuipazhi shqiptar i Nëndetëses 296 nuk ka marr pjesë në mësimet e datave 7 dhe 14 shkurt 1961…
Është e vërtetë që më 29 dhjetor 1960 ndihmës-komandanti i Gjuajtësit 500 Kamber Dinollari i është drejtuar ekuipazhit të anijes italiane në gjuhën ruse, sepse anija e lartpërmendur nuk iu përgjigj gjuajtësit në sinjalet ndërkombëtare. Njëkohësisht, këtu nuk ka asnjë nxjerrje sekreti sepse oficeri (shqiptar) për t’u marrë vesh me ekuipazhin e huaj përdori një nga gjuhët ndërkombëtare, që është dhe gjuha ruse. Rasti i përmendur më 28 shkurt, me kujdesin për ruajtjen e sekretit ushtarak, konkretisht për ruajtjen e fshehtësisë së prezencës ruse në Bazën e Vlorës, është e domosdoshme të llogaritet me thyerjen e rëndë të detarëve sovjetikë, që në kundërshtim me marrëveshjen që ekziston midis dy vendeve tona, mbajnë shiritat e kapelave të marinarëve me mbishkrim në gjuhën ruse “Flota Ushtarake Detare e Detit të Zi”, ose “Flota Ushtarake Detare e Baltikut”.
Vonesa e komandantit të Nëndetëses 296 më 11 dhe 17 shkurt ishte me vend, të tilla raste të vonesave ka pasur dhe nga instruktorët rusë…
Është e vërtetë gjithashtu, që nuk është respektuar afati i ç’magnetizimit të anijeve ose të metat që tregohen në informacionet e 28 shkurtit dhe rasti i 30 dhjetorit 1960. Këto raste janë analizuar nga Komanda e Flotës së RPSH, duke marre masat përkatëse.
(Marrë nga “Parallely history Project”. Arkivi i Shtetit, viti 1961.
Pjesë nga procesverbalet, analizat dhe informacionet “Top secret”)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e gjeneral Halim Ramohitos: Çfarë ndodhi në mbledhjen e fundit Traktatit të Varshavës, që ishte dhe e fundit për Shqipërinë. Pse u shmang për arsye sigurie pjesëmarrja e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.
-Delegacioni shqiptar i kryesuar nga zëvendëskryeministri e Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku refuzon akomodimin në hotelin e prenotuar dhe strehohen në ambasadën shqiptare në Moskë.
-Çfarë përmbante letra kërcënuese e Greçkos dërguar natën në ambasadën shqiptare dhe reagimi i delegacionit tonë ushtarak.
Po ç’mi nxirrni keta te pjerdhur te kohes se Enverit, po merruni me Saliun ore e lerini denglat (mos e botoni kometin, mjaft qe ta lexoni ju).
Saimir, ketu ku po lexon ti je ne rubriken “Nostalgji”. Nqs se nuk i gjen interesante keto lloj shkrimesh te sugjeroj te nderrosh rubrike dhe te lexosh aty ku ka lajme me Sali katallanin
Ku flet akoma si ne kohen e Enverit, dhe e paska patur hak burgun. Shikoni, ore cfare komunist i betuar qe eshte!