Gjermania nuk merr pjesë në misionin e udhëhequr nga SHBA

Edona Llukacaj

Gjermania “heziton” që t’i bashkohet misionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për sigurimin e  Ngushticës së Hormuzit, megjithëse do të konsiderojë mundësinë e pjesëmarrjes në ndonjë mision evropian, ka deklaruar qeveria gjermane.

Qeveria e kancelares Angela Merkel i është përgjigjur propozimit të dy ditëve më parë të Uashingtonit, për të “ndihmuar në sigurimin” e linjës më të ngarkuar detare për transportim të naftës, si dhe për të “luftuar agresionin iranian”.

Ky propozim ka ardhur në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Teheranit.

Zëdhënësja e qeverisë gjermane ka deklaruar se Berlini po vazhdon përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet që janë rritur, pas tërheqjes së presidentit amerikan Donald Trump nga marrëveshja bërthamore që Teherani kishte nënshkruar me fuqitë botërore në vitin 2015.

Zëdhënësja ka shtuar: “Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar së fundmi konceptin e tyre për mision mbikëqyrës në Gjirin Persik bashkë me disa aleatë, duke përfshirë Gjermaninë. Qeveria gjermane është hezituese ndaj propozimit konkret amerikan dhe deri më tani nuk ka kontribuar, pasi qasja jonë ndaj Iranit është dukshëm ndryshe prej asaj politikës amerikane”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka deklaruar, më 31 korrik, se Gjermania nuk do të marrë pjesë në nismën amerikane.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *