Gjermania në proces ndaj euros

anazapta

Në fokusin e Gjykatës Kushtetuese në Gjermani kanë përfunduar blerjet e boneve dhe titujve të vendeve në krizë nga Banka Qendrore Evropiane. Presidenti i saj, Mario Draghi, i ndjerë i cenuar nga gjykata, vendosi të pezullonte blerjet e titujve, por më pas lajmi u përgënjeshtrua nga ai: “Ky program është i ligjshëm dhe i domosdoshëm”

 

Nis sot shqyrtimi i ankesës në Gjykatën Kushtetuese gjermane kundër Bankës Qendrore Evropiane (BQE), për mbështetjen që kjo ka treguar ndaj likuiditetit të pakufizuar të titujve dhe letrave me vlerë në vendet e eurozonës të goditura nga kriza. Shumë e konsiderojnë si një proces kundër euros, i cili mund të përfundojë pas zgjedhjeve politike federale që do të mbahen më 22 shtator.

Në sallën e gjyqit në Karlsruhe, poshtë emblemës federale, do të përballen dy ide të politikës që ka ndjekur BQE-ja  e që mund të verë në dyshim solidaritetin evropian.

Tema e parë kontroversale ka të bëjë me atë nëse blerja e bonove konform statutit të BQE-së aplikohet në tregjet dytësore, apo do të ndalohet si financim ndaj borxheve.

Tema e dytë është edhe më e nxehtë: për herë të parë një institucion kombëtar, pikërisht Gjykata Kushtetuese gjermane ndërhyn mbi çështje të rregulluara nga traktatet evropiane dhe jo nga Kushtetuta federale. “Një mënyrë e tillë e trajton problemin nga një perspektivë thellësisht gjermane, jo evropiane”, pohon në mënyrë kritike ekonomisti Holger Schmieding.

Procesi ndaj Mario Draghit, presidentit të BQE-së, do të nisë me një duel midis miqsh: Joerg Asmussen, përgjegjës për çështjet ndërkombëtare dhe evropiane në BQE dhe Jens Weidmann, presidenti i bankës gjermane “Bundesbank”, (mik i tij që në bankat e shkollës dhe rival njëkohësisht). Vetë Draghi nuk do të marrë pjesë në gjyq për të mbrojtur programin mbi blerjen e bonove të vendeve në vështirësi, “Outright monetary transactions”.

“Ky program është i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Sillni në vëmendjen tuaj se kur Eurotower-i (selia e BQE-së e vendosur në Frankfurt) e shpalli atë, eurozona ishte buzë një kolapsi të pakontrolluar”, tha dje Draghi

Asmussen do të ketë mundësinë të flasë për 15 minuta dhe më pas do t’u përgjigjet pyetjeve. Presidenti i BQE-së ka një raport të shkëlqyer me Asmussen, por me Weidmann, sipas mediave gjermane, raporti është “copë-copë”. Draghi ka preferuar jo pa të drejtë që t’ia delegojë Asmussen-it ndërhyrjen e tij në Gjykatë.  “Është fusha e tij dhe e njeh shumë mirë sistemin juridik gjerman”, deklaroi. Por BQE-ja me blerjen e bonove me likuidite të pakufizuara e tejkalon mandatin e Draghit dhe prandaj ky ka kërkuar që prioritet të jetë stabilizimi i euros, gjë që nënkupton një politikë më pak ndërhyrëse.

Është një konflikt i dyfishtë. Gazeta kombëtare gjermane, FAZ, dje shkroi se ai i ndjerë i cenuar nga gjykata, kishte vendosur të pezullonte blerjet e titujve, por më pas ky lajm u përgënjeshtrua nga “Eurotower”.

Meqenëse kontributi gjerman në financat e BQE-së është tepër i madh, miliardat e harxhuara në programin e blerjes së bonove, peshojnë në përballjen për të arritur pushtetin Berlin, në zgjedhjet e vjeshtës. /Dorina Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *