Problematikat që sjell zvogëlimi buxhetit të bashkive ishin në fokusin e një takimi që kreu opozitës Edi Rama, zhvilloi me të zgjedhurit vendor socialistë në qytetin e Fierin.
Kryetarët e katër bashkive më të mëdha në vend janë shprehur për paralizim të punës së tyre nga qeverisja qendrore, duke lëshuar kritika për buxhetin e sapomiratuar, i cili sipas tyre do të zbehë shërbimet ndaj qytetarëve.
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako tha se “Bashkia e Durrësit akoma nuk e ka marrë ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve dhe penalizohet nga kjo qeveri vetëm me arsyetimin sepse i ka borxh kompanisë CEZ. Qazim Sejdini u shpreh për orvajtjet pafund në menaxhimin e ujsjellësit nga bashkia e Elbasanit. Si një buxhet arrogant pasi qytetarët tanë paguajnë shumëfish më tepër taksa kombëtare krahasuar me taksa lokale. Deklaroi kryebashkiaku i korcës Niko Peleshi. Ndërsa Shpëtim Gjika i dërgoi një mesazh kryeministrit Berisha për të cilin tha se “mua më ka në ballë të punës politike që në 23 qershor ky kryeministër të shporret megjithë këtë buxhet.”
Për kryetarin e PS kjo situatë është e papranueshme pasi sic ky buxhet po rrënon familjet shqiptare në të gjitha aspektet , po rrënohet edhe buxheti i njësive vendore”, është shprehur lideri i opozitës.
“Ne nuk mundet në asnjë mënyrë që të pranojmë dhe të imagjinojmë që qytete si Durrësi, si Vlora , si Elbasani apo Korça, si Fieri apo Saranda dhe me radhë pa bërë tani klasifikim, të përpëliten në këtë situatë”, tha Rama.
Ky takim për Edi Ramën nuk ishte thjesht në kuadër të evidentimit të problemeve por edhe për të deklaruar se çfarë do të bëjë PS në qeverisje.
“Ne e kemi shumë të qartë që vetëm rrënim të ka në të gjitha aspektet në këtë metodë qeverisëse, bazuar mbi këtë model qeverisës. Ashtu siç po rrënohet ekonomia, ashtu siç po rrënohen familjet në nevojë dhe po shtohet numri i familjeve të varfra, ashtu siç po rrënohet sipërmarrja e madhe apo e vogël siç po rrënohen shërbimet publike, shëndetësi, arsim, ashtu po rrënohet edhe buxheti i njësive vendore. Ne duhet të miratojmë strategjinë e re të decentralizimit, si hapin më të parë. Në duhet të miratojmë një ligj të ri integral për financat vendore. Ne duhet të miratojmë një plan strategjik për decentralizimin fiskal duke filluar nga aplikimi i taksave të ndara si në çdo vend normal, modern, demokratik. Ne duhet të miratojmë rishikimin e taksave vendore për të lehtësuar maksimalisht biznesin e vogël dhe për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës”, theksoi Rama.
Vangjush Dako: “Buxhet rrënues ndaj bashkive dhe komunave”
“Ky buxhet është rrënues ndaj bashkive dhe komunave. Është një buxhet, i cili i ka hapur një rrugë me transfertë e pakushtëzuar, një fenomeni shumë të rrezikshëm. Bashkia e Durrësit akoma nuk e ka marrë ndërmarrjen e ujësjellës- kanalizimeve dhe penalizohet nga kjo qeveri vetëm me arsyetimin, sepse i ka borxh kompanisë CEZ”, është shprehur kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Niko Peleshi: “Buxhet arrogant, jo në interes të qytetarëve”
Kryetari i Bashkisë së Korçës e ka konsideruar buxhetin si një buxhet arrogant. Megjithëse krijohet nga taksat që paguajnë qytetarët nuk shkon në interesin e tyre. “Ky mbi të gjitha është një buxhet arrogant, buxheti i shtetit nuk është buxheti i qeverisë. Buxheti i shtetit është buxheti i shqiptarëve, krijohet me taksat që shqiptarët tanë paguajnë. Qytetarët tanë paguajnë shumëfish më tepër taksa kombëtare krahasuar me taksa lokale”, ka theksuar Niko Peleshi.
Shpëtim Gjika: “Jam në ballë të shporrjes së këtij buxheti dhe kryeministri”
Ndërsa më i ashpër akoma ka qenë kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, me deklarimin e tij: “Unë jam sot këtu në këtë takim, për t’i bërë me dije të ashtuquajturit kryeministër ende në detyrë dhe për pak kohë, që me këto buxhete ai mendon se dëmton ne, realisht ka dëmtuar qytetarët. I them kryeministrit, që mua më ka në ballë të punës politike, që në 23 qershor ky kryeministër të shporret megjithë këtë buxhet.”
Qazim Sejdini: “Jemi të paralizuar”
Ndërsa për kryebashkiakun e Elbasanit, problemi i ujësjellësit është në drejtim të kundërt, ndërsa paralizimi i aktivitetit të bashkisë, i njëjtë me të tjerët. “Unë nuk e kam ujësjellësin në administrim. E kërkoj dhe nuk ma japin. Pra ka probleme mjaft të çuditshme dhe në zbatimin e ligjit. Kështu siç jemi dhe në këto kushte ne jemi të paralizuar”, ka thënë Qazim Sejdini.