Në vitin që shenjon 10-vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qytetit të çative të përhimta po i shtohen ngjyrat. Rreth 35 pjesëmarrës nga 10 vende të Ballkanit Perëndimor, Europës e më gjerë do të mblidhen për dhjetë ditë në Kampin e 23-të Rajonal të Restaurimit që organizohet nga Fondacioni “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij – Shqipëri” në datat 9 shtator-20 shtator 2015.
Krahas kampit restaurues në Gjirokastër, Fondacioni, që këtë vit kremton 20-vjetorin e themelimit, në bashkëpunim me Trashëgiminë Pa Kufij (Mbretëri e Bashkuar) dhe Muzeun e Qytetit të Mitrovicës organizojnë Kampin e 24-t Rajonal të Restaurimit në Mitrovicë.
Programi që do të ndjekin dhjetëra studentë dhe profesionistë kombinon teorinë, përmes leksioneve dhe prezantimeve, me punën praktike, nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese në monumente.
Pjesëmarrësit do të studiojnë dhe ushtrohen për katalogimin, konservimin parandalues të objekteve monumentale si dhe teoritë e interpretimit.
Secila nga ndërhyrjet në objektet monumentale do të synojë të sigurojë mënyra të reja për të kuptuar vlerat që monumentet mbartin, por edhe për t’i interpretuar dhe rijetëzuar më së miri ato. Objektivat kryesore të Kampeve Rajonale të Restaurimit janë përdorimi i trashëgimisë kulturore si një platformë për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale.
Gjithashtu një nga qëllimet e Kampeve është edhe promovimi i Shqipërisë dhe Kosovës. Puna e kampit të restaurimit në Gjirokastër do të përqëndrohet te: Shtëpia Xhaxhiu (Monument i Kategorisë së Dytë) dhe Shtëpia Sinani (Monument i Kategorisë së Dytë). Ndërkohë, një grup pjesëmarrësish në kamp do të punojnë njëherazi në disa shtëpi për të krijuar dokumentacionin e plotë në mënyrë që një ose dy dhoma të këtyre shtëpive të shndërrohen në dhoma për turistë. Pas studimit të secilit rast, do të propozohen ndërhyrjet e duhura, bazuar mbi ligjin shqiptar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe duke i qëndruar strikt specifikës së çdo rasti.
Kujtojmë se në mirënjohje të përkushtimit dhe përsosmërisë të tyre, Kampet Rajonale të Restaurimit të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri, janë shpërblyer me çmimin prestigjioz “Europa Nostra”, e cila akordohet nga Bashkimi Europian për Trashëgiminë Kulturore.
