Berat Gjimshiti nuk mundi që të merrte një biletë për në Europian, por ai priti sërish për t’u rikthyer në kombëtare më në formë se kurrë.
Dueli i radhës do të jetë edhe ndaj Lihtenshtejnit, një sfidë që nis me obligimin për fitore, duke e bërë më të vështirë misionin nga sa mund të duket në letër.
“Është e vërtetë që në letër janë skuadra më e thjeshtë e grupit, por ndaj është e vështira sepse duhet të fitojmë dhe tani në futboll është e vështirë të fitosh ndaj çdo kundërshtari. Duhet të respektojmë kundërshtarin, dhe kështu do të fitojmë”.
Gjimshiti ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në Zvicër shumë pranë Lihtenshtejnit, dhe di mjaft mirë se si ta mposhtë.
“Mendoj se kanë një skuadër shumë kompakte, në mbrojtje janë shumë të fortë dhe presin gabimet e kundërshtarit për ta sulmuar. Mendoj se ndaj tyre duhet luajtur fort si ekip pasi ndryshe me individualitete nuk mendoj se mund të bëjmë diçka. Rëndësi ka të krijojmë sa më shumë raste dhe të finalizojmë sa më shpejt”
