Gjinishi: Komuniteti Mysliman është kthyer në seksion të PD-së

anazapta

Teologu i njohur Ermir Gjinishi e ka ngritur prej kohësh zërin për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës. Në këtë intervistë për JAVA Gjinishi shprehet se debati rreth xhamisë së re është pozitiv. Ai thotë se duhet dëgjuar zëri i ambientalistëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e parkut, duke shtuar se kjo përkon edhe me kontekstin historik të Namazgjasë. Gjinishi shprehet se politika instrumentalizoi ndërtimin e xhamisë për interesat e saj. “Mafia politika ka shtrirë tentakulat e saj edhe në institucionet fetare”, thotë ai dhe shton se projekti i xhamisë së re është një “ndërmarrje mafioze”

 

Zoti Gjinishi, si e shihni debatin më të fundit për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës?

Është një debat konstruktiv që na shërben të gjithëve. Komunitetet fetare janë ente autonome brenda shtetit, organizohen dhe administrohen brenda vetes sipas kanoneve, statuteve dhe ligjeve të shtetit. Më parë, ishim mësuar të diskutonim mbi fetë vetëm kur ndodhte diçka, mundësisht i etiketuar si “skandal”, brenda komuniteteve apo besimtarëve të tyre, kryesisht fenomene që binin në sy jashtë kultit. Kësaj here çështja është ndryshe, debatohet direkt për një objekt kulti. Fakti që në këtë debat janë përfshirë shoqata, lëvizje civile apo ambientaliste është një ogur i mirë, sepse na çliron të gjithëve nga ideja e margjinalizimit të fesë e besimtarëve, na afron më tepër me njëri-tjetrin, pavarësisht bindjeve që kemi. Veç kësaj, është një emancipim i shoqërisë, ku diversiteti nuk është më barrierë, por një mundësi reale për të komunikuar e për t’i diskutuar gjërat bashkërisht, në interes të të gjithëve dhe në respekt të këtij diversiteti.

Këto lloj debatesh shembin muret ndarës të paragjykimeve e vlerësimeve emocionale, të cilat nëse nuk shprehen, keqkuptohen dhe kthehen në urrejtje. Nuk është një debat kundër fesë, përkundrazi, njerëz jofetarë ose më korrekt jopraktikantë besimesh, kanë ngritur zërin që feja të mos bëhet pjesë e zullumit politik, i cili na ka zënë me imponim çdo hapësirë të jetës normale, madje dhe atë shpirtërore. Nëse besimtarët xhaminë e kanë një vend ku kryejnë ritet e tyre, të tjerët po e shohin si një kult, imazhi i së cilës i bën mirë të gjithëve, edhe atyre që s’janë praktikantë, nëse vjen në harmoni me të natyrshmen.

Sheshi i Namazgjasë për ambientalistët është një pikë e gjelbër që na përmirëson sadopak frymëmarrjen, por për besimtarët myslimanë është shumë më tepër se kaq. Tirana është një qytet që u themelua me një xhami, një hamam dhe një furrë buke. Vetëm pak metra larg nga ky shesh, Hafiz Ibrahim Dalliu, Sheh Pazari dhe patriotë të tjerë tiranas ngritën flamurin e pavarësisë më 1912. Është i vetmi shesh i mbetur, që dëshmon kontributet e myslimanëve në kryeqytet. Nuk e di çfarë duhet të ketë më tepër një vend, që të gëzojë statusin e monumentit historik.

Namazgjaja i bën krenarë myslimanët për atë çka simbolizon, ndërsa prishja e saj i fshin nga kujtesa historike vlerat religjioze dhe kombëtare të tyre. Besimtarët e duan xhaminë, por jo duke ia shfarosur historinë. Komuniteti Mysliman bën mirë që t’i dëgjojë këto zëra, të cilët indirekt po kontribuojnë në ruajtjen e kësaj trashëgimie historike. Besimi mysliman është universal dhe në tematikën e tij përfshin dhe përkujdesjen ndaj ambientit. Në një sentencë profetike thuhet: Nëse fillon Kijameti e në dorën tënde ke një fidan peme, mbille atë! Komuniteti Mysliman duhet të rikonsiderojë qëndrimin e tij, të ndërpresë menjëherë lojërat politike që e kanë devijuar krejtësisht nga misioni i tij.

 

Ka pasur akuza në rritje, se çështja e ndërtimit të xhamisë u politizua në prag të zgjedhjeve. Ju si mendoni?

Është e vërtetë. Politika e instrumentalizoi ndërtimin e xhamisë për interesa meskine të pamoralshme. Retrospektiva flet qartë. Kalvari i përpjekjeve për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë daton në fillim të viteve 90, kur u dha një leje në lulishten përballë parlamentit dhe papritur, pa asnjë vendim pezullimi, u bllokua. Presidenti i atëhershëm Berisha, i cili mori pjesë vetë në ceremoninë e vendosjes së gurit themeltar, asnjëherë nuk sqaroi përse u bllokua kjo xhami. Që atëherë përpjekjet rifilluan kur bashkia drejtohej nga z.Rama. U ngritën grupe të përbashkëta pune për ta finalizuar, por pasi sheshi i Namazgjasë u shpall monument kulture, Bashkia nuk kishte juridiksion mbi të. Negociatat vazhduan deri në miratimin e planit francez, kur xhamia u vendos të ndërtohej pas Pallatit të Kulturës, ku ne posedonim një truall vakëf. Më parë zoti Nano i ofroi Komunitetit Musliman truallin tek ish- ekspozita, për të ngritur bashkë me xhaminë edhe universitetin teologjik, madje ofroi dhe financimin e këtij të fundit, por z. Muça e refuzoi me heshtje.

Me ardhjen e PD-së në pushtet, qeveria ushtroi presion mbi Komunitetin Mysliman për mosvazhdimin e projektit. Tentakula të pushtetit, në një farë mënyre ja arritën qëllimit falë dhe personalitetit të dobët të z.Muça, i cili preferoi buzëqeshjen e qeveritarëve apo mbarimin e ndonjë “halli” personal, në këmbim të xhamisë dhe interesave të besimtarëve. Ka një të vërtetë të madhe që duhet thënë. Zoti Rama dhe Bashkia e Tiranës ka qenë gjithmonë në dispozicion për finalizimin e projektit, por komuniteti ngjasonte më shumë me një seksion të PD-së, sesa me një institucion fetar. Qeveria, dobësinë e kryetarit Muça e shfrytëzoi për ta mbajtur peng xhaminë, për ta shfrytëzuar politikisht, pa ofruar asnjë zgjidhje nga ana e saj. Besimtarët janë pjesa më e pastër në këtë histori të pisët. Ata nuk u bënë pjesë e këtyre lojërave politike. Ishin besimtarët dhe intelektualë të Tiranës që i kërkuan zotit Rama të finalizonte projektin, kur me një donacion të Kuvajtit, i cili kish marrë përsipër dhe financimin e qendrës së kryeqytetit, u organizua konkursi ndërkombëtar për xhaminë. Për gjatë gjithë fazave të konkursit, Komuniteti Mysliman mori pjesë duke dhënë sugjerimet e tij, por ditën e shpalljes së projektit fitues, Komuniteti për çudi solli përfaqësues një pjesëtar të stafit të kandidatit të PD-së për Tiranën z.Basha, që nuk kishte asnjë funksion në Komunitet.

Menjëherë pas shpalljes së projektit fitues, kryeministri i vendit, deri atëherë i heshtur, në një mbledhje qeverie, vendosi për ndërtimin e xhamisë tek Namazgjaja. Pas kësaj u duk qartë se Komuniteti Mysliman ishte kthyer në një vegël e qeverisë. Gjatë fushatës së vitit 2011 kjo u duk qartë kur imamë të Tiranës, në kundërshtim me statutin e KMSH-së dhe Kushtetutën e vendit, bënin thirrje në mimberet e xhamive për të votuar zotin Basha. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Festat tona fetare qeveria i dhunoi e i ktheu në mitingje elektorale, duke tentuar të mbjellë urrejtje tek besimtarët myslimanë për rivalin e tyre politik. Të mos harrojmë që mbjellja e urrejtjes në zemrat e besimtarëve është parathënia që krijon kushte për shfaqjen e fanatizmit, ekstremizmit dhe militantizmit fetar, por falë Zotit besimtarët i qëndruan larg kësaj dhe për këtë meritojnë vlerësim. Personalitetet që e themeluan këtë komunitet si Vehbi Dibra, H.Ibrahim Dalliu, H.Ali Korça etj, vunë pasurinë, dijen dhe gjithçka kishin në dobi të kombit dhe besimtarëve, kurse tani pasardhësit e tyre shesin këto vlera të trashëguara për interesa banale. Ndoshta e teproj, po kjo sjellje e politikës sonë të papërgjegjshme, më bie në mend një thënie e Reganit, i cili thotë se “Politika është zanati më i vjetër në botë, pas saj vjen prostitucioni. Sa më shumë kalon koha, aq më tepër bindem sesa pranë njëri-tjetrit janë këto profesione”.

