Ndryshimet e bëra në strukturën e arsimit parauniversitar tashmë shoqërohen me modalitete të reja edhe në llogaritjen e mesatares e pikëve vjetore që nxënësi fiton nga ndjekja e një lëndë të caktuar. Duke u ndalur konkretisht tek shkollat e mesme, (njëlloj sikundër ndodh në universitete), nxënësit duhet tu përgjigjen të gjitha detyrimeve për të fituar kreditet e duhura që e lejojnë atë të kalojë në klasat pasardhëse, si dhe të sigurojë të drejtën për të vijuar studimet e larta në universitete publike.
Mungesa e krediteve në tre lëndë bërthamë, apo edhe në lëndë të caktuara me zgjedhje e penalizon nxënësin me humbje të vitit shkollor. Në udhëzuesin e kurrikulës së re të gjimnazeve detajohet se pikët e një nxënësi për një lëndë të caktuar mësimore gjenden duke shumëzuar notën vjetore të nxënësit në atë lëndë me kreditet e asaj lënde dhe me koeficientin e lëndës. Ndërkohë që te mesatarja e përgjithshme e një nxënësi merren parasysh pikët e tri klasave të gjimnazit, bashkë me pikët e Maturës Shtetërore. Po ashtu mblidhen kreditet e tri klasave me ato të maturës.
Pikët totale pjesëtohen me kreditet totale dhe rezultati rrumbullakoset me dy shifra pas presjes dhjetore. Sipas ekspertëve të Institutit të Zhvillimit të Arsimim, mungesa e informacionit ka bërë që shpesh herë nxënësit të mendojnë se kreditet kanë të bëjnë me mungesat. Për këtë mësuesit duhet të punojnë më shumë në informimin e tyre, që të kuptojnë drejt se kreditet që një nxënës merr për një lëndë, nuk kanë të bëjnë me numrin e mungesave që ai nxënës mund të ketë në atë lëndë gjatë vitit shkollor. Kështu kur nxënësi ka notë kaluese vjetore në një lëndë, i fiton kreditet e saj. Kur është pakalues, nuk i fiton ato kredite.
Mbetja në klasë
Sipas rregullores kur një nxënës mbetet vetëm në lëndët me zgjedhje kalon në klasën pasuese, por pa kreditet e lëndës në të cilën ka mbetur. Nxënësi që mbetet në këtë lëndë me zgjedhje ka të drejtë të paraqitet për to: “në provimin e vjeshtës së atij viti shkollor, në provimin e vjeshtës së vitit pasues shkollor”. Një nxënës mbetet në klasë, kur në fund të vitit shkollor është pakalues në të paktën tri lëndë bërthamë. Nxënësi që është pakalues në një ose dy lëndë bërthamë, ka të drejtë të paraqitet në provimet e vjeshtës për ato lëndë bërthamë.
Nxënësi që nuk plotëson numrin minimal të krediteve për të gjithë gjimnazin, nuk e merr diplomën e maturës. Ai nuk e merr diplomën e maturës, edhe po të plotësojë numrin minimal të krediteve bërthamë, nëse nuk ka plotësuar numrin e duhur të krediteve për kurrikulën me zgjedhje të detyruar dhe atë me zgjedhje të lirë. Në mungesë të diplomës ai rrezikon vijimin e studimeve të larta në universitetet publike gjatë vitit shkollor.
Ndërrimi i shkollës
Shpesh herë ndërrimi i shkollës në mbyllje të vitit mund të shoqërohet me probleme, pasi në raste të caktuara nxënësit duhet të shlyejnë detyrimet e lëndëve me zgjedhje që në shkollën e re nuk bëhen. Konkretisht kur një nxënës ndërron gjimnazin në fund të vitit shkollor, dhe mund të ndodhë që në shkollën tjetër të jetë i detyruar të ndërrojë lëndët me zgjedhje, ai do t’u nënshtrohet rregullave të shkollës në të cilën ka vajtur.
Kur në gjimnazin e mëparshëm një lëndë është përfunduar brenda semestrit të parë dhe nxënësi vjen menjëherë pas semestrit të parë në gjimnazin e ri, atij i njihen kreditet e fituara në atë lëndë. Të tilla janë lëndët ose modulet që kanë një orë në javë në planin mësimor dhe në orar janë vendosur me nga dy orë në javë dhe përfundojnë kështu brenda semestrit të parë. Ndërrimi i gjimnazit gjatë vitit shkollor krijon vështirësi të veçanta për nxënësin.
Nuk duhet të lejohet ndërrimi i gjimnazit gjatë vitit shkollor kur dy gjimnazet janë brenda një qyteti ose kur janë aq afër sa mund të lidhen me transport ditor, në mënyrë që dhe nxënësit të mos detyrohen që të ndërrojnë lëndët e kurrikulës me zgjedhje.
6 kriteret për të siguruar kreditet e duhura në gjimnaz
Kriteri 1
Numri minimal i krediteve që duhet të sigurojë një nxënës në gjimnaz, është 90. Numri maksimal i krediteve që një nxënës mund të marrë është 96 (nxënësi merr 96 kredite, po qe se zhvillon nga 2 orë shtesë në javë). Sikundër sqarohet për nxjerrjen e mesatares së gjimnazit, një nxënës që merr më shumë se 90 kredite, nuk është i favorizuar për këtë mesatare, por mund të jetë më i përgatitur për karrierën që aspiron.
Kriteri 2
Nga 90 kreditet, 73 kredite i përkasin kurrikulës bërthamë dhe 17 kredite i përkasin kurrikulës me zgjedhje.
Kriteri 3
Numri i krediteve të kurrikulës me zgjedhje të detyruar është nga 10 deri në 12, kurse i kurrikulës me zgjedhje të lirë është nga 5 deri në 7.
Kriteri 4
Kur një gjimnaz zgjedh dhe mundëson të zhvillojë më shumë se 30 orë në javë, lëndët mbi orët shtesë (30) përzgjidhen nga kurrikula me zgjedhje të detyruar. Në këto orë shtesë, nxënësi mund të përzgjedhë vetëm lëndë me zgjedhje të detyruar. Kështu numri maksimal i krediteve në kurrikulën me zgjedhje të detyruar bëhet 18 kredite.
Kriteri 5
Nxënësi që në fund të vitit shkollor është kalues në lëndët bërthamë, por mbetet vetëm në lëndët me zgjedhje, kalon në klasën pasuese, por nuk fiton kreditet e lëndëve ku është mbetës. Nxënësi ka të drejtë t’i fitojë këto kredite në klasat pasardhëse në po ato lëndë ose në të tjera që i zgjedh në fillim të vitit shkollor.
Kriteri 6
Nxënësit që mbetet në klasë, nuk i njihen kreditet e fituara në atë klasë, me përjashtim të atyre të fituara për shërbimin komunitar dhe për ato module profesionale të cilat dëshmohen me certifikatë.
