GJERMANI, rënie rekord me 66 për qind e fluksit të migrantëve

Elton Tafaruci

Ka një rënie të dukshme të fluksit të migrantëve në Gjermani pasi, nëse gjatë tremujorit të fundit të vitit 2015 hyrjet e tyre në vend ishin 500 mijë persona, gjatë tremujorit të parë të këtij viti ky numër u ul në 170 mijë, me një pakësim prej 66 për qind, deklaroi sot ministri i Brendshëm gjerman, Thomas De Maiziere, në një konferencë shtypi në Berlin.

”I dukshëm mbetet reduktimi i numrit të refugjatëve edhe nëse e shohim muaj pas muaji. Kështu, në janar mbërritën 90 mijë persona, në shkurt 60 mijë dhe në mars 20 000”, shtoi De Maiziere.

Megjithatë, ministri tha se është shtuar numri i kërkesave për azil.

”Që nga 1 janari 2016 numri i kërkesave për azil ka qenë 181 400”, tha ai.

De Maiziere theksoi rezultatin e mirë të arritur nga masat e marra nga Berlini ndaj së ashtuquajturës ”rruga ballkanike”.

“Në tremujorin e parë 2015 kërkesat për azil nga gjashtë vendet ballkanike ishin 20 mijë, ndërkohë që gjatë tremujorit të parë 2016 ky numër ishte 3 000”, deklaroi ministri i Brendshëm gjerman, Thomas De Maiziere.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *