Gjiknuri në Hagë: Hapësira për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik

redaktor

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe ai i Energjisë, Damian Gjiknuri, zhvilluan një vizite pune në Hagë, ku ndër të tjera theksuan mundësitë për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik në fusha të ndryshme.

Në takimet e ministrit Gjiknuri kishin në vëmendje intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri. Në takimin me ministrin e Çështjeve Ekonomike Henk Kamp, z. Gjiknuri nënvizoi masat e ndërmarra nga qeveria për të krijuar një klimë sa më miqësore ndaj biznesit të huaj e vendas dhe mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria, falë rezervave të saj në burime natyrore.

Dy ministrat diskutuan edhe për procedurat e ofrimit për aktivitet kërkimi të blloqeve të lira të naftës dhe gazit. Duke marrë në konsideratë edhe rezultatet pozitive të kërkimeve të kompanisë SHELL e Petromanas në zonën e Shpiragut, Gjiknuri konfirmoi se, në kuadër të këtij procesi do të ketë një dialog edhe me këtë kompani.

“Prezenca e kompanisë SHELL në Shiqpëri është tregues i një historie suksesi, por edhe promovim për investimet e tjera holandeze”, theksoi Gjiknuri.

Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe mbi ecurinë e projektit e gazsjellësit TAP, projekt që ndikon në stabilitetin dhe sigurinë energjetike të rajonit. Ministri Gjiknuri kërkoi mbështetje nga Bashkimi Europian për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së energjisë dhe gazit në Shqipëri e rajon.

Më tej, Gjiknuri parashtroi një ekspoze të masave të marra në kuadër të reformës në energjitikë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Rrjedhojë e këtyre masave, sipas tij, janë treguesit e përmirësuar; reduktimi drastik i nivelit të humbjeve dhe rritja e arkëtimeve të energjisë elektrike.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *