Humbja me Tiranën ka turbulluar ujërat te Kukësi. Kampionët e dimrit të cilët pas humbjes ndaj kryeqytetasve lëshuan kreun e klasifikimit, po kalojnë një situatë jo shumë të qartë.
Burime brenda klubit verilindor bëjnë të ditur se presidenti Safet Gjici i ka kërkuar dorëheqjen trajnerit Artim Shaqiri, i cili ka refuzuar të bëjë diçka të tillë. Në këto kushte numri një i kampionëve të dimrit i ka vendosur si kusht trajnerit pikët e plota në dy ndeshjet e ardhshme.
Në të njëjtën kohë Gjici ka bërë edhe lëvizjen e parë në stafin teknik, duke vendosur në rolin e zëvendës trajnerit Ivan Gvozdenovic, i cili edhe pse nuk zotëron licencën e trajnerit pritej të ishte timonieri i skuadrës në rast se Shaqiri do të jepte dorëheqjen.
Në këtë mënyrë presidenti i Kukësit kërkon t’i besojë eksperiencës së ish kapitenit të Crvena Zvezdës për të udhëhequr skuadrën drejt ëndrrës për të arritur tek titulli kampion.
Për momentin ndryshimi i vetëm është ky dhe në rast se Kukësi nuk merr 6 pikë në dy sfidat e ardhshme ndaj Flamurtarit dhe Vllaznisë atëherë i larguari i radhës mund të jetë pikërisht Shaqiri, që pritet t’i lejë çelësat e drejtimit të skuadrës serbit Ivan Gvozdenovic.
