Diplomatët gjermanë kanë ruajtur “inatin” e tyre ndaj Hashim Thaçit, për arrestimin e dy agjentëve gjermanë të BND-së në vitin 2008. Gjermanët favorizojnë Kadri Veselin që të vijë në krye të PDK-së edhe për faktin se ai nuk është përfshirë në dosjen e Dick Martyt.
Burime diplomatike nga Brukseli i kanë thënë gazetës Bota press se diplomatët gjermanë kanë planifikuar që pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, kreu të PDK-së të zgjidhet Kadri Veseli. Kjo për faktin se emri i Veselit nuk përmendet në “dosjen e Dik Marty-t”, ndërkaq “inati” i gjermanëve ndaj Thaçit vazhdon për shkak të arrestimit të dy agjentëve të BND-së më 15 nëntor të vitit 2008.
Në fakt interesimet e gjermanëve për Kadri Veselin datojnë prej janarit të këtij viti. I
vetmi zyrtar i PDK-së që ka vizituar së fundmi Gjermaninë ka qenë Kadri Veseli.
Zëvendëskryetari i PDK-së ka qëndruar për vizitë zyrtare në Berlin në pjesën e dytë të janarit të këtij viti dhe është takuar me diplomatë gjermanë të afërt me kancelarin Angela Merkel, siç janë: Peter Bayer dhe Johann Wadephul.
Por, kjo vizitë duket se ka shënuar një kthesë dhe një interesim të politikës gjermane për rrjedhat politike në Partinë Demokratike të Kosovës. Diplomatët gjermanë kanë ruajtur “inatin” e tyre ndaj Hashim Thaçit për arrestimin e dy agjentëve gjermanë të BND-së. /Bota press/
