Gjestikulacioni është një ves apo një virtyt? Nëse është e vërtetë që italianët janë të famshëm për ta bërë këtë gjë shumë shpesh, është e vërtetë që edhe shumë persona, duke lënë mënjanë kombësinë kanë sjelljen që të shprehen me ndihmën e gjesteve.
Sipas psikologes Susan Goldin-Meadoë, të universitetit të Chicago-s, gjithnjë e interesuar për temën, gjestikulacioni nuk konsiston në një lëvizje të thjeshtë të duarve në mënyrë mekanike. Ndryshe nga kjo, do të ishte jo vetëm një mënyrë për t’u kuptuar, por edhe për të mësuar e memorizuar më mirë konceptet.
Për vite me radhë, psikologjia ka studiuar gjestet. Në fillim duke u përqendruar në gjuhën e shenjave të fëmijëve të shurdhër, më pas duke e thelluar studimin në të gjitha ato lëvizje që na ikin ndërsa flasim e që janë të interpretueshme vetëm në brendësi të kontekstit të fjalimit që ne çojmë përpara me bashkëbiseduesin tonë.
Bashkë me ekipin e vet, Goldin-Meadoë ka zbuluar disa përfitime të fshehura te gjestikulacioni. Për shembull, u vu re që kur fëmijët bëjnë me shenjë nga objektet, janë më të aftë që të kujtojnë emrat.
Edhe fëmijët në qasjet e para me matematikën janë më të prirur që të kujtojnë numrat, nëse llogaritë shoqërohen me gjestet.
E njëjta gjë ndodh edhe me të rriturit. Edhe për ata, gjestikulacioni ndihmon në memorizim, duke zvogëluar atë që psikologët e quajnë “ngarkesë konjitive”, ose akumulimin e energjisë mendore të nevojshme për të mbajtur në mendje nocionet.

Në studimin e fundit të Goldin-Meadow, të publikuar në sajtin “Science of Us”, studiuesit ndanë në tri grupe 90 fëmijë dhe u kërkuan që të zgjidhin ekuacionin (2+9+4=__+4).
Grupi i parë ndoqi shembullin e një mësuesi dhe lëvizi fizikisht, numrat e plastikës në dërrasën e zezë. Grupi i dytë e imitoi të njëjtin gjest, por pa i prekur objektet. Kurse grupi i tretë bëri shenja me duar të të shënuar llogaritë.
Nga ky eksperiment, studiuesit kuptuan se në të dyja situata ku përdoreshin gjestet, studentët u treguan më të vëmendshëm.
Të njëjtët rezultuan më të zotë në zgjidhjen e problemeve me thjeshtëzime dhe të panjohura, ato që kërkonin të kuptonin principin matematikor të duhur e më pas për ta aplikuar.
Sipas kërkueses, këto gjestet do të na bëjnë që të ndihemi më afër koncepteve abstrakte, si një problem matematikor apo një fjalë. Kjo do të stimulonte mendjen.
