Lëvizja Europiane në Shqipëri e cila merret me proceset integruese të vendit në Bashkimin Europian, e shikon me skepticizëm marrjen e Statusit në muajin dhjetor. Gledis Gjipali, drejtues i kësaj lëvizje në një intervistë për gazetën “Dita” shprehet se Shqipëria ka më shumë se tre kushte të paplotësuara për marrjen e Statusit. “Miratimi i ligjeve dhe emërimi me konsensus ose jo i zyrtarëve të lartë i pashoqëruar me efekte të dukshme pozitive tek plagët kronike të shtetit shqiptar si: pavarësia e institucioneve, sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, etj., ka sjellë humbje të besueshmërisë dhe premtimet e autoriteteve për rezultate në të ardhmen nuk vlejnë më”, shprehet Gjipali. Më tej, ai thekson se vendosja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si kusht për hapjen e negociatave është një fenomen që ka ndodhur vetëm me Shqipërinë duke theksuar se vendi ynë ende nuk ka kapur standardet e kërkuara në proceset elektorale.
Është nisur një debat mes palëve politike për mos marrjen e statusit. Qeveria kërkon votimin e tre ligjeve që kërkojnë votat e PS, ndërsa opozita shprehet se nuk janë plotësuar kushtet e tjera pavarësisht nga votimi apo jo i këtyre tre ligjeve. Sipas jush cilat janë kriteret që na pengojnë për marrjen e statusit?
Arsyeja kryesore që Shqipëria shkon e pasigurt në Këshillin e Ministrave të BE-së ku do të merret vendimi për dhënien ose jo të statusit ka të bëjë me performancën e dobët në trajtimin e 12 përparësive/kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian. Ndonëse mbas 2 vjetësh Komisioni Europian dha në tetor një rekomandim pozitiv për Shqipërinë ka vende anëtare të cilat nuk ndajnë të njëjtin opinion dhe se fundmi e kanë shprehur dhe publikisht kundërshtitë. Miratimi i ligjeve dhe emërimi me konsensus ose jo i zyrtarëve të lartë i pashoqëruar me efekte të dukshme pozitive tek plagët kronike të shtetit shqiptar si: pavarësia e institucioneve, sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, etj., ka sjellë humbje të besueshmërisë dhe premtimet e autoriteteve për rezultate në të ardhmen nuk vlejnë më. Ajo që po kërkohet gjithnjë e më shumë nga partnerët tanë janë rezultatet konkrete. Miratimi i tre ligjeve është gjithsesi shumë i rëndësishëm pasi pa miratimin e tyre do të binte dhe formalisht rekomandimi pozitiv i Komisionit. Pasojat negative në këtë rast do të zgjasin dhe në një periudhë të mëvonshme në marrëdhëniet me Komisionin, pasi besimi që ofroi me propozimin e tij nuk u shpërblye me të njëjtën monedhë. Kjo do sjellë që në rastet e ngjashme Komisioni do të tregohet akoma dhe më i rezervuar.
Nëse vendimi i dhjetorit do të jetë pozitiv për statusin, a ka ndonjë efekt duke qenë se BE ka paralajmëruar se negociatat nuk mund të hapen para zgjedhjeve të vitit 2013?
Sigurisht qe efektet janë pozitive dhe pa marrë një datë për hapjen e negociatave. Me kryesorja Shqipëria do t’i bashkohet vendeve qe jo shumë vite më parë ishin mbrapa Shqipërisë në procesin e integrimit europian si Serbia e Mali i Zi. Shqipëria është i vetmi vend që nuk probleme me fqinjët, nuk ka patur luftë në territorin e saj e as probleme shtetformimi si vendet e tjera te Ballkanit, e megjithatë jemi në grupin e fundit të shteteve që kanë perspektiv anëtarësimin në BE.
Nëse marrim përgjigje negative mbi kë bie përgjegjësia kryesore, kujtojmë që Holanda është shprehur kundër për shkak se nuk janë plotësuar një sërë kushtesh nga vendi ynë?
Përgjegjësia kryesore është e klasës politike dhe kjo nuk përbën lajm. Gjithsesi Këshilli do dali me përfundimet e tij të cilat do hedhin me shumë dritë mbi pjesët respektive të përgjegjësisë si në spektrin politik ashtu dhe në atë institucional. Përveç Kuvendit dhe Qeverisë si aktorë kryesorë në proces, një rol të madh kanë dhe institucionet e tjera të gjyqësorit, prokurorisë, presidencës,etj, që kanë një pozicion kyç për të adresuar problematikën në fushën e sundimit të ligjit. Çdo aktor në këtë proces përpara se të nis akuzat dhe të ndajë pjesën më të madhe të fajit për pjesëmarrësit e tjerë do duhet të pranojë fillimisht përgjegjësit e tij, sado të vogla të vlerësohen.
Në dijeninë tuaj ka ndonjë rast tjetër që KE ka vendosur zgjedhjet e lira dhe të ndershme si kusht për hapjen e negociatave?
Kushtëzimet për ecjen përpara në procesin e integrimit janë nga më të ndryshmet në varësi të problematikës të secilit shtet e variojnë nga dorëzimi në Hagë i të kërkuarve për krime lufte deri tek zgjidhja e problemeve dypalëshe me fqinjët. Për fat të keq duhet thënë se problemi me mbajtjen e zgjedhjeve brenda standardeve ndërkombëtare është një fenomen shqiptar i Shqipërisë, që zanafillën e gjen në vitin e largët të 1996. Ndonëse ka patur progres në këto 20 vjet Shqipëria ende nuk e ka mbyllur këtë kapitull i cili minon ndërtimin e një shteti demokratik dhe funksional brenda parametrave të një vendi ballkanik. Është e pamendueshme për shume vende anëtare të BE qe të pranojnë në klubin e tyre një vend i cili nuk garanton dot elementin thelbësor të një shteti demokratik. Kushtëzimi i negociatave me zgjedhjet është sinjali i radhës që i dërgohet politikës e shoqërisë shqiptare se nuk do ecet përpara pa u mbyllur njëherë e përgjithmonë kjo çështje si dhe që koha e humbur në procesin e integrimit është kosto për Shqipërinë e jo për BE-në.