Gjermani, Bundestagu pritet të ratifikojë dorëzaninë e tretë ndaj Greqisë

redaktor

Dhoma e ulët e Parlamentit gjerman, Bundestag, pritet të votojë bindshëm në favor të dorëzanisë së tretë për Greqinë, por Angela Merkel nuk e kaloi këtë sprovë pa vështirësi.

Tema në fjalë e ka vendosur Kancelaren gjermane përballë një rebelimi brenda radhëve të vetë partisë së saj. Dhe, ndonëse një shumicë e qartë pritet të prononcohet në favor të paketës 86 miliardë euroshe për shtetin helen, nuk janë të paktë edhe ligjvënësit konservatorë, që do të votojnë kundër.

Mbështetje për dorëzaninë do të japin me të gjitha gjasat edhe parti të tjera në sallën e Parlamentit, përfshirë edhe partnerin më të vogël të koalicionit qeverisës, partinë socialdemokrate, si dhe “të Gjelbrit” në opozitë.

Një votim testues gjatë së martës brenda radhëve të kristiandemokratëve të Merkelit, CDU dhe partisë simotër bavareze të CSU-së, tregoi se 56 nga 311 deputetë konservatorë u shprehën kundër ndihmës për Greqinë, ndërsa 4 ligjvënës abstenuan.

Një shifër e pamjaftueshme për të rrëzuar nismën e Merkelit, por jo aq sa të mos konsiderohet një paralajmërim. Në argumentet e paraqitura, në mbështetje të apelit të tyre për një votë “Po”, Kancelarja dhe ministri i saj i Financave, Wolfgang Schäuble, thanë se pavarësisht dallimeve brenda BE-së, që të dy ndajnë bindjen se Fondi Monetar Ndërkombëtar do të marrë pjesë në dorëzaninë e tretë për Athinën.

Përfshirjen e FMN-së, një pjesë e mirë e konservatorëve gjermanë e shohin si të domosdoshme për të garantuar se, reformat e premtuara prej grekëve do të vihen në jetë vërtet. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, ligjvënësit në Spanjë, Estoni dhe Austri votuan një ditë më parë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *