Rezultatet e zgjedhjeve rajonale të zhvilluara të dielën në Saksoninë e Ulët kanë nxjerrë si fitues koalicionin e socialdemokratëve dhe ekologjistëve me një diferencë shumë të vogël votash nga koalicioni i udhëhequr nga Anxhela Merkel i kristandemokratëve me Demokratët e Lirë
Të dhënat e para zyrtare për zgjedhjet rajonale në landin gjerman të Saksonisë së Ulët konfirmuan fitoren e koalicionit të Partisë Socialdemokrate (SPD) me ekologjistët mbi koalicionin e Partisë Kristiandemokrate (CDU) të drejtuar nga Anxhela Merkel me Demokratët e Lirë (FDP). Nga njëra anë SPD-ja ka arritur të marrë 32.6% të votave dhe ekologjistët 13.7%, e nga ana tjetër CDU-ja rezulton me 36% të votave dhe FDP-ja 9.9%.Rezultatet e garës zgjedhore për Saksoninë e Ulët janë një tregues i rëndësishëm për një rotacion të mundshëm politik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të mbahen në shtator të këtij viti në Gjermani.
Sigurisht që për kancelaren ky është një sinjal i keq, ndërsa për kundërshtarin e saj, Per Shtajnbruk, liderin e SPD-së, zgjedhjet për kuvendin e Saksonisë së Ulët janë mbështetje e synimit të tij për të zëvendësuar Merkelin dhe qeverinë e saj. “Socialdemokratët fituan vota shtesë edhe pse në masë modeste e kjo do të thotë se ndryshimi i qeverisë dhe pushtetit është i mundur sa i takon zgjedhjeve në shtator”, deklaroi Shtajnbruk.
Megjithëse CDU-ja në Saksoninë e Poshtme mbetet forca kryesore politike, mbështetja ndaj saj ka rënë dukshëm, nga 42.5% në 36% dhe pavarësisht suksesit të FDP-së të drejtuar nga David Mekalister, koalicioni humbi mazhorancën.
Me pak fjalë, fituese kryesore në zgjedhjet rajonale është SPD-ja me 32.6% të votave që për pak përmbushi pritshmëritë e sondazheve, të cillat kishin parashikuar një fitore të kësaj force me 33%. Tani shikimi i Shtajnbrukut drejtohet në Berlin, por rezultatet tregojnë se socialdemokratët nuk duhet të gëzohen para kohe. Gjithashtu vazhdojnë polemikat mbi kandidaturën e Shtajnbrukut për postin e kancelarit, i cili ka pohuar se ndihej ‘përgjegjës’ që nuk kishte qenë një ndihmë e madhe për Partinë Socialdemokrate në Saksoninë e Poshtme, duke bërë një sërë gabimesh dhe deklaratash kundërthënëse. Kohët e fundit ka pasur madje zëra për ndërrimin e kandidatit për kancelar të kësaj partie. Por, pas fitores në Saksoninë e Poshtme, SPD-ja duket se nuk do të ketë nevojë të zhvillojë një debat të tillë.
Nuk ka më dyshime as për liberalët e FDP-së, të cilët megjithëse në koalicionin humbës ia dolën mbanë të konsolidohen në luftën për ekzistencë, duke prekur 9.9%. Filip Roesler që i trembej faktit se partia e tij mund të mos e kalonte kufirin e nevojshëm prej 5%, në “shtëpinë e tij” vlerësohet si një ‘gjigant’. Edhe ekologjistët kanë të drejtë të gëzohen që me 13.7% e arritur kanë forcuar bazën e tyre. Shpresat e kandidatit socialdemokrat për një fitore në zgjedhjet e vjeshtës së këtij viti, mbështeten pikërisht te partneri i mundshëm në koalicion, ekologjistët.
Mbeten jashtë kuvendit rajonal partia e majtë LINKE me 3.1% të votave, në një kohë që 5 vjet më parë kjo forcë arriti të merrte 7%, si edhe Partia e Piratëve, emri i së cilës as nuk figuron më në listën e partive të votuara.
Somario: SPD-ja ka arritur të marrë 32.6% të votave dhe ekologjistët 13.7%, e nga ana tjetër CDU-ja rezulton me 36% të votave dhe FDP-ja 9.9%