Data 4 dhjetor 1912 u zgjodh nga Gjirokastra pasi ushtritë e Perandorisë Osmane ishin larguar nga qyteti vetëm një ditë më parë
GJIROKASTËR- Gjirokastra mbush 100 vjeç qytet i pavarur. Në këtë një shekull pavarësi, flamuri është ngritur sërish në mënyrë ceremoniale në kështjellën e qytetit nga drejtues të pushtetit vendor. Ndërkohë, të rinjtë e forumit “Djemtë e Gjirokastrës” shpalosën dy flamuj me sipërfaqe 200 metër katrorë secili.
Data 4 dhjetor njihet zyrtarisht si momenti në të cilin patriotët gjirokastritë, të drejtuar nga Hasan Xhiku, ngritën flamurin në kala dhe e shpallën Gjirokastrën të pavarur. Megjithëse ishte ndër qytetet e fundit në Shqipëri që shpallën flamurin, sipas historianit Shyqyri Hysi, flamuri u ngrit në mënyrë të bujshme dhe ceremoniale. Sipas fakteve historike, Hysi pohon se u zgjodh data 4 dhjetor, pasi vetëm një ditë më parë ushtritë e Perandorisë Osmane ishin larguar nga qyteti.
Ngritja e flamurit në Gjirokastër është produkt i një lufte të vazhdueshme që bëhet gjatë muajit nëntor dhe para tij të vitit 1912 nga atdhetarët shqiptarë, nga ai aksion diplomatik i nisur nga plaku Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë që gjendeshin në Stamboll. Patriotët dhe populli i Gjirokastrës morën masat, u mblodhën dhe vendosën që të dërgonin delegatët në Kuvendin e Vlorës.
Ngritja e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali u pasua me ngritjen edhe në qytete të tjera. Disa qytete e ngritën më shpejt, pasi rrezikoheshin nga ushtritë ballkanike, sepse më 8 tetor të vitit 1912 kishte nisur Lufta Ballkanike, e cila veç atij qëllimi të shpallur për të larguar nga territoret e Ballkanit Turqinë, kishte dhe një synim tjetër grabitqar e të fshehtë, që e tregoi Lufta e Dytë Ballkanike, e që ishte aneksimi i tokave shqiptare dhe atyre të Maqedonisë që ishin ende nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe do ta bënin fakt të kryer me pushtimin nga ushtritë e tyre.
Për këtë arsye disa qytete, si: Elbasani, Tirana, Kavaja, Durrësi e Peqini e ngritën flamurin nga data 25 deri më 27 nëntor, ndërsa Gjirokastra nuk e kishte ngritur flamurin as në 28 dhe as në 29. Më 29 nëntor të vitit 1912 kishte një përpjekje në Prefekturë, ashtu si thotë Thoma Papapano në kujtimet e tij. Vijojnë telegramet në datat 30 nëntor, 1 e 2 dhjetor. Në datën 3 dhjetor të gjithë atdhetarët gjirokastritë që ishin delegatë në Kuvendin Mbarëkombëtar të Vlorës, duke filluar nga Elmaz Boci, Veli Harxhi, Azis Efendi, Xheko, Petro Poga, Mufid Bej Libohova, Hysen Hoxha e Jani Papadhopulli dërgojnë telegrame veç e veç, por edhe të gjithë bashkë.
Jo vetëm këta, por edhe atdhetarë të tjerë jo gjirokastritë janë të shqetësuar pse Gjirokastra nuk e ka ngritur ende flamurin. Pasditen e datës 3 dhjetor 1912 (ose 20 nëntor me kalendarin e vjetër) dërgojnë një telegram shumë të fuqishëm, ku u thuhet patriotëve gjirokastritë që, nëse nuk do ta ngrini ju, atëherë do të na vijë keq nëse mund të ngrihet ndonjë flamur tjetër në Gjirokastër, sepse ushtritë greke po përparonin në territorin e Epirit dhe po i afroheshin Janinës.
Të detyruar nga këto kushte edhe Gjirokastra duhej ta ngrinte flamurin dhe atdhetarët gjirokastritë e bënë këtë në datën 4 dhjetor, në mënyrë ceremoniale dhe të bujshme”, shprehet historiani Hysi.
Ndërsa sipas historianes Teuta Kallajxhi, në godinën e Prefekturës së Gjirokastrës flamuri u ngrit më 29 nëntor të vitit 1912. “Copa për përgatitjen e flamurit që do të ngrihej në Gjirokastër sipas porosisë së qeverisë së Vlorës u ble nga dy patriotët, Thoma Papapano dhe Idriz Guri në mëngjesin e 29 nëntorit të vitit 1912. Flamuri në Gjirokastër u ngrit më 29 nëntor të 1912 në mbrëmje. Përgatitja e flamurit u realizua nga Zenebie Alite. Sot në muzeun e Gjirokastrës është një fotografi e këtij flamuri si dhe makina qepëse me të cilën ai u përgatit. Shkopi kishte një gdhendje të patriotit Idriz Guri. Ndërkohë muzeu ka siguruar gjithashtu edhe një kopje të një kartoline të vitit 1912, në të cilën ështe stampuar fotoja e flamurit origjinal që Ismail Qemali ngriti në Vlorë. Me anë të kësaj kartoline shqiptarët uronin njëri- tjetrin në raste festash”, shprehet historiania Kallajxhi.
Forumi “Djemtë e Gjirokastrës” ka shpalosur dy flamuj me sipërfaqe 200 metër katrorë secili, njëri prej të cilëve në kala, aty ku 100 vjet më parë u shpall pavarësia dhe tjetri në sheshet dhe monumentet kryesore të qytetit.