Pjesa më e madhe e gjeorgjianëve janë në periudhë inaktive, ndaj ndeshja me Shqipërinë nuk i vlen shumë trajnerit
Shqipëria do të presë Gjeorgjinë më 6 shkurt në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe ka shumë arsye për ta pritur me interesim ndeshjen e parë për vitin 2013. Janë një numër lojtarësh të rinj që Xhani De Biazi ka thirrur për t’u bashkuar me skuadrën, të gjithë talente që luajnë jashtë vendit e që lakmohen edhe nga kombëtare të tjera. Takimi do të jetë një provim i vlefshëm, pas atij me Kamerunin që mbylli vitin e kaluar. Por, nuk shihet si i tillë nga ana e kundërshtarit, përkundrazi. Trajneri i kombëtares së Gjeorgjisë, Temur Kecbaja, ka ngritur dyshime mbi vlerën e kësaj ndeshjeje, duke deklaruar se “nuk është momenti i duhur për t’u ndeshur me Shqipërinë”. Një numër i madh lojtarësh të Gjeorgjisë luajnë në kampionatit e Rusisë dhe Ukrainës, të cilët janë në periudhën e pauzës dimërore, çka do të thotë se lojtarët nuk kanë zhvilluar ndeshje zyrtare për më tepër se një muaj. Veç kësaj, disa lojtarë kyç në formacionin e Kecbajas, si qendërmbrojtësi Aleksandre Amisulashvili dhe portieri Nukri Revishvili, janë larguar nga klubet e tyre në përfundim të vitit të kaluar dhe ende nuk kanë gjetur skuadra të tjera. Kecbaia ka vënë në dukje: “Për fat të keq, disa lojtarë janë pa skuadër. Për më tepër, shumica e lojtarëve tanë nuk do të jenë në formën më të mirë, pasi kampionatet ku luajnë nuk rifillojnë deri në fund të shkurtit apo në mars”.
Ndeshja e fundit e Gjeorgjisë ishte një barazim pa gola në shtëpi, kundër Egjiptit, në nëntor, një takim ku Kecbaja nuk kishte në dispozicion tetë lojtarë të formacionit titullar. Arsyet shkonin nga dëmtimet e lehta deri te problemet me vizat, ndaj trajneri gjeorgjian priret të shmangë përsëritjen e “formacionit skelet” që u përball me egjiptianët. “Për shumë arsye, ne ishim pa tetë lojtarë kundër Egjiptit dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë më”, tha trajneri.
Ndeshja në Tiranë do të jetë miqësorja e fundit e Gjeorgjisë para takimit në Francë, më 22 mars, për kualifikueset e botërorit brazilian. Me kaq shumë lojtarë jashtë forme ose të padisponueshëm, Kecbaja pranon mund të eksperimentojë me formacionin që do të luajë në “Qemal Stafa”. “Çdo ndeshje ka rëndësi, miqësore apo zyrtare qoftë. Më 22 mars luajmë kundër Francës, dy muaj më vonë se tani. Ndaj, nuk pres që formacioni kundër Shqipërisë të luajë edhe kundër Francës”, thotë gjeorgjiani. Kecbaja mendon të nxjerrë listën e emrave në fund të janarit, me shpresën se deri atëherë lojtarët pa kontrata do të kenë gjetur skuadër. Amisulashvili dhe Revishvili e dinë rëndësinë e aktivizimit të rregullt me klubet nëse duan të ruajnë vendin edhe në formacionin e kombëtares. Pavarësisht se ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares, Malkhaz Asatiani u la jashtë pas largimit nga Lokomotiv e Moskës në fillimit të vitit 2011. Po ashtu, Jano Ananidze e pa veten në stol gjatë ndeshjeve të fundit kualifikuese, për shkak se nuk kishte luajtur shumë te Spartaku i Moskës. Ndaj, nëse nuk luajnë apo nuk kanë klub, vështirë se lojtarët do të luajnë për kombëtaren, në bazë të politikës së ndjekur nga Kecbaja.
Ndërkaq, gjeorgjianët e ndiejnë se për momentin nuk kanë më lojtarë me emër, që nga koha e largimit të Kakaber Kalaxes. Shqipëria ka disa lojtarë që luajnë në Serinë A, kapiteni Cana ka luajtur me klube të mëdhenj evropianë, si Paris SG, Marseja e Gallatasaraji, para se të shkonte te Lacio, çka i jep një avantazh të madh përvoje skuadrës kuqezi kundrejt Gjeorgjisë.
Do te fitojme.qe te risim.klasifikimin ne Uefa dhe keshtu kapim vazon e trete