 

Përtej aspektit politik, akuza konkrete po dalin edhe për ndërtimin e një qendre biznesi, brenda territorit të xhamisë së re. Si i komentoni këto akuza?

Gjithçka është e vërtetë. Është një tregues i dukshëm i kapjes së institucionit fetar nga mafia politike. Mafia politike ka shtrirë tentakulat e saj dhe në institucionet fetare, për t’i vjedhur e përdorur. Zhvendosja e xhamisë për tek Namazgjaja, i hap rrugën aferave të pista për ndërtimin e dy kullave pas Pallatit të Kulturës, në vakëfin e K.M.SH-së  dhe një shumëkatëshi tek Namazgjaja. Janë pleksur biznesi (partiak) politik, me pazarxhinj të veshur me xhybe. Fatkeqësisht Komuniteti ynë ka përftuar moralin dhe sjelljen më të ulët të politikës. Kjo nuk është rastësi. Askush nuk e di realisht ç‘bëhet te Namazgjaja, s’ka projekt, s’ka leje, s’ka transparencë. Gjithçka është mbajtur e fshehur ndaj publikut dhe besimtarëve. Nuk ka asnjë firmë apo kompani që po merret me ndërtimin e xhamisë. Është hapur një gropë që nuk dihet kush e hapi. Komuniteti ka rastin të largojë nga vetja një pjesë të këtij turpi dhe t’i tregojë opinionit kush është ai qeveritar që preu pemët dhe hapi atë gropë. Të paktën kështu ka premisa t’i rikthejë vetes një pjesë të dinjitetit të humbur.

 

A nuk ishte e shpejtuar një ndërmarrje e tillë, nga pikëpamja urbanistike dhe mjedisore? A i bashkoheni ju protestave në rritje, nga ana e ambientalistëve, për prishjen e njërit prej parqeve më të vjetër dhe më të bukur të Tiranës?

Kjo ishte një ndërmarrje tipike mafioze. E fshehtë, pa projekt, pa asnjë diskutim ekspertësh. Kam qenë nga zërat e parë që i kam kundërshtuar  këto allishverishe politike, madje para se të nisin, në vitin  2010. Namazgjaja është krenaria historike e myslimanëve të kryeqytetit. Besimtarëve nuk duhet t’ua vjedhin historinë kaq ligësisht. Heshtja e tyre përgjatë gjithë kësaj zallamahie tregon pikërisht këtë, padakortësinë. Hipokrizia e vënies së besimtarëve përballë një presioni të stisur, se gjoja po s’u bë xhamia këtu, nuk ka ku të bëhet, ka marrë fund. Xhamia e ka vendin e saj në mes të Tiranës.

 

Duke ju rikthyer raportit të fesë dhe politikës, a mendoni se komunitetet fetare kanë qenë jashtë ndikimit politik në këto vite? Nëse jo, cilat janë arsyet e këtij kryqëzimi të rrezikshëm interesash?

Nuk ka pasur më parë një prishje të këtillë të raportit shtet-fe. Kjo është vlerësuar dhe nga të huajt vazhdimisht. Feja nuk është politikë, por feja dhe politika bashkëjetojnë brenda një shteti laik, nëpërmjet rregullave të përcaktuara. Kur këto rregulla shkelen, atëherë feja nuk është më fe, por instrument në duart e politikës dhe politika fetarizohet. Është një fenomen shumë i rrezikshëm i cili e fut vendi në një kolaps. Po sjell shembull Libanin, ku për shkak të polarizimeve fetare, janë ndarë institucionet shtetërore sipas përkatësive fetare me kushtetutë. Dhe ja ku jemi. Atje nuk kanë të sosur konfliktet politiko-fetare.  Politizimi i fesë është një praktikë jofetare, aty ku  ka ndodhur, ka humbur paqja sociale, janë krijuar ndasi fetare e shoqërore, janë prishur balancat, konflikti ka pushtuar mirëqenien e popullit dhe shoqëria është futur në një rrugë pa krye.

Rasti më i mirë është Egjipti. Vëllazëria Myslimane kërkoi të qeverisë një shtet laik dhe tani Egjipti është në prag të luftës civile. Particizmi fetar është në kontrast me shtetin laik. Natyrisht që në Shqipëri nuk është kjo situatë, por kjo s’do të thotë që interesat partiake apo politikanë të papër­gjegjshëm, ta shtyjnë vendin në rrugëtime të tilla të rrezikshme.

Ka tregues të dukshëm, që pas 2005-ës gjërat ndryshuan edhe tek ne. Politika ndërhyri dukshëm në jetën fetare. Përdorimi i festave fetare apo objekteve të kultit për fjalime politike, ku retorika armiqësore ndaj kundërshtarit politik u drejtohet besimtarëve për t’i instrumentalizuar, cenon laicitetin e shteti, njollos misionin e fesë, politizon kultin, keqpërdor besimtarët dhe krijon ndasi fetare. Kështu ndodhi në fjalimet e z.Berisha në ceremoninë e mbërritjes së eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit. Asnjë ceremoni për një figurë aq të madhe kombëtare, eshtrat përfunduan në një karrocë dhe fjalimi në kishë i tejmbushur me urrejtje politike. Kështu ndodhi dhe me rastin e mevludit. Të mos harrojmë hytbet politike, apo debatet që hapi censusi. Qeveria në largim la një model të keq të raportit shtet-fe. Ajo përdori skajshëm autoritetin fetar, për të vjedhur mbështetjen e besimtarëve. Ndërsa rasti i Namazgjasë shkon më tej, korrupsioni politik tenton të korruptojë institucionet fetare.

Është dhe një fenomen tjetër që po përhapet tinëzisht pa zhurmë dhe qeveria në largim ishte palë me të. Tendenca e turqizimit të besimtarëve myslimanë shqiptarë, nën pretekstin e lidhjeve me osmanllinjtë e dikurshëm. Turqia e sotme sillet në Ballkan si të jemi pjesë e osmanllinjve, por osmanllinjtë e atëhershëm nuk janë turqit e sotëm dhe shqiptarët nuk janë arnautët e dikurshëm. Edhe modeli osman i xhamisë këtë thotë. Qeveria në largim i hapi rrugën sektit të nurxhinjve (shqip “të ndriturve”), për të pushtuar jetën fetare në Shqipëri, në këmbim të mbështetjeve politike. Ka një angazhim për të zhdukur çdo histori të myslimanëve shqiptarë dhe për ta turqizuar këtë histori. Në medresetë tona janë hequr emrat e klerikëve dhe rilindasve shqiptarë të mëdhenj si H.Mahmud Dashi në Tiranë, H.Ali Korça në Kavajë etj.

Këto janë disa nga format që po tentojnë të ç’kombëtarizojnë myslimanët shqiptarë. Komuniteti Mysliman hesht. Shteti, gjithashtu. Janë mbi 160 shqiptarë myslimanë që kanë shkuar të luftojnë në Siri, disa prej tyre janë vrarë. Shteti hesht, ndërsa Komuniteti Mysliman as që e vret mendjen. Asnjë orientim nuk ka bërë ky institucion për predikimet nëpër xhami, që besimtarët shqiptarë të qartësohen.

Kjo është një nga frytet e helmuara që trashëgojmë nga marrëzia e politizimit të fesë për interesa mafioze partiake. Këto janë në fakt hallet reale të myslimanëve shqiptarë.

