Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri priti dje në një takim një delegacion gjerman të kryesuar nga Drejtori për Evropën Juglindore dhe Turqinë në Bankën Gjermane KfW, Christopf Tiskens. Gjiknuri e vlerësoi të kënaqshëm bashkëpunimin e deritanishëm mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në zhvillimin e sektorit energjetik.
Në këtë linjë, ministri Gjiknuri u ndal tek projektet aktuale të linjës 110 kV Unaza e Jugut të Shqipërisë, linjën e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë dhe projekte të tjera që kanë garantuar mbështetjen e bankës KfW në sektorin e transmetimit dhe shpërndarjes.
Brenda pak ditësh, tha ministri, do të inaugurohet përfundimi i punës për ndërtimin e Unazës së Jugut ndërsa po ecën sipas parashikimeve edhe projekti i rëndësishëm i lidhjes së interkonjeksionit me Kosovën. Shteti shqiptar do të bashkëpunojë ngushtësisht me bankën gjermane KfW edhe për sa i takon projektit tjetër të lidhjes së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Drejtori i bankës KfW për Evropën Juglindore, Tiskens theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Gjermanisë e Shqipërisë edhe në kuadër të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Duke ju referuar projekteve që tanimë janë duke përfunduar ose në fazë realizimi me financimin e KfW, Tiskens tha se është i kënaqur me ecurinë e deritanishme. /Dita/