Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri priti dje në takim një delegacion nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kryesuar nga Alina L.Romanoëski, koordinatore e ndihmës amerikane për Europën dhe Euroazinë dhe Christine Tefft, shefja e programit për Europën në të njëjtin departament.
Ministri Gjiknuri informoi delegacionin amerikan për reformat e ndërmarra në sektorin energjetik në Shqipëri duke nisur nga zgjidhja e konfliktit mbi statusin ligjor të kompanisë së shpërndarjes deri tek përmirësimi i likuiditetit në sektor duke rikthyer ligjshmërinë në konsumin e energjisë elektrike.
Duke ju referuar reformave ligjore, ministri u ndal tek ligji i ri për Sektorin e Energjisë Elektrike në përputhje me Direktivat e Bashkimit Evropian, si dhe ndryshimin e politikave tarifore. “Me shumë rëndësi është fakti se vihet re rikthimi i besimit të institucioneve financiare në sektor, ku përveç Bankës Botërore janë të interesuara tanimë edhe Bankat e Nivelit të Dytë”, theksoi ministri.
Ai gjithashtu tha se po punohet intensivisht edhe në sektorin e gazit me synim diversifikimin e burimeve të energjisë. Në këtë linjë, ai u ndal tek projekti i gazsjellësit TAP si një projekt me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Rajonin.