Share This Article
11 Comments
  • Nje gjykim realist i marredhenies fe-besimtar-qeveri(pse jo dhe shtet).Z.Gjinishi me keto ide tregon se eshte nje vazhdues i denje i besimit islam shqiptar dhe kundershtar i papjtueshem i idese se feja i sherben politikes.Pergezime zoti Gjinishi dhe mos u sprapsni nga delenxhileret e korrupsionit dhe te perfitimit vetiak qe fene e perdorin si veshje mburoje per ti anashkaluar ligjeve te ketij vendi.Si kudo edhe ne kete sfere shpirterore te jetes sone te mjeruar paskomuniste Sali Ram Berisha eshte njeriu qe e beri kashte e koqe edhe fene islame duke vene ne krye te saj njerez qe perpara Zotit e Muhametit vene politiken dhe filoz e perfitimit personal.

  • Nje diskutim I qarte serioz dhe shume I ndershem. Ndersa lexoja kete interviste me vinte ne mendje nje pjese e nje spoti elektoral te PD, te fushates qe sapo u mbyll. Ne tentativene per te denigruar Ramen jepte nje sequence disa sekonda ku Rama ecte ne rruge dhe “shperfillte” dhe dy persona te ulur me kapelen tipike myslimane ndoshta ne ndonje feste myslimane. Ajo qe me acaroi ne kete antireklame ishte rreziku I fryrjes se ndasive fetare. Nje kriminel si Saliu ishte dhe eshte gati ti beje gjemen ketij vendi vetem per te m9s leshuar pushtetin.

  • Pse ja fut kot mer? Genjeshtra eshte mekat i madh. Une kam qene ne cdo te Premte ne Xhami dhe nuk kam degjuar te behej asnje thirrje e tille. Pse legenoseni kaq shume?? Behu i sinqerte o GJinisho dhe thuaj qellimin e vertete te ketyre fjaleve mos bej sikur kot.

    • Po more Besi ke kene per xhuma ne xhami por je ai i pisti i asaj pjese te piste qe po perlyn gjithecka ne Shqiperi. Neper xhami edhe jashte eshte than votoni per Bashen me te madhe, po eshte thane edhe te votoni per PD qe nga Selim Spijuni e te tjere. Une nje here kam taku shoke qe dolen prej xhamijet e me bane thirrje edhe mu te votoj per Salen. Kur jua tregova me fakte sherbimet e tija per Serbin e futen bishtin nder shale. Nje pjese e muslimaneve jane haramat ma te medhej te muslimanizmit, pjesa tjeter shikon vetem sherbin fetare e keshte Selim Muca me stafin hajdut ban pislleqet me Sali Berishen e per Sali Berishen. Komuniteti Musliman duhet ti trgoje vendin Selim Muces sic ja tregoi Sali Kriminelit.

  • O Gjino, cne qe dole tani ne skene ti ee?? Beson se me ndryshimin e pushtetit dhe ketyre shpifjeve te tua do te hysh ne KMSH nga dritarja nderkohe qe te perzune nga dera? Ti more i marre mendon se duke folur keshtu, me ndryshimin e pushtetit, do vije Rama tani dhe do u thoje KMSH-se, merreni Gjinishin?? Rama dhe socialistet nuk merren me horra sic jane marre deri me tani pedeja.
    KMSH eshte institucion, kurse ti je nje mjeran qe shet vellezerit e tu per icik karrige. Pushteti i neserm nuk do merret me mjerane por me institucione dhe KMSH ka qene shume korrekte ne raport me politiken o Gjinooo. Ti e di qe ske me vend ne KMSH per zullumet qe keni bere prej vitesh aty, mos shpreso kot. Paskeni vdekur per politike o te mjere

  • Sa eshte trishtuar qe nuk eshte pjese e komunitetit ne kete ngjarje kaq te rendesishme. Komuniteti po te qe i politizuar nuk nxirrte ne faqen e tij thirrje per te respektuar voten e lire dhe paanesine e tij.po do ti hysh ne sy kryeministrit te ri me skuthlliqe nuk ke per te bere hajer, sic dhe nuk ke bere.
    Zoti te meshirofte!

  • Po Selim Muça ka qene bashkepunetor i Sigurimit te Shtetit. Natyrisht si i tille usta Berisha, i tund dosjen te shkretit mysliman qe ka bere mekate dhe duhet ti laje tani duke shkelur mbi Islamin per hater te Dom BERISHES, babi MAFIES.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *