Partia Socialiste ka denoncuar sot fakti se arka e shtetit është bosh dhe si rrjedhim i kësaj gjendjeje janë vonuar pagat e punonjësve të administratës. Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni gjatë një deklarate për shtyp ka theksuar se justifikimet e Ministrit të Financave dhe Kryeministrit, se vonesat janë shkaktuar për shkak të mos hyrjes në fuqi të buxhetit, apo për faj të thesarit të shtetit, apo edhe për shkak të mos dërgimit të listpagesave, veçse vërtetojnë se institucionet që ata drejtojnë janë kaq të paafta sa nuk arrijnë dot të plotësojnë e të dërgojnë në kohë as borderotë.
E megjithatë kjo nuk është e vërteta sipas deputetes socialiste kjo nuk është e vërteta.
“E vërteta e kësaj vonese është krejt tjetër arka e shtetit është bosh dhe qeverisë iu desh të marrë borxh me interesa të larta për të arritur të paguajë rrogat. Madje edhe sot, kur ka kaluar plot një e treta e janarit, rrogat janë paguar vetëm pjesërisht ndërkohë dhjetëra mijëra persona me aftësi të kufizuara kanë muaj të tëra që janë braktisur në mëshirë të fatit e nuk marrin as pagesën më minimale me të cilën mezi arrijnë të mbijetojnë’, është shprehur Gjermeni.
Deputetja socialiste ka deklaruar se as Kryeministri dhe as ministri i Financave nuk mund ta fshehin dot me faktin se këto janë përpëlitjet e fundit të pushtetit të tyre të falimentuar.
“Në 23 qershor, shqiptarët do t’i ndëshkojnë ata me votë duke i hapur rrugë Rilindjes Shqiptare, rimëkëmbjes së ekonomisë dhe ngritjes së një sistemi të drejtësisë sociale në Shqipëri”, ka theksuar ne deklaratën e saj për mediat deputetja e Partisë Socialiste.