Rrëfim i Gjeneralit 88 vjeçar për vitet e tij në Traktatin e Varshavës
Hrushovi akuzoi: “Ju shqiptarët thoni se jeni shqiponja mali, por mos harroni se dhe ato kanë foletë e tyre plot me fëlliqësira!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në mbledhjen e fundit të tetorit të vitit 1960 të Traktatit të Varshavës, kohë në të cilën kontradiktat Shqipëri-Bashkimi Sovjetik ishin tepër të acaruara, delegacioni shqiptar që kryesohej nga Beqir Balluku, përballet me provokimet dhe akuzat e pa vend të Hrushovit e mbështetësve të tij të ish-vendeve socialiste… Shkak, ishte tendenca ruse për të pasur nën komandë Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit…
Si filloi dhe si vazhdoi Mbledhja e Traktatit të Varshavës e tetorit 1960?
-Mbledhjen e hapi ish-udhëheqësi kryesor i Republikës Demokratike Gjermane, Valter Ulbrikt. Pasi u aprovua nga të gjithë delegacionet, nga rendi i ditës, ju dha fjala Marshallit Greçko që mbajti raportin lidhur me gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura të Traktatit të Varshavës. Pastaj, sipas radhës së alfabetit, për këtë pikë të rendit të ditës, fjalën për diskutim e mori Beqir Balluku, kryetar i delegacionit shqiptar.
Çfarë problemesh ngriti Beqir Balluku?
-Beqiri filloi të lexonte materialin tonë të përgatitur që në Tiranë, me ndonjë plotësim që ju bë atij në Moskë lidhur me situatën e krijuar. Në tërësi, në fjalimin e delegacionit tonë trajtoheshin probleme që lidheshin me rendin e ditës. Dhe kjo, për ato arsye që unë përmenda më lart. Por udhëheqësin sovjetik nuk e mbante vendi. Qëllimi i tyre, siç kam thënë më sipër, ishte që ta kthenin mbledhjen në një arenë presionesh e shpifjesh kundër vendit tonë. Theksoj se në këtë mbledhje ishte dhe Hrushovi. Por ata, rusët, shfaqën dhe hodhën në mbledhje skenarin e parapërgatitur…
Cili ishte skenari i rusëve?
-Për këtë qëllim, siç dhe ishte para përgatitur skenari në fshehtësi të palës sonë, shohim të ngrihet nga vendi Marshalli Malinovski. Malinovski, atë kohë, në ushtrinë dhe shtetin rus, cilësohej e vlerësohej si beniamini i Hrushovit, pasi ishte ndër njerëzit që e kishte ndihmuar atë (Hrushovin) të vinte në krye të Partisë e të shtetit Sovjetik. Atë kohë, Malinovski kishte zëvendësuar Marshallin Zhukov, i cili, siç dihet, ishte shkarkuar nga Hrushovi në ajër, gjatë kthimit të tij nga një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai ishte përcaktuar që të niste sulmin ndaj nesh…
Çfarë bëri konkretisht Marshalli Malinovski?
-Malinovski, i ngritur në këmbë, me arrogancën e tij karakteristike, ndërpret Beqirin duke i thënë: “Lëri ato që të kanë dhënë nga Tirana për të na i lexuar këtu por përgjigju problemeve që trajtohen në letrën që të ka dërguar mbrëmë Marshalli Greçko!” Beqiri, nga podiumi i përgjigjet Marshallit: “Unë kisha menduar se kjo letër këmbimi ishte ndërmjet meje dhe Greçkos dhe jo çështje e të gjithë mbledhjes, kjo edhe për faktin se problemet e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit dhe të tjera, siç e dini edhe ju sovjetikët, sipas marrëveshjeve ekzistuese janë vetëm çështje bilaterale dhe për këtë arsye këto mund dhe duhet të diskutohen vetëm ndërmjet dy qeverive tona!” Me këtë përgjigje, rusët u tërbuan dhe nisën akuzat kundër Beqir Ballukut, kreut të delegacionit tonë…
Kush dhe për çfarë e akuzuan Beqir Ballukun?
-Pas Malinovskit ngrihet përsëri Greçkoja duke e akuzuar haptazi Beqirin për paaftësi me shprehjen: “Mua më vjen keq që kam si vartës një zëvendës Komandant të tillë të paaftë, si Gjeneral Ballukun!”. Aty për aty, Behar Shtylla, nga vend i drejtohet Beqirit: “Edhe mua, shoku Beqir, më vjen keq që ti ke një komandant të tillë kaq të paaftë, sidomos politikisht si Marshalli Greçko!”. Ky ishte momenti që ndërhyra unë…
Çfarë bërë ju në këtë moment?
-Në këtë moment, unë ngrihem dhe u shpërndaj gjithë delegacioneve letrën e përgjigjes që përgatitëm natën për Marshallin Greçko, për të cilën fola dhe më lart. Kështu filloi dhe mbaroi kjo mbledhje me akuza e kundërakuza nga secila palë gjatë dy ditëve që vazhduan punimet e saj. Situata u ndez keq, pasi rusët nuk e prisnin që ne të ishim parapërgatitur dhe për këtë situatë… Pikërisht, në këtë moment, ndërhyri dhe Hrushovi, pothuajse vazhdimisht…
Si reagoi Hrushovi për përplasjen në këtë mbledhje?
-Pas këtyre debateve, Hrushovin mezi e mbante vendi duke u nxehur, nxituar, e duke ndërhyrë herë pas here. Akuzat e tij ishin të tilla të cilat na cilësonin ne si përçarës të Traktatit të Varshavës dhe kampit socialist. Duke mos e përmbajtur veten, ai kalonte deri dhe në ofendime personale. Nuk la pa anatemuar dhe drejtuesit e shtetit tonë, Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun…
Çfarë tha Hrushovi për Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun?
-Lidhur me mosardhjen në këtë mbledhje të Enverit dhe Mehmet Shehut, ai aludonte se ata ishin frikacakë që i shmangen dhënies së llogarisë… Duke na ironizuar, ai përmendi dhe një shprehje të tillë: “Ju shqiptarët thoni se jeni shqiponja mali, por mos harroni se dhe ato kanë foletë e tyre plot me fëlliqësira”, etj… Ajo që ndodhi në atë mbledhje, provokimet e poshtra të rusëve e shërbëtorëve të tyre në Traktat u reflektua dhe në median vendase… Në ato ditë, një gazetë satirike e Moskës botonte të gjithë flamurët e vendeve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës, kurse atë shqiptar që qëndronte përbri tyre, e paraqisnin të djegur mes flakëve. Pas disa ditësh, në një gazetë franceze, pashë fotografinë e Hrushovit ku në kokën e tij tullace qëndronte një varrezë me shënimin “Albania“.
Pohuat më lart se shkak kryesor i përplasjeve, ishte Baza Ushtarake e Pashalimanit?
-Po. Siç duket, për të mos krijuar ndonjë shqetësim më të madh tek pjesëmarrësit në mbledhje lidhur me nëndetëset që na kishin dhënë sovjetikët (Tip C-613, prodhim sovjetik), Hrushovi u tha pjesëmarrësve se ata janë disa rrangalle të vjetra të prodhimit të Luftës së Dytë Botërore. Kurse në fakt, sipas specialistëve sovjetikë dhe tanëve, dokumentacionit shoqërues të tyre, ata ishin nëndetëse bashkëkohore prodhim i viteve ‘50. Por Hrushovi ishte i papërmbajtur në akuzat ndaj nesh, veçanërisht ndaj Beqir Ballukut…
Çfarë tha më tej Hrushovi për Beqir Ballukun?
-Hrushovi, me cinizmin e tij karakteristik e akuzoi haptazi në mbledhje Beqir Ballukun si fashist. Siç duket, ata kishin të dhëna se Beqiri në vitet 1940-1941 ishte i mobilizuar si ushtar dhe e kryente këtë detyrë në Shkodër. Por ne ju përgjigjëm Hrushovit, për të sqaruar dhe të tjerët të pranishëm, flakë për flakë se Beqir Balluku dhe të tjerë antifashistë, zhvillonin aktivitet antifashist e mbanin lidhje me Heroin e Popullit, Perlat Rexhepi; e pas rënies në luftë të Vojo Kushit, Beqir Balluku u caktua si komandant i Njësiteve Guerrile të Tiranës, e më vonë si komandant i Brigadës së Dytë partizane.
Çfarë ndodhi në ditën e dytë të mbledhjes?
-Më kujtohet se në fund të ditës së dytë të kësaj mbledhje të vështirë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Hrushovi, duke ju drejtuar delegacionit shqiptar, tha: “U lutemi shokëve shqiptarë, të ndryshojnë qëndrimin e tyre, se në fund të fundit, pas dallgëve të detit, vjen periudha e qetësisë në të, se edhe pemët në furtuna, majat e tyre i bashkojnë. Këtë duhet ta bëjmë tani edhe ne!“ Këto ishin fjalët e fundit që na tha ne Hrushovi pas ndërhyrjeve të shumta e akuzave në këtë mbledhje. Këto shënime e këto perifrazime që unë i kam hedhur në bllokun e shënimeve, janë të mbajtura atje, në fushëbetejën e vështirë, jo të retushuara më vonë. Pra, për sa më sipër, ka ndodhur ashtu siç kam shkruar, siç po ua pohoj, e siç është në kujtesën time e të atyre që jetojnë edhe sot, e jo siç janë deformuar në 160 dokumentet “Top Sekret” të botuara(retushuara) në Moskë për këtë mbledhje.
Po krerët e shteteve të tjerë pjesëmarrëse në këtë mbledhje, çfarë qëndrimi mbajtën?
-Më kujtohet kryetari i delegacionit Bullgar, servili Zhivkov, i cili, i ndodhur në sallë afër nesh na tha: “Me qëndrimin tuaj, ju vëllezër shqiptarë po shkoni shumë larg, por ne bullgarët, qoftë dhe me gabime do të qëndrojmë gjithnjë me vëllezërit sovjetikë!” Në mbledhje, udhëheqësi polak Gomulka, kërkoi të dinte nga ne për masat që ishin marrë për Liri Belishovën, duke e lidhur këtë edhe me eksperiencën e tij për masa të tilla që ishin marrë kundër tij në Poloni dhe se këto punë, siç na tha ai, i dinte mirë. Pastaj ai shtroi dhe problemin e kërcënimit, që siç tha ai, Shqipëria i paska bërë NATO-s. Ky problem ishte i lidhur edhe me gjyqin e Teme Sejkos. Duke na pyetur edhe për këtë çështje, Gomulka na tha: “Në rast se për vendin tuaj do të kishte ndodhur një kërcënim i tillë i vërtetë, ju duhet të njoftonit më parë dhe menjëherë komandën e Bashkuar të Traktatit dhe të kërkonit menjëherë ndihmën e menjëhershme për të likuiduar këtë rrezik që pretendoni ju se u kërcënon!” Për këtë çështje, mendoj se Gomulka kishte të drejtë.
Çfarë përgjigje i dhatë Gomulkës?
-Ne ju përgjigjëm se për sa i përket masave kundër Liri Belishovës ajo është një çështje e brendshme e Partisë sonë, kurse për sa i përket rrezikut që na u kërcënoka nga NATO, lidhur kjo edhe me gjyqin e Teme Sejkos, ne e zgjidhëm vetë këtë çështje, duke i dalë para rrezikut që na kërcënonte, me likuidimin e agjenturës së tyre në Shqipëri. Atëherë, ne nuk e dinim se siç thuhet sot, ky gjyq ishte kurdisur nga regjimi i kohës… Siç e theksova, me përjashtim të delegacionit të Mongolisë që si gjithnjë me servilizmin e tij të njohur, u bashkua me Sovjetikët, në akuzat kundër nesh, kryetarët e delegacioneve të Kinës, Vietnamit dhe Koresë, në fjalën e tyre u përqendruan vetëm në çështjet e rendit të ditës, por nuk i kundërshtuan akuzat që na u bënë ne atje.
Mund të na thoni shkurtimisht qëndrimet e delegacionit shqiptar në debatet e kësaj mbledhje?
-Ja thelbi i qëndrimeve në diskutimet dhe përgjigjet tona të shumta në këtë debat: Qeveria Sovjetike po shkel marrëveshjet bilaterale, ato të vitit 1957 dhe 1959 lidhur me 12 nëndetëset dhe anijet e tjera ndihmëse në të cilat në marrëveshje përcaktohet qartë afati, në fillim të vitit 1961, që ato duhet t’i kalonin të gjitha Flotës sonë Detare.. Për marrjen në dorëzim të tyre në këto afate, siç dihet, edhe nga sovjetikët po përgatiten ekuipazhet shqiptare në qytetet e Sevastopulit, Leningradit, Bakusë dhe Rigës. Veç kësaj u thamë se pala sovjetike, është ajo që ka shkelur edhe disa marrëveshje të tjera ekzistuese, duke ndërprerë edhe bisedimet e parashikuara për furnizimin e ushtrisë Shqiptare për vitet 1961-1965 me municione dhe pjesë këmbimi. Sovjetikët ne na kishin lënë me rezerva municionesh vetëm për 15 ditë dhe kjo për qëllime presioni politik. Gjithashtu, për këto qëllime, pala Sovjetike, na kishte ndërprerë edhe furnizimin me ushqime e veshmbathje me 50% të nevojave vjetore të ushtrisë, në kundërshtim me marrëveshjen zyrtare të firmosur nga palët.
T’i kthehemi dhe një herë tek mbledhja e 27-28 marsit të vitit 1961 në Varshavë. Më saktë, qëndrimit zyrtar të qeverisë shqiptare?
-Po. Në fund të mbledhjes, në mesnatën e datës 28 mars qeveria sovjetike i paraqiti mbledhjes, rezolutën me këtë përmbajtje:
A- E gjithë Baza Ushtarake e Pashalimanit(Vlorë), me të gjitha mjetet e dislokura atje me gjithë zonën për rreth të hiqen nga vartësia e qeverisë Shqiptare dhe të kalojë direkt nën vartësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Traktatit të Varshavës.
B- Në rast se qeveria shqiptare nuk e pranon këtë kërkesë, do të procedohet për likuidimin e krejt Bazës dhe përgjegjësinë për këtë, në rast të ndonjë agresioni eventual ndaj Shqipërisë, do ta mbajë qeveria Shqiptare.
Cili qe rezultati i votimit të propozimeve ruse?
-Gjatë votimit, delegacioni jonë ishte i vetmi që votoi kundër kësaj rezolute, kurse të gjitha delegacionet e qeverive të tjera pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës të Europës Juglindore dhe Mongolia, votuan pro rezolutës. Republika Popullore e Kinës, ajo e Vietnamit dhe e Koresë nuk morën pjesë në votime, kjo për faktin se këto shtete në mbledhjet e nivelit të lartë të Komitetit Konsultativ Politik të Traktatit të Varshavës, merrnin pjesë vetëm si vëzhgues. Në fund rusët na bënë dhe një propozim tjetër…
Cili ishte ky propozim?
-Gjatë qëndrimit tonë në Moskë, sovjetikët na bënë edhe një propozim tjetër: Të pranonim ardhjen e Marshallit Greçko në Shqipëri për të vazhduar bisedimet lidhur me problemet që kishin lindur ndërmjet qeverisë sonë dhe asaj sovjetike e Traktatit të Varshavës, për
pronësinë e nëndetëseve dhe të anijeve të tjera në bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit. Këtë propozim ne nuk e pranuam dhe për faktin se përveç të tjerave, edhe këto masa nuk do të zgjidhnin gjë për Shqipërinë. Por ishte tashmë më se e qartë se edhe Marshalli Greçko nuk ishte i paanshëm në konflikt por një vegël e bindur dhe e betuar për të mbrojtur interesat e Superfuqisë BRSS në Ballkan, Adriatik e Mesdhe. Ishte vetë ky Marshall që duke mbrojtur vetëm interesat Sovjetike e cilësoi në këtë mbledhje Bazën tonë Luftarake Detare si “molla e sherrit” (Jabllok Bzdvora). Gjithashtu, ishte po ky Greçko me shokë që më vonë ndihmoi Brezhnjevin për të marrë frenat e shtetit Sovjetik. Edhe pse më vonë, po ky Hrushov, në kujtimet e tij, do ta quante as më shumë dhe as më pak, por “dallkauk klasik”. (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e gjeneral Halim Ramohitos për ardhjen dhe misionin në Shqipëri të delegacionit të Komandës së Traktatit të Varshavës, kryesuar nga N.T. Firjuvin
-Problemi i Bazës Ushtarake të Pashalimanit, objekt i diskutimeve mes delegacionit të Traktatit të Varshavës të sapoardhur në Shqipëri dhe përfaqësuesve të vendit tonë.
-Si u rëndua situata e studentëve shqiptarë në Moskë, Leningrad e qytete të tjera ruse si pasojë e incidenteve e provokimeve në kohën që në Shqipëri zhvillonte bisedime delegacioni i Traktatit të Varshavës.

NUK E DIJE GJENERAL NE ATE KOHE QE GJYQI I KOLONEL ADMIRALIT “TEME SEJKO” ISHTE I KURDISUR,,,,,,,AKOMA VAZHDON TE NA TREGOSH PERRALLA O GJYSHI,,,,,,O VEGEL QORRE E DIKTATURES ENVERIANE,,,,,!!!!!!!!!!!
Pershendetje hacker
E keni ndjere eren prandaj jeni futur neper gjirize, keni 22 vjet qe e lepini gjeneralin po nuk arrini dot sepse burgjet dhe internimet te forcojne. Ndersa hajduteria dhe krimet te terrorizojne. 88 vjecari rron per me tregue luften dhe sakrificat e tij te udhehequra nga ideali dhe poshtersite e diktatures komuniste qe shkeli mbi keto ideale, per te pjelle monstra si puna jote…