Ndërsa vendi përballet me reshje të dendura shiu prej tre ditësh, nuk kanë munguar problemet në disa qytete. Krahas përmbytjeve në Shkodër, Lezhë dhe Fier, reshjet e shiut kanë shkaktuar edhe rrëshqitje dherash në aksin Gjirokastër – Tepelenë. Si pasojë, qarkullimi në këtë aks është bllokuar gjatë natës. Mëngjesin e sotëm, Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka ndërhyrë, duke dërguar një fadromë, e cila ka pastruar rrugën nga sasia e madhe e dherave të rëna nga lartësitë. Por kjo nuk ka qenë pa kosto, pasi radha e automjeteve që prisnin ka shkuar në 6 km